BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Banka e Shqipërisë ul normën bazë të interesit

Data e publikimit: 30.10.2003

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e tij të fundit, pasi mori në shqyrtim ecurinë dhe parashikimet e inflacionit, faktorët që priten të ndikojnë në inflacion dhe ecurinë e kushteve monetare në ekonomi, vendosi uljen e normës bazë të interesit me 0.5 pikë përqindjeje.

Pas kësaj uljeje, norma e interesit e aplikuar për marrëveshjet e riblerjes dhe për marrëveshjet e anasjellta të riblerjes do të jetë 7 për qind.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në vendimin për uljen e normave të interesit, mbajti parasysh disa faktorë. Inflacioni, objektivi tjetër final i programit të zhvillimit të vendit, duket se është në rrugën e duhur. Më konkretisht, inflacioni vjetor në fund të muajit shtator 2003, rezultoi brenda intervalit objektiv 2 - 4 për qind, të shpallur prej Bankës së Shqipërisë. Faktorët që kanë ndikuar në sjelljen e inflacionit të këtij viti janë ata tradicionalë, ndoshta me të vetmin ndryshim që numri i shtuar i turistëve dhe rritja e eksporteve kanë ndikuar diçka më shumë në shtimin e presioneve mbi çmimet e mallrave ushqimorë. Ndërkohë tregues të tjerë si ata monetarë, kursi i këmbimit, deficiti buxhetor etj., kanë ndikuar në amortizimin e presioneve të shkaktuara nga rritja e kërkesës së jashtme. Megjithatë edhe gjatë kësaj periudhe ekonomia shqiptare, si një ekonomi në proces transformimi vazhdoi të prodhojë goditje nga ana e ofertës ku më e dukshme mbetet rritja e çmimeve të administruara të energjisë elektrike si dhe rritja e akcizave dhe e taksave në muajin qershor. Bazuar në modelet parashikuese të Bankës së Shqipërisë si dhe duke shpresuar në hapat që do të ndërmarrë Banka e Shqipërisë, në drejtim të sensibilizimit të opinionit për të minimizuar spekulimet me çmimet në fund të vitit, ekziston besimi se është i mundshëm realizimi i këtij objektivi.

Ulja e fundit e normës bazë të interesit me 0,5 për qind, që u aplikua në muajin korrik të këtij viti, nuk është pasuar me lëvizje të saj. Ndërkohë, Banka e Shqipërisë po ndjek me vëmendje lëvizjet e përqindjeve të interesit në tregun financiar dhe në përputhje me zhvillimet në tregjet valutore, dhe me zhvillimet e pritshme në treguesit monetarë, në inflacion, në prodhim etj., është e mendimit se ekziston hapësira për një ulje të mëtejshme të përqindjes bazë të interesit 0.5 për qind, nga niveli aktual 7.5 për qind në 7 për qind.

Në përputhje me zhvillimet e fundvitit 2002 dhe të nëntë muajve të parë të vitit 2003, zhvillimet monetare janë karakterizuar nga një kthim i shpejtë i parasë në sistem. Ndërmjet specialistëve ekziston besimi se tashmë efekti i hemoragjisë së pranverës së vitit 2002 është tejkaluar, dhe se zhvillimet e fundit në zgjerimin e sistemit bankar e në përmirësimin e nivelit të shërbimeve të ofruara përbëjnë premisa për të pasur një situatë më të përshtatshme të likuiditetit në sistem.

Banka e Shqipërisë është e bindur se me anë të këtij veprimi do të ulë më tej koston e bankave në përgjithësi dhe çmimin e parasë në ekonomi, duke stimuluar akoma më shumë kreditimin e biznesit me një kosto më të ulët.