BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi zhvillimin e mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë të datës 25 mars 2009

Data e publikimit: 25.03.2009

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e tij të datës 25 mars 2009, mori në shqyrtim dhe analizoi ecurinë e treguesve ekonomikë dhe monetarë, sipas të dhënave më të fundit të disponueshme. Në përfundim të analizës së gjendjes ekonomike e financiare të vendit, si dhe të përshtatshmërisë së kushteve monetare për respektimin e objektivit të inflacionit të Bankës së Shqipërisë gjatë periudhës së ardhme, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi: “ të mbajë të pandryshuar, në nivelin 5.75 për qind, normën bazë të interesit të marrëveshjeve të riblerjes dhe të anasjellta të riblerjes me afat maturimi një javor”.

Treguesit e aktivitetit ekonomik botëror vijuan të shënojnë shenja përkeqësimi përgjatë muajit shkurt dhe dy javëve të para të muajit mars. Ngadalësimi i ekonomive të vendeve të zhvilluara pritet të shoqërohet me tkurrjen e aktivitetit ekonomik në rang botëror. Ndikimi i nismave monetare dhe fiskale për nxitjen e aktivitetit ekonomik ka qenë poshtë niveleve të pritura. Tregjet financiare globale karakterizohen ende nga një eficiencë e ulët ndërmjetësimi, si pasojë e përkeqësimit të treguesve të bilancit të institucioneve financiare. Gjithashtu, tregtia ndërkombëtare ka shënuar rënie të dukshme gjatë muajve të fundit. Një zhvillim i spikatur i muajve të parë të vitit 2009 ka qenë ndërgjegjësimi për ndikimin e madh dhe në rritje të ekonomive të vendeve në zhvillim nga kriza ekonomike dhe financiare botërore. Në veçanti, vendet në zhvillim të Evropës Lindore dhe Juglindore po vuajnë ngadalësimin e eksporteve dhe të remitancave, si dhe kushtet më të vështira të financimit të ekonomive të tyre. Ndërkohë, rënia e kërkesës botërore ka ndikuar në rënien e çmimeve të lëndëve të para dhe në presione të ulta inflacioniste në rang botëror.

Të dhënat e ekonomisë shqiptare vijojnë të ruajnë tendenca krahasimisht pozitive në kontekstin e zhvillimeve ndërkombëtare. Sistemi financiar shqiptar paraqitet i shëndetshëm ndërsa treguesit kryesorë të ekuilibrave makroekonomikë mbeten nën kontroll. Megjithatë, të dhënat ekonomike po tregojnë gjithnjë e më tepër për rritjen e ndikimit të krizës botërore në ekonominë shqiptare.

Në muajin shkurt 2009, inflacioni vjetor rezultoi në nivelin 1.9 për qind, duke qenë mjaft afër kufirit të poshtëm të tolerancës së Bankës së Shqipërisë prej 2 për qind. Inflacioni vjetor ka vijuar tendencën rënëse të vërejtur që nga vera e vitit të kaluar, kryesisht si pasojë e rënies së inflacionit të grupit të ushqimeve dhe prirjes rënëse të çmimeve të mallrave kryesorë në tregjet ndërkombëtare. Goditjet e ofertës të pranishme gjatë pjesës më të madhe të vitit 2008 janë shuar, pa lënë efekte të dukshme të raundit të dytë në ekonominë shqiptare. Në këndvështrimin e presioneve inflacioniste, ambienti i përgjithshëm makroekonomik ka qenë i favorshëm për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, si pasojë e politikave përgjithësisht të kujdesshme monetare dhe fiskale. Gjithashtu, pritjet inflacioniste kanë qenë dhe mbeten të stabilizuara.

Në aspektin e balancave të jashtme makroekonomike, viti 2008 dëshmoi një thellim të dukshëm të deficitit të llogarisë korrente, si pasojë e rritjes së shpejtë të importeve dhe e rënies së remitancave gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit. Deficiti i llogarisë korente arriti rreth nivelit 14.9 për qind të PBB-së, krahasuar me nivelin 11 për qind të shënuar në vitin 2007. Të dhënat për tregtinë me jashtë në muajin janar 2009 tregojnë për një korrektim të kësaj tendence, duke shënuar ulje të importeve dhe përmirësim të deficitit tregtar. Banka e Shqipërisë e mirëpret një zhvillim të tillë dhe konsideron se rikthimi i deficitit të llogarisë korente në terma më të qëndrueshme është një parakusht për një rritje ekonomike afatgjatë. Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të monitorojë ecurinë e këtij treguesi dhe të faktorizojë nevojën për qëndrueshmëri të deficitit të llogarisë korente në formulimin e strategjisë afatgjatë të politikës monetare.

Sektori fiskal e mbylli vitin 2008 me një deficit buxhetor në nivelin 5.7 për qind të PBB-së, duke shënuar një rritje të dukshme krahasuar me vitin 2007. Stimuli i lartë fiskal për vitin 2008 shkoi kryesisht për financimin e shpenzimeve kapitale, por ai ndikoi edhe në rritjen e importeve dhe të deficitit tregtar të vendit. Deficiti fiskal i vitit 2008 u reflektua në rritjen e borxhit publik në nivelin 55.6 për qind të PBB-së, duke kufizuar hapësirën për stimuj të tjerë fiskalë në të ardhmen. Ndërkohë, ecuria e treguesve fiskalë gjatë vitit 2009 ka ecur përgjithësisht sipas niveleve të planifikuara. Rritja e njëkohshme e shpenzimeve dhe e të ardhurave publike është shoqëruar më zgjerimin e deficitit buxhetor për këtë periudhë. Banka e Shqipërisë gjykon se ruajtja e deficitit buxhetor brenda niveleve të programuara gjatë gjithë harkun kohor të vitit 2009 do të përbënte një kontribut optimal të politikës fiskale në situatën aktuale. Ky kontribut do të materializohej në kontrollin e normave të interesit të letrave me vlerë të qeverisë dhe të kostos së shërbimit të borxhit publik, si dhe do të krijonte më shumë hapësirë për kreditimin e sektorit privat të ekonomisë.

Oferta monetare ka shënuar një ngadalësim të mëtejshëm të ritmit të rritjes së saj vjetore, përgjatë muajit janar. Ky ngadalësim ka reflektuar rritjen më të ngadaltë të kredisë për ekonominë dhe ritmet më të ulta të rritjes vjetore të depozitave. Agregati M2 ka ruajtur të pandryshuar ritmet e rritjes në 9.6%, i ndikuar kryesisht nga rritja e parasë jashtë bankave e cila ka balancuar edhe reduktimin e depozitave në lek. Gjatë muajit janar reduktimi i depozitave në valutë ka qenë më i moderuar se në muajin dhjetor.

Duke e pastruar nga efektet e lëvizjes së kursit të këmbimit, rritja vjetore e portofolit të kredisë ka shënuar një ngadalësim të mëtejshëm në muajin janar, duke arritur vlerën 32 për qind. Ky ngadalësim reflekton shtrëngimin e kushteve të kreditimit nga bankat dhe riorientimin e aktivitetit të tyre kreditues drejt kredisë në lekë. Në terma vjetorë, kredia në lekë u rrit me 34 për qind, kurse ajo në valutë me 30 për qind. Gjithashtu, sjellja e bankave gjatë muajve të fundit ka dëshmuar për një rritje të interesimit të tyre për kreditimin e biznesit, ndërkohë që interesi i bankave për kreditimin e individëve apo huave hipotekare paraqitet në rënie. Portofoli i kredisë për biznese, në terma vjetorë, është rritur me të njëjtin ritëm si edhe një muaj më parë (35 për qind), ndërkohë që portofoli i kredisë për individë ka pasqyruar frenim të mëtejshëm të normës së rritjes në 26.1 për qind.

Normat e interesit të depozitave në lekë në kanë shënuar rritje gjatë muajit janar, kryesisht si pasojë e ofertave promocionale për depozitat afatshkurtra të bankave tregtare. Ndërkohë që të dhënat paraprake të muajit shkurt dhe mars flasin për mbarimin e këtyre ofertave dhe një reduktim të lehtë të normës së interesit të depozitave. Zhvillimet në tregun financiar gjatë muajit shkurt tregojnë për një reagim të kënaqshëm të tregut bankar, në përgjigje të vendimit të politikës monetare në muajin janar për lehtësimin e kushteve monetare.

Në mbyllje të kësaj analize, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar nivelin e normës bazë të interesit. Ky qëndrim mbështetet nga situata aktuale ekonomike që po kalon vendi dhe nga parashikimet për ecurinë e inflacionit në të ardhmen. Gjithashtu, ai shpreh vullnetin e institucionit për ruajtjen e ekuilibrave makroekonomikë, si një objektiv prioritar për përballimin me sukses të ndikimit të krizës ekonomike dhe financiare botërore. Banka e Shqipërisë shpreh bindjen se niveli aktual i normës bazë të interesit përcjell në ekonomi stimujt e duhur monetarë për zhvillimin dhe rritjen ekonomike të vendit brenda parametrave të stabilitetit makroekonomik. Banka e Shqipërisë fton agjentët ekonomikë dhe aktorët e tjerë institucionalë të adoptojnë një qëndrim të ngjashëm dhe të marrin masat e duhura për përmbushjen e tij. Në aspektin mbikëqyrës dhe operacional, Banka e Shqipërisë mbetet e vendosur për të marrë të gjitha masat e lejuara nga hapësira e saj ligjore dhe nga nevoja për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, për të mbështetur ekonominë me likuiditet dhe për të garantuar shëndetin e sistemit financiar.

Në këtë mbledhje, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi dhe Deklaratën e Bankës së Shqipërisë “Mbi stabilitetin e sistemit financiar në Shqipëri për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2008”, si dhe “Raportin Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2008”.