BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi zhvillimin e mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë të datës 24 dhjetor 2008

Data e publikimit: 24.12.2008

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e tij të datës 24 dhjetor 2008, mori në analizë zhvillimet më të fundit në inflacion, në aktivitetin ekonomik të vendit dhe në tregun financiar. Pasi u njoh me ecurinë e treguesve më të fundit në këtë drejtim, si dhe duke vlerësuar ecurinë e parashikuar të tyre në periudhën afatmesme, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar, në nivelin 6.25 për qind, normën e interesit të marrëveshjeve të riblerjes dhe të anasjellta të riblerjes me afat maturimi një javor. Ky vendim mbështetet në parashikimet për presione të kontrolluara inflacioniste në periudhën e ardhme, në kushtet e qëndrueshmërisë së balancave makroekonomike si dhe të pritjeve për inflacionin të ankoruara pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë.

Norma vjetore e inflacionit gjatë muajit nëntor shënoi vlerën 2.6 për qind, duke qenë afër objektivit të synuar nga Banka e Shqipërisë. Ruajtja e normës së inflacionit rreth nivelit të synuar prej 3 për qind është rezultat i përshtatshmërisë së kushteve monetare, të krijuara nga politika monetare e Bankës së Shqipërisë dhe masat rregullatore të marra prej saj, i ambientit të përshtatshëm makroekonomik, të karakterizuar nga kontrolli i balancave fiskale dhe asaj të sektorit të jashtëm të ekonomisë, si dhe nga ankorimi i pritjeve inflacioniste në ekonominë vendase.

Inflacioni i çmimeve të konsumit ka qenë në rënie gjatë tre muajve të fundit, kryesisht si pasojë e uljes së çmimeve të lëndëve të para dhe të konsumit në tregjet botërore. Kontribuesi kryesor në normën vjetore të inflacionit ishin kategoritë “ushqime të përpunuara”, “shërbime” dhe “çmime të administruara”. Gjatë muajit nëntor u regjistruan nivele të ulëta të inflacionit bazë, duke u luhatur rreth një mesatareje prej 2.4 për qind. Rënia e normave të inflacionit bazë dhe të inflacionit të produkteve të patregtueshme, si edhe qetësimi i efekteve të goditjeve të ofertës sugjerojnë se presionet inflacioniste janë zhvendosur në kahun rënës.

Të dhënat për ecurinë e ekonomisë, ndonëse të kufizuara, sugjerojnë rritje të aktivitetit në tremujorin e tretë. Ndërkohë, rezultate të vrojtimit të tendencës ekonomike dhe të besimit të bizneseve tregojnë për pritje pozitive edhe në tremujorin e fundit të vitit. Rritja e deficitit tregtar dhe ngushtimi i bilancit pozitiv të llogarisë së të ardhurave dhe të transfertave korente ka kontribuar në thellimin e deficitit korent gjatë kësaj periudhe në rreth 13.7 për qind të PBB-së. Fluksi neto në llogarinë kapitale dhe financiare gjatë tremujorit të tretë vlerësohet të ketë arritur në rreth 10.4 për qind të PBB-së. Treguesit fiskalë kanë ruajtur në linja të përgjithshme ecurinë e parashikuar në Buxhetin e rishikuar.

Gjatë muajit tetor treguesit monetarë shfaqën një ngadalësim të rritjes së stokut monetar në terma vjetorë. Ritmi vjetor i rritjes së agregatit M3 pësoi një rënie në 12.5 për qind ndërkohë që depozitat në total u rritën me 11.9 për qind në terma vjetorë. Sektori bankar ka vazhduar të mbështesë ekonominë me kredi gjatë muajit tetor, por duke shënuar një ngadalësim të ritmit të rritjes. Kredidhënia nga sistemi bankar vazhdon të mbështesë më së tepërmi bizneset, të cilët kontribuojnë me 66 për qind të zgjerimit të stokut.

Normat e interesit në tregun ndërbankar janë luhatur në varësi të luhatjeve dhe të situatës së likuiditetit në sistemin bankar. Operacionet monetare të bankës së Shqipërisë janë orientuar drejt plotësimit të nevojave të tregut për likuiditet, duke ndikuar në të njëjtën kohë në stabilizimin e normave të interesit të tregut ndërbankar. Interesat për depozitat në lekë dhe në euro, ndonëse janë ulur pas përfundimit të ofertave verore, qëndrojnë në nivele relativisht më të larta sesa një vit më parë. Njëkohësisht, normat mesatare për kredinë në lekë dhe atë në valutë kanë pësuar rritje në muajin tetor.

* * *

Zhvillimet aktuale në ekonominë e vendit, ecuria e treguesve monetarë dhe parashikimet e Bankës së Shqipërisë për inflacionin për periudhën e ardhshme sugjerojnë se kushtet monetare aktuale janë konsistente me ruajtjen e stabilitetit të çmimeve në një periudhë afatmesme. Megjithatë, në raport me analizat tona paraardhëse, Banka e Shqipërisë konstaton një zhvendosje graduale të faktorëve të rrezikut në kahun rënës. Në muajt në vijim, Banka e Shqipërisë do të analizojë me vëmendje informacionet e reja mbi ecurinë e ekonomisë, duke vlerësuar ndikimin e tyre mbi projeksionet për inflacionin dhe për treguesit e tjerë makreokonomikë, dhe duke përshtatur në vazhdimësi politikën e saj monetare. Ajo mbetet e gatshme të marrë masat e duhura për të ruajtur stabilitetin e çmimeve në nivelet e synuara prej 3 për qind në një periudhë afatmesme, me bindjen se ruajtja e besueshmërisë së publikut në monedhën vendase dhe në institucionet financiare është një kontribut esencial në ruajtjen e ritmeve të qëndrueshme ekonomike në periudhën afatmesme dhe afatgjatë.

Në këtë mbledhje Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori dhe disa vendime të tjera, si:

  • Miratoi rregulloren “Për kushtet minimale teknike dhe të sigurisë të mjediseve në të cilat kryhen veprimtaritë bankare dhe financiare”.

    Kjo rregullore u hartua në mbështetje dhe zbatim të ligjit nr. 9662, datë 18.12.2006 “Për bankat në Republikën e Shqipërisë” dhe zëvendëson udhëzimin “Për kushtet minimale teknike dhe të sigurisë të mjediseve të punës të subjekteve që licencohen nga Banka e Shqipërisë”. 

    Rregullorja në fjalë, percakton në mënyrë të hollësishme kushtet teknike dhe të sigurisë në zonën e sportelit dhe për administrimin e vlerave monetare, kërkesat për mbrojtjen me personel të ambienteve dhe kërkesat për transportin dhe shoqërimin e vlerave monetare fizike, bazuar në ligjin “Për shërbimin e ruajtjes dhe të sigurisë fizike”, si dhe përcakton disa kërkesa të reja shtesë për kushtet teknike dhe të sigurisë për Zyrat e Këmbimit Valutor dhe Subjektet Financiare Jobanka.

  • Miratoi kërkesën e Bankës Credins sh.a. për te shtuar në listën e veprimtarive të licencuara më parë edhe veprimtarinë shtesë të faktoringut dhe të financimit të transaksioneve tregtare, veprimtari për të cilën Banka Credins sh.a. vlerësohet se ka kushte administrative dhe teknike të nevojshme.
     
  • Miratoi kërkesën e Veneto Banca Holding S.c.p.A., Itali për blerjen e aksioneve të kapitalit aksioner të Bankës Italiane të Zhvillimit sh.a. nga aksionerët Francesco Mariano Mariano dhe Banca Popolare Pugliese S.c.p.A., si dhe nënshkrimin e aksioneve të reja të emetuara të bankës që në total përbëjnë 76.83 përqind të aksioneve të kapitalit aksioner të bankës.
    Pas miratimit të këtij ndryshimi pjesëmarrjet në kapitalin e Bankës Italiane të Zhvillimit sh.a. paraqiten:
     - Veneto Banca Holding S.c.p.A.  perfaqeson 76.83 % te aksioneve dhe Francesco Mariano Mariano 23.17 %.
     
  • Miratoi kërkesën për ndryshimin e pjesëmarrjes influencuese të aksionerit të Bankës Credins sh.a., z. Aleksandër Pilo.
    Pas këtij miratimi pjesëmarrja e z. Aleksandër Pilo rritet nga 15.1525 përqind në 23.64 përqind të aksioneve të kapitalit aksioner të Bankës Credins sh.a.
     
  • Gjithashtu, në këtë mbledhje Këshilli Mbikëqyrës miratoi “Dokumentin e Politikës Monetare për periudhën 2009 - 2011”, “Metodologjinë e raportimit dhe përmbajten e raporteve financiare nga bankat e nivelit të dytë”,  Programin Monetar dhe Buxhetin e Bankës së Shqipërisë për vitin 2009, si dhe disa vendime të tjera, që kanë të bëjnë me aktivitetin e Bankës së Shqipërisë.