BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Banka e Shqipërisë ul normën bazë të interesit

Data e publikimit: 09.07.2003

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e sotme, pasi mori në shqyrtim ecurinë dhe parashikimet e inflacionit, faktorët që priten të ndikojnë në inflacion dhe ecurinë e kushteve monetare në ekonomi, vendosi uljen e normës bazë (interesi i marrëveshjeve të anasjellta të riblerjes - repo) me 0.5 pikë përqindjeje. Pas kësaj uljeje, norma e interesit e aplikuar për marrëveshjet e riblerjes dhe për marrëveshjet e anasjellta të riblerjes do të jetë 7.5 për qind.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në vendimin për uljen e normave të interesit, mbajti parasysh disa faktorë:

  • niveli i inflacionit në fund të vitit parashikohet të jetë brenda objektivit 2-4 për qind;

  • rritja e inflacionit gjatë muajve shkurt-qershor ka qenë kryesisht nën ndikimin e faktorëve që kanë ndikuar nga ana e ofertës;

  • pritjet inflacioniste në ekonomi janë stabilizuar në nivele të pranueshme. Në përgjigje të kësaj, gjatë muajve të fundit, është vërejtur edhe një ulje e normave të interesit nga bankat e nivelit të dytë;

  • kushtet monetare në ekonomi janë përmirësuar:
  • norma reale e interesit, megjithëse i është afruar nivelit të saj të ekuilibrit, mbetet e lartë krahasuar me nivelet historike të saj;
  • paraja jashtë bankave është në rënie të vazhdueshme dhe raporti i saj ndaj ofertës monetare është afër niveleve më të ulëta të tre viteve të fundit;
  • leku ka shfaqur tendenca mbiçmuese gjatë muajve të fundit.

Rritja e normave të interesit gjatë vitit 2002 dha ndikimin e vet pozitiv në kthimin e parasë në sistem dhe kontrollin e presioneve inflacioniste. Reduktimi i tyre gjatë vitit 2003 do t'i afrojë më shumë normat e interesit me nivelet historike, pa prishur ekuilibrin e treguesve monetarë, të rivendosur gjatë vitit 2003. Nga ana tjetër, ulja e normave të interesit do të krijojë më shumë hapësirë për kreditimin e ekonomisë, në mbështetje të rritjes ekonomike.

Këshilli Mbikëqyrës, mbajti gjithashtu parasysh problemet që ekzistojnë për ecurinë e inflacionit dhe respektimin e objektivit të tij në fund të vitit. Faktorë të tillë si: përqendrimi i shpenzimeve buxhetore në gjashtëmujorin e dytë të vitit; elementet spekulative që shoqërojnë fushatat e zgjedhjeve dhe festat e fundvitit; shqetësimet lidhur me gjendjen energjitike, etj., parashikohet të veprojnë më së shumti nga ana e ofertës. Megjithatë, Banka e Shqipërisë do të monitorojë në vazhdimësi intensitetin e veprimit të tyre për të vlerësuar përshtatshmërinë e politikës monetare dhe qëndrimin e ardhshëm të saj.