BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbledhja e pestë e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave

Data e publikimit: 01.10.2019

 

Në datën 1 tetor 2019, u zhvillua mbledhja e pestë e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave (KKSP). Mbledhja u drejtua nga Kryetarja e këtij Komiteti, zj. Luljeta Minxhozi, Zëvendësguvernatore e Parë e Bankës së Shqipërisë.

Përveç anëtarëve të Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave, si Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave dhe Kryetari i Komitetit të Pagesave pranë kësaj shoqate, në mbledhje merrnin pjesë dhe përfaqësues nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), si dhe përfaqësues nga Banka Botërore dhe institucione të tjera ndërkombëtarë. Gjithashtu, në takim ishin të pranishëm dhe përfaqësues nga bankat, institucioneve financiare jobanka, përfaqësues të operatorëve të skemave kombëtare të pagesave me kartë, si dhe stafi i Bankës së Shqipërisë.

Aktiviteti nisi me fjalën e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, dhe Ministres së Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj.

Në fjalën e tij, Guvernatori Sejko shprehu rëndësinë e reformave të ndërmarra në fushën e sistemeve të pagesave dhe rolin e tyre në mbarëvajtjen e ekonomisë së vendit. Zbatimi i tyre e kthen në domosdoshmëri bashkëpunimin ndërmjet aktorëve publikë dhe atyre privatë të tregut, dhe në këtë drejtim Guvernatori gjeti rastin të shprehë vlerësimet e tij për punën e frytshme kryer bashkarisht deri më sot. Që nga viti i krijimit (2015), Komiteti Kombëtar i Sistemeve të Pagesave ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbështetje të veprimtarisë së institucioneve pjesëmarrëse në fushën e pagesave, nëpërmjet rritjes së sigurisë, qëndrueshmërisë dhe efikasitetit të sistemit kombëtar të pagesave.

Guvernatori Sejko u ndal në rezultatet e deritanishme të KKSP-së, më i rëndësishmi prej të cilëve vlerësohet miratimi i Strategjisë Kombëtarë të Pagesave me Vlerë të Vogël. Përmes kësaj strategjie synohet të krijohet një treg bashkëkohor dhe gjithëpërfshirës i pagesave me vlerë të vogël, të ofrohet një gamë e gjerë instrumentesh dhe shërbimesh të pagesave në mënyrë që të përmbushen nevojat e përdoruesve të tyre në rang vendi. Një tjetër nismë mjaft e rëndësishme në këtë fushë është dhe nxitja e procesit të digjitalizimit të shërbimeve të pagesave. Lidhur me të, Banka e Shqipërisë ka hartuar projektligjin “Për shërbimet e pagesave”, i cili synon stimulimin e përdorimit të instrumenteve elektronikë të pagesave nga publiku, uljen e kostos së tyre dhe rrjedhimisht uljen e përdorimit të parasë fizike (cash-it) në ekonomi.

Në përfundim të fjalës së tij, Guvernatori Sejko u shpreh se zbatimi i këtyre nismave të rëndësishme kërkon dhe një publik të mirëinformuar. Për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë e gjykon si të domosdoshëm hartimin e një Strategjie Kombëtare për Edukimin Financiar të Publikut, e cila vlerësohet të sjellë përfitime të shumta në zgjerimin e përfshirjes financiare dhe thellimin e edukimit financiar.

Fjala e Guvernatorit Sejko

Në fjalën e saj, Ministrja Denaj u fokusua në angazhimin e qeverisë për të luftuar informalitetin në ekonomi, përmes reformave dhe masave të ndryshme, duke vënë theksin te projektligji i ri për Fiskalizimin, i cili u lançua për konsultim publik në muajin gusht.

“Qëllimi kryesor i këtij projekti është të luftojë evazionin fiskal nëpërmjet një legjislacioni të shëndetshëm, pajisjeve teknologjike dhe informacionit të përfituar në kohë reale për çdo transaksion të kryer në vend. Ky ligj synon krijimin e një sistemi të ri faturimi dhe monitorimi të transaksioneve të bizneseve në vend, bazuar në një sistem të ri të pajisjeve fiskale”, u shpreh Ministrja.

Pas fjalimeve përshëndetëse, mbledhja vijoi me diskutime në nivel teknik ku Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, zj. Delina Ibrahimaj, solli detaje mbi projektligjin “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, si dhe disa nisma të tjera të ndërmarra nga administrata tatimore në lidhje me rritjen e efikasitetit të proceduarave fiskale dhe bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërsektorial në këtë drejtim.

Mbledhja e pestë e KKSP-së vijoi me prezantimin e një sërë studimesh dhe nismash të ndërmarra nga institucionet pjesëmarrëse, ku mund të përmendim: analizimin e pagesave qeveritare dhe nevojave për ndërhyrje në kuadër të automatizimit dhe dixhitalizimit të kryer nga ana e Bankës Botërore; nevojën për ndërhyrje nga ana e Bankës së Shqipërisë për identifikimin e klientëve në distancë dhe praktikat më të mira në këtë fushë; studimin mbi ekonominë informale dhe mundësitë për ndërhyrje, me qëllim reduktimin e tij nëpërmjet promovimit të përdorimit të instrumenteve elektronike të pagesave, studim ky i Ernst&Young, i mbështetur nga kompania ndërkombëtare MasterCard.

Në këtë kuadër, u diskutuan edhe gjetjet e studimit të ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë, me mbështetjen e Bankës Botërore, mbi kostot e pranimit të kartave si mjet pagese nga ana e tregtarëve.

Gjithashtu, gjatë mbledhjes iu kushtua vëmendje e veçantë edhe zhvillimeve më të fundit të AKSHI-së, si një institucion kyç në dixhitalizimin e shërbimeve qeveritare, por edhe nga pikëpamja e shërbimeve që ofron ky institucion për zbatimin e firmës elektronike.

Një tjetër çështje me interes që mori vëmendje gjatë kësaj mbledhjeje ishte dhe nevoja e hartimit të një Strategjie Kombëtare për Edukimin Financiar. Krijimi i një platforme kombëtare veprimi në këtë drejtim u theksua nga të gjithë pjesëmarrësit. Gjithashtu, u nënvizua nevoja e bashkërendimit të veprimeve të të gjithë aktorëve.

Në përfundim të mbledhjes, duke u bazuar në diskutimet e mbledhjes, Kryetarja e Komitetit rekomandoi krijimin e disa grupeve të punës, me qëllim marrjen e masave konkrete mbi çështjet e ngritur në mbledhje, në lidhje me edukimin financiar, pagesat e qeverisë, si dhe pagesat me karta në tregun shqiptar.

Në mbështetje të objektivit strategjik të këtij komitetit për modernizimin e pagesave me vlerë të vogël, mbledhja e V-të përfundoi me një seksion të posaçëm, ku aktorë të ndryshëm të tregut prezantuan disa nga nismat më të fundit në tregun e pagesave.