BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË PËR SHTYP
Mbi vendimin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për uljen e normës bazë të interesit me 0.25 për qind

Data e publikimit: 24.06.2004

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në mbledhjen e datës 23 qershor 2004, vendosi të ulë në mënyrë të moderuar me 0.25 pikë përqindjeje normën bazë të nteresit. Në këtë mënyrë Norma e Marrëveshjeve të Riblerjes(Repo) një javore nga 6 për qind zbret në nivelin 5.75 për qind, duke arritur nivelin më të ulët historik.

Marrja e këtij vendimi kryesisht mbështetet në: ecurinë e inflacionit gjatë muajve të fundit kur norma vjetore në muajin maj shënoi 2.6 për qind ; në të dhënat më të fundit të Ministrisë së Bujqësisë për muajin qershor ku vihet re një rënie e theksuar në çmimet e produkteve ushqimore në përgjithësi, dhe në ato të produkteve bujqësore me në veçanti; dhe në parashikimet e Bankës së Shqipërisë për inflacionin në fund të vitit, i cili pritet të jetë brenda intervalit objektiv 2-4 përqind.

Analiza e kushteve monetare tregon se normat reale të interesit kanë qenë në terma pozitivë si pasojë e inflacionit të ulët. Kjo ka ndikuar në tërheqjen e cash-it në sistem, duke sjellë ulje të vazhdueshme të parasë jashtë bankave gjatë periudhës 2003-2004. Raporti i parasë jashtë bankave ndaj agregatit monetar M3, mbetet në nivelet minimale historike duke bërë që norma vjetore e ndryshimit të bazës monetare dhe të agregatit monetar M1 të jenë në terma negativë dhe mjaft poshtë trendeve të tyre.

Sipas indikacioneve të para, viti 2004 ka qenë i favorshëm për prodhimin bujqësor veçanërisht për prodhimet e serave, të cilat kanë rritur ofertën duke sjellë rënien e shpejtë të çmimeve të këtyre produkteve në treg. Nga ana tjetër hyrja e prodhimit vendas duket se ka ndikuar edhe në pakësimin e importeve për këta mallra, duke bërë që kërkesa për monedhë të huaj të ulet. Ndërkohë, fillimi i efekteve sezonale ashtu siç ka qenë traditë edhe në vitet e kaluara ka shtuar më tepër ofertën e monedhës së huaj në tregun e brendshëm.

Këto zhvillime, në kushtet e ekzistencës së një diference ende të konsiderueshme midis normave të interesit në lekë me ato në valutë, bëjnë që presionet mbi lekun të jenë të forta në drejtim të mbiçmimit të tij, fakt ky që është pasqyruar në ecurinë e kursit të këmbimit me lekun të euros dhe dollarit amerikan këto ditët e fundit. Ashtu siç është bërë e ditur edhe më parë mendohet që ky forcim i lekut mund të dekurajojë eksportuesit shqiptarë veçanërisht prodhuesit bujqësorë.

Megjithë ecurinë optimiste të kredisë për ekonominë duket se dalja e parasë nga sistemi është ende e tkurur dhe kjo para së gjithash reflekton një politikë fiskale të moderuar. Duhet theksuar se të ardhurat e siguruara nga privatizimi i Bankës së Kursimeve i kanë krijuar efekte pozitive buxhetit, ndërkohë që do të ndiqet me kujdes ecuria e shpenzimeve në 6-mujorin e dytë të vitit.

Në përfundim, duhet theksuar se testimi i një diference më të ulët të normave të interesit midis lekut dhe valutës, do të shërbejë për të amortizuar efektet negative mbi inflacion që mund të sjellë nënçmimi të mundshëm i lekut, si pasojë e fillimit të pritshëm të një cikli të rritjes së normave të interesit nga autoritetet monetare të SHBA-së dhe Europës.

Por, Banka e Shqipërisë do të ndjekë me vëmendje zhvillimet e treguesve kryesorë të ekonomisë, duke mbajtur të hapura për të ardhmen të gjitha pozicionet e mundshme me objektivin kryesor ruajtjen e stabilitetit të çmimeve.