BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi zhvillimin e mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë të datës 25 qershor 2008

Data e publikimit: 25.06.2008

 

1. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e tij të datës 25 qershor 2008, pasi mori në analizë zhvillimet më të fundit në inflacion, në tregun financiar dhe në aktivitetin ekonomik të vendit, vendosi :

"Të mbajë të pandryshuar, në nivelin 6,25 për qind, normën e interesit të marrëveshjeve të riblerjes dhe të anasjellta të riblerjes ".

Mbi zhvillimet më të fundit ekonomike dhe monetare:

• Aktiviteti ekonomik botëror, vazhdoi të paraqitej i ngadaltë edhe gjatë muajit prill të vitit 2008. Rritja e ekonomisë botërore për vitin pritet të arrijë në 3.7%, rreth 1.2% më pak se në vitin 2007. Kontributin kryesor pritet ta japin ekonomitë e vendeve në zhvillim, ndërsa ngadalësimi i ekonomive të vendeve të zhvilluara, pritet të ulë normën e rritjes botërore.

• Çmimi i naftës në tregun ndërkombëtar vijoi të rritej gjatë muajit maj, duke shënuar një rritje prej 97.5% në terma vjetorë. Ndërprerja e aktivitetit në disa rafineri kryesore të përpunimit dhe nxjerrjes së naftës në botë, si dhe trazirat e brendshme politiko-ekonomike në disa nga vendet prodhuese të naftës, kanë ndikuar në tkurrjen e ofertës botërore. Çmimet e ushqimeve në tregjet botërore, vazhdojnë të mbeten të larta, duke ushtruar ndikimin e tyre në tregun vendas.

• Në një vështrim të përgjithshëm, gjendja e tregjeve kryesore financiare në botë vazhdon të ndikohet nga efektet e krizës financiare të SHBA-se e veçanërisht nga ecuria e treguesve makroekonomikë, si niveli i përgjithshëm i çmimeve dhe rritja e çmimit të naftës. Normat e interesit në tregun e parasë përcjellin pritjet në rritje për shtrëngim të politikës monetare në Eurozonë në muajt pasardhës. Euribor-i 3-, 6- e 12-mujor është rritur në periudhën mars-qershor.

• Inflacioni vjetor në vend në muajin maj rezultoi 4.2%, krahasuar me 4,4 për qind një muaj më parë. Prej një periudhe disa mujore, inflacioni në vend po ndikohet negativisht nga goditjet nga ana e ofertës. Njësoj si në muajt mars dhe prill 2008, inflacioni total vazhdon të pasqyrojë ndikimin e çmimeve të mallrave ushqimorë dhe efektin e çmimit të energjisë elektrike. Megjithatë, inflacioni mujor shënoi një vlerë prej -1.0%, që është vlera më e ulët e inflacionit mujor në dy vitet e fundit. Rënia sezonale e çmimeve të mallrave ushqimorë të papërpunuar ushtroi presion në rënie, në inflacionin e përgjithshëm në muajin maj.

• Treguesit buxhetorë dëshmojnë për një rritje përtej planifikimit të të ardhurave buxhetore, duke reflektuar kontributin e zërave tatimorë si TVSH, akcizave dhe tatimit mbi të ardhurat personale. Shpenzimet kanë ndjekur profilin e zakonshëm ciklik, duke krijuar një hendek prej 14% me planin 4-mujor. Kjo diferencë është shkaktuar kryesisht nga shpenzimet kapitale, të cilat kanë përmbushur vetëm 60 % të masës së programuar. Huamarrja e qeverisë deri në muajin prill përbëhet kryesisht nga huamarrja e brendshme.

• Gjatë muajit prill 2008, vlera e shkëmbimeve tregtare të Shqipërisë me pjesën tjetër të botës ishte rreth 368 milionë euro, duke shënuar një rritje mujore prej 8%. Deficiti tregtar si në terma mujorë ashtu dhe në terma vjetorë është zgjeruar më tej, megjithë ecurinë në rritje të eksporteve.

• Oferta monetare në muajin prill ka reflektuar kërkesën e lartë të sektorit privat për fonde nga njëra anë, ndërkohë që komponenti valutor është tkurrur nga ana tjetër. Në kushtet e balancës fiskale pozitive, kërkesa e qeverisë për fonde ka vijuar të japë një kontribut modest në rritjen e agregatit monetar M3.

• Në muajin prill, norma vjetore e rritjes së kredisë për sektorin privat qëndroi e pandryshuar me atë një muaj më parë, në 43%. Kredia për biznese ka ruajtur ritmet mesatare të rritjes të fillimvitit, prej 38%. Zgjerimi i portofolit të kredisë për biznese në muajin prill është mbështetur nga kërkesa për kredi, për mjete xhiroje dhe për financimin e blerjeve të pasurive të paluajtshme. Norma e rritjes së kredisë për individët është ndalur në nivelin 51%, ndërkohë që pjesa më e madhe e saj akordohet për blerjen e banesave.

• Në muajin maj, likuiditeti në sistemin bankar, ka rezultuar pothuajse në të njëjtat nivele me një muaj më parë. Banka e Shqipërisë ka vijuar të ndërhyjë në treg të hapur me ankande të marrëveshjeve të anasjella 7-ditore të riblerjes, për vlerën mesatare 2.7 miliardë lekë. Ky instrument, ka synuar plotësimin e nevojave për likuiditet dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë së normave afatshkurtra të interesit.

• Tregu financiar është karakterizuar nga vëllime të njëjta tregtimi me muajin e mëparshëm, ndërkohë që përqindjet e interesit në përgjithësi krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, janë rritur pothuajse për të gjitha llojet e maturimit dhe të monedhave. E gjithë kjo ecuri, ka pasqyruar zhvillimet në ekonominë e brendshme ashtu edhe ecurinë e normave të interesit në tregun financiar ndërkombëtar.

• Pritshmëritë e sistemit bankar në lidhje me zhvillimet inflacioniste në 12 muajt në vijim, janë të ankoruara më mirë rreth objektivit numerik të Bankës së Shqipërisë, duke regjistruar një lloj moderimi në raport me muajin paraardhës. Edhe parashikimet më të fundit në lidhje me ecurinë e inflacionit në terma afatshkurtër, dëshmojnë për një rikthim gradual të normës vjetore të inflacionit, poshtë nivelit të sipërm të zonës së tolerancës prej 4 për qind, duke filluar që nga muajt e fundit të vitit 2008.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë u ndal edhe në analizën e rreziqeve që potencialisht mund të devijojnë ecurinë e inflacionit nga parashikimet e bëra prej saj. Në dallim nga analizat e mëparshme, vëmendja e veçantë ju kushtua efekteve që mund të gjenerohen në një kohë të dytë, si rezultat i masave aktuale të mundshme kompensuese për efektet e rritura të çmimeve ushqimore. Për momentin, gjykohet se presionet inflacioniste të gjeneruara prej këtyre efekteve janë ende të një intesiteti të ulët.

Faktorët e tjerë të rrezikut mbeten të pandryshuar nga ata që janë bërë prezentë më herët nga Banka e Shqipërisë. Kryesisht ata janë të vendosur në krahun e ofertës, në formën e çmimeve të rritura të lëndëve të para ku veçohen, ushqimet dhe nafta. Megjithatë, edhe kërkesa mbart rreziqet e saj. Ato janë të lidhura me rritjen e shpejtë të kredisë për ekonominë, me ecurinë e pagave dhe të shpenzimeve si dhe me pritjet e agjentëve ekonomikë në përgjithësi.

Në përfundim, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, vlerësoi se megjithë zhvillimet e muajit të fundit, faktorët e rrezikut, ende mbartin potencial të lartë materializimi, fakt ky që e bën të domosdoshme vigjilencën e politikës monetare në lidhje me zhvillimet inflacioniste në ekonomi. Banka e Shqipërisë do te vazhdojë të monitorojë me shumë kujdes efektet negative të raundit të dytë në inflacion, për t'i vlerësuar drejt ato dhe për të ndërmarë veprimet e duhura për minizimin e tyre në ekonomi.

2. Në këtë mbledhje, Këshilli Mbikëqyrës miratoi dhe një shtesë në rregulloren "Mbi politikën e investimit për administrimin e rezervës valutore", si dhe shqyrtoi disa informacione që kanë të bëjnë me aktivitetin e brendshëm të Bankës së Shqipërisë.