BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi zhvillimin e mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë të datës 26 gusht 2009

Data e publikimit: 26.08.2009

 

Në mbledhjen e tij të datës 26 gusht, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim Raportin Mujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare në vend dhe në përfundim të diskutimeve mbi ecurinë e pritshme të tyre në të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 5.75 për qind. Kjo normë interesi është konsistente me ruajtjen e inflacionit afër nivelit objektiv të Bankës së Shqipërisë në një periudhë afatmesme.

Inflacioni vjetor në muajin korrik rezultoi 2.2 për qind ose 1.5 pikë përqindjeje më i ulët sesa një vit më parë. Në terma mesatarë vjetorë, norma e inflacionit ka vijuar rënien graduale duke reflektuar zbutjen e presioneve inflacioniste, si nga ana e kërkesës ashtu dhe nga ajo e ofertës. Këto zhvillime janë shkaktuar kryesisht nga rënia e çmimeve të lëndëve të para në tregun ndërkombëtar dhe nga ngadalësimi i aktivitetit ekonomik në vend. Në mungesë të goditjeve të mundshme, këto tendenca pritet të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

Megjithëse informacioni statistikor që mbulon zhvillimet e ekonomisë reale është i pakët, të dhënat e disponueshme dhe vrojtimet e kryera nga Banka e Shqipërisë në tremujorin e dytë dhe në muajin korrik, sugjerojnë një situatë lehtësisht më pozitive krahasuar me tremujorin e parë të vitit.

Treguesit e besimit të biznesit dhe të konsumatorit, konfidenca e tyre në sistemin bankar dhe gatishmëria e këtij të fundit për të kryer funksionin e ndërmjetësimit financiar kanë shënuar përmirësime të lehta gjatë tremujorit të dytë të vitit.

Treguesi i tendencës ekonomike regjistron një prirje të lehtë rritëse gjatë kësaj periudhe, pas rënies së theksuar në tremujorin e parë, ndërkohë që shfrytëzimi i kapaciteteve prodhuese në ekonomi rezulton i rritur. Megjithatë, duhet theksuar se pavarësisht këtyre zhvillimeve, treguesit e mësipërm mbeten në nivele të ulta historike dhe poshtë mesatares së tyre afatgjatë. Nga ana tjetër, treguesit e sistemit bankar mbeten të shëndetshëm, gjë që është reflektuar në rritjen e gatishmërisë së familjeve për të depozituar kursimet e tyre pranë këtij sistemi. Megjithëse sistemi bankar ka rritur në mënyrë të natyrshme kujdesin në procesin e kredidhënies, vrojtimet e fundit sinjalizojnë një predispozitë më të madhe të tij për të mbështetur me fonde ekonominë. Politika fiskale ka vijuar të ruajë karakterin e saj ekspansionist gjatë vitit 2009, duke u reflektuar në rritjen e nivelit të deficitit buxhetor dhe të konkurrencës së sektorit publik për mjete monetare. Kjo politikë ka ndikuar në mbështetjen e aktivitetit ekonomik gjatë kësaj periudhe, por ajo është reflektuar edhe në rritjen e normave të interesit të letrave me vlerë të qeverisë. Banka e Shqipërisë gjykon se ruajtja e stimulit fiskal në këto nivele është e papërballueshme në një periudhë afatmesme. Për këtë arsye, ne do të vlerësonim marrjen e masave për respektimin e nivelit të parashikuar të deficitit buxhetor për vitin 2009 dhe fokusimin e buxhetit të shtetit në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik për vitin 2010 e në vazhdim.

Marrja e këtyre masave, si dhe ndjekja e një politike monetare të kujdesshme do të reflektohen në përmirësimin e treguesve të bilancit të pagesave, të cilët vijojnë të karakterizohen nga nivele të larta të deficitit tregtar dhe korent. Përmirësimi i treguesve të bilancit të pagesave është një kusht i nevojshëm për ruajtjen e stabilitetit financiar të ekonomisë në një periudhë afatmesme.

Përsa i përket ecurisë së çmimeve, vlera e inflacionit vjetor për muajin korrik rezultoi 2.2 për qind, duke qenë 1.5 pikë përqindjeje më e ulët sesa e njëjta periudhë e një viti më parë. Inflacioni vjetor i këtij muaji është përcaktuar pothuajse plotësisht nga kontributi i kategorisë së mallrave ushqimorë të papërpunuar, ndërkohë që kontributet e kategorive të tjera “kanë neutralizuar” njëra –tjetrën. Parashikimet e specialistëve të Bankës së Shqipërisë për inflacionin, tregojnë se ai do të luhatet pranë këtij objektivi. Në prani të tkurrjes së kërkesës së brendshme dhe të jashtme, ecuria e inflacionit pritet të jetë e qëndrueshme dhe në nivele të ulëta. Presionet lehtësuese duket se janë balancuar nga efekti i kursit të këmbimit në çmimet e importuara, si dhe nga rritja e shpenzimeve fiskale në muajt e fundit.

Përsa i përket zhvillimeve monetare, shifrat e fundit për muajin qershor tregojnë se kërkesa për mjete monetare në ekonomi ka rezultuar e balancuar. Ritmet më të ulta të kredidhënies për sektorin privat janë balancuar nga një kërkesë më e lartë e agjentit fiskal për fonde. Rritja e ofertës monetare rezultoi rreth 6 për qind në muajin qershor, duke u bazuar në krijimin e parasë në ekonomi nga sektori publik dhe nga huamarrja e sektorit privat në lekë.

Ndërkohë që komponenti valutor i agregatit të gjerë M3 është ngadalësuar si në përgjigje të likuiditetit më të ulët në valutë të sistemit bankar ashtu edhe nga kreditimi më i ulët në valutë. Një faktor i rëndësishëm në zhvendosjen e kësaj strukture është roli dinamik i sektorit publik.

Pavarësisht zhvillimeve pozitive të muajve mars dhe prill, në muajin qershor vihet re një ngadalësim i ndjeshëm i rritjes së tepricës së kredisë. Në muajin qershor, norma vjetore e rritjes së portofolit të kredisë u ngadalësua në 14 për qind, ndërkohë që në krahasim me muajin maj kredia u zvogëlua me rreth 1 miliard lekë. Kjo ecuri pasqyron nivelet më të ulta të kredidhënies për sektorin privat të ekonomisë (kryesisht në euro), shlyerjet e larta të kredive si dhe natyrën afatshkurtër të kredisë së re. Shlyerjet më të larta të kredisë kanë ndikuar në përmirësimin e moderuar të cilësisë portofolit. Bankat vazhdojnë të aplikojnë politika të shtrënguara kreditimi, duke reflektuar shqetësimin e tyre për rritjen e raportit të kredive të këqija ndaj totalit por edhe duke shprehur pasigurinë e tyre për zhvillimet e aktivitetit ekonomik në të ardhmen. Këto politika së bashku me pasigurinë për zhvillimet e ardhshme, duket të kenë ndikuar edhe në tkurrjen e kërkesës për kredi.

Nevojat për likuiditet në sistemin bankar janë plotësuar nga operacionet në treg të hapur të Bankës së Shqipërisë. Kjo ka injektuar të gjithë likuiditetin e kërkuar nga bankat tregtare, duke ruajtur njëkohësisht një strukturë të përshtatshme kohore të këtij injektimi. Pavarësisht plotësimit të nevojave të likuiditetit, normat e interesit në tregun primar kanë vazhduar të jenë të larta, në praninë e kërkesës së qeverisë. Interesat për kreditë e reja në lekë janë ulur në muajin qershor duke vijuar prirjen rënëse të vërejtur që në muajin prill.
Rënie e normave të interesit regjistrohet edhe për kreditë e reja në euro gjatë këtij muaji. Megjithatë, është ende shpejt të flasim për një lehtësim të ndjeshëm të kostos së kredidhënies nga sistemi bankar.
Rreziqet ndaj stabilitetit të çmimeve mbeten të balancuara edhe për periudhën në vijim. Pritjet inflacioniste qëndrojnë të ankoruara pranë objektivit prej 3 për qind të Bankës së Shqipërisë në periudhën afatmesme. Vijueshmëria e prirjeve ekzistuese – ngadalësimi i ofertës monetare dhe i aktivitetit kreditues, vlerësimet për ngadalësimin e ritmeve të rritjes së aktivitetit ekonomik, normat e ulëta të rritjes së çmimeve të lëndëve të para në tregjet ndërkombëtare dhe të inflacionit në vendet partnere kryesore –mbështet frenimin e presioneve inflacioniste. Nga ana tjetër, pasiguria në lidhje me zhvillimet e ardhshme në kursin e këmbimit mbetet një rrezik i mundshëm për gjenerimin e presioneve inflacioniste.
Përkeqësimi i bilancit të pagesave, nënçmimi i kursit të këmbimit dhe vijueshmëria e politikave fiskale ekspansioniste do të përbënin rreziqe në kahun rritës të inflacionit. Ecuria e kursit të këmbimit do të varet nga ecuria e kërkesës dhe ofertës në treg, në përputhje me regjimin e lirë të kursit të këmbimit të ndjekur nga Banka e Shqipërisë. Megjithatë, politika jonë monetare mbetet e vendosur të faktorizojë luhatjet e mëdha të kursit të këmbimit në vendimmarrjen e saj, duke kërkuar njëkohësisht edhe mbështetjen dhe sjelljen racionale të të gjithë aktorëve të tjerë ekonomikë dhe makroekonomikë.
Banka e Shqipërisë gjykon se qartësimi i pozicionit të ardhshëm fiskal dhe i impaktit të tij mbi bilancin e pagesave do të krijonte hapësira për ndjekjen e një politike monetare më liberale.
Në përfundim, nënvizoj dhe një herë se Këshilli Mbikëqyrës gjykon që norma aktuale e interesit bazë është në përputhje me zhvillimet që tregojnë të dhënat dhe vlerësimet e deritanishme për gjendjen aktuale dhe të pritshme në vend, duke vendosur ta mbajë atë të pandryshuar në nivelin 5.75 për qind. Ky propozim reflekton më së shumti bilancin e rreziqeve të inflacionit.

Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar në realizimin e objektivit kryesor të saj, ruajtjen e stabilitetit të çmimeve në periudhën afatmesme. Ky objektiv i shërben në mënyrë të padiskutueshme mbështetjes së zhvillimit ekonomik dhe ruajtjes së stabilitetit financiar në vend. Për këtë arsye, ajo do të monitorojë dhe filtrojë çdo informacion të ri mbi zhvillimet e mëtejshme, duke marrë masat e përshtatshme për t’iu përgjigjur rreziqeve të stabilitetit të çmimeve.

Banka e Shqipërisë është e bindur se në një periudhë afatgjatë, ruajtja dhe forcimi i ekulibrave makroekonomikë do të përkthehet në uljen rrezikut të perceptuar të vendit. Kjo do të thotë, kosto më të ulta huamarjeje si për agjentët publikë ashtu dhe për ata privatë, nxitje për shtimin e investimeve të huaja direkte në ekonomi si dhe eficiencë më e madhe në përdorimin e fondeve financiare. Në një periudhë afatgjatë, këta faktorë do të ndikojnë në një rritje më të lartë ekonomike dhe përmirësimin e mirëqenies në vend.