BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi zhvillimin e mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë të datës 29 gusht 2008

Data e publikimit: 29.08.2008

 

1. Në mbledhjen e datës 29 gusht 2008, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë pasi vlerësoi zhvillimet e fundit në ekonominë vendase dhe të jashtme, vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 6.25 për qind.

Ekonomia botërore gjatë tremujorit të dytë të këtij viti ka vazhduar të shfaqë shenja të ngadalësimit të ritmeve të rritjes, kryesisht në vendet e industrializuara. Megjithatë, mbështetur në të dhënat paraprake të tremujorit të dytë vlerësohet se ShBA ka shënuar një përmirësim të lehtë të aktivitetit ekonomik. Ndër zhvillimet e tjera të spikatura është vlerësimi i monedhës amerikane, çmimi i së cilës pas një periudhe relativisht të gjatë ra nën nivelin 1.5 dollarë për një euro. Kohët e fundit vihet re një qetësim edhe në tregjet e lëndëve të para dhe energjitike. Çmimi i naftës ka qenë në rënie për pjesën më të madhe të kohës duke u luhatur ditët e fundit rreth nivelit 112 dollarë emrikanë për një fuçi. Gjatë këtij muaji, si Banka Qendrore Evropiane ashtu dhe Rezerva Federale, nuk ndërhynë në përqindjet e interesit duke kërkuar më shumë kohë në asimilimin dhe interpretimin e sinjaleve që vijnë nga tregjet financiare.

Inflacioni vjetor në vend në muajin korrik rezultoi 3.7 %, duke shënuar rënie për të katërtin muaj nga niveli më i lartë (4.6% në muajin mars) arritur gjatë 5 viteve të fundit. Në terma mujorë, inflacioni ra me 0.6% në muajin korrik. Efekti stinor, shkaktuar nga hyrja e prodhimit të brendshëm bujqësor, krijoi kushte për zbutjen e presioneve inflacioniste mbi nivelin e përgjithshëm të çmimeve në këtë periudhë të vitit.

Të ardhurat dhe shpenzimet buxhetore të realizuara deri në fund të muajit qershor 2008, rezultojnë përkatësisht në nivelin: 103 dhe 92 për qind të planit 6-mujor. Kontributin kryesor, në tejkalimin e vlerës së planifikuar për të ardhurat gjatë kësaj periudhe e kanë dhënë të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale, si edhe të ardhurat nga TVSH-ja. Shpenzimet kapitale, ndryshe nga vitet e mëparshme kanë regjistruar ritme të larta realizimi, ndërkohë që, deficiti buxhetor i krijuar në fund të gjashtëmujorit përfaqëson vetëm 13% të vlerës së planifikuar për këtë periudhë.

Gjatë periudhës janar-qershor 2008, shkëmbimet tregtare arritën në 2,12 miliardë euro, rreth 18% më të larta se e njëjta periudhë e vitit 2007. Aktiviteti i rritur tregtar është pasqyruar në një deficit tregtar të lartë, 1.19 miliardë euro, që do të thotë rreth 17% rritje në terma vjetorë.

Në fund të muajit qershor, oferta monetare ka shënuar një pikë kthimi duke u rritur me 14% në terma vjetorë. Krijimi i mjeteve monetare në këtë muaj ka pasqyruar kanalizimin më të shpejtë të kredisë për ekonominë dhe të prurjeve valutore në formën e depozitave.

Depozitat gjatë muajit qershor shënuan një rritje vjetore të konsiderueshme prej 18.8%. Kontributin kryesor në rritjen e depozitave në total e kanë dhënë depozitat në valutë, të cilat janë rritur me 4 % në terma mujorë.

Teprica e kredisë në muajin qershor është rritur me 45% në terma vjetorë, krahasuar me 43%; mesataren e muajve të fillimvitit. Në raport me M3, kredia për ekonominë vijoi prirjen rritëse duke arritur në 45% të saj. Kontributin kryesor në këtë zgjerim e ka dhënë rritja e ndjeshme e financimit të bizneseve në valutë. Përshpjetimi i ritmeve të kredisë nga muaji qershor e në vazhdim është i lidhur me prezantimin e shumë produkteve promocionale për thithjen e depozitave si edhe nga huatë e marra prej bankave mëma.

Tregu i parasë vazhdon të shfaqë karakteristikat e muajit të kaluar. Vazhdon të injektohet likuiditet, i cili më vonë në një pjesë të konsiderueshme, investohet në formën e depozitës njëditore. Shpërndarja e tepricës së likuiditetit ka vazhduar të jetë e përqendruar, ndonëse në shkallë më të ulët se një muaj më parë. Interesi mesatar i ponderuar për transaksionet njëditore është ulur me 0.33 pikë përqindjeje, në 5.66% dhe ai për transaksionet 7-ditore është ulur me 0.05 pikë përqindjeje, në 6.08%. Vëllimi mesatar i huadhënies njëditore është rritur në 1.8 miliardë lekë, nga 1.5 miliardë lekë në muajin qershor.

Prej disa muajsh, yield-et e letrave me vlerë në tregun primar nuk kanë pësuar luhatje. Krahasuar me një muaj më parë, yield-et e bonove të thesarit nuk kanë shfaqur ndryshime të ndjeshme, gjatë muajit korrik.

Të dhënat statistikore tregojnë se në muajin qershor, norma mesatare e ponderuar e depozitave në lekë ka qëndruar pothuajse në të njëjtin nivel me atë të muajit maj, 5.48 për qind ose 0.70 pikë përqindjeje më lart se një vit më parë. Interesat e depozitave në euro kanë pësuar një rritje të lehtë, mesatarisht prej 0.04 pikë përqindjeje, në 4.02 për qind.

Norma mesatare e ponderuar e interesit për kreditë në lekë ka vazhduar të ulet në muajin qershor në 12.32%, 0.61 pikë përqindjeje më pak se një muaj më parë. Norma e interesit për kreditë me afat 6 muaj deri në 1 vit është ulur mesatarisht 0.50 pikë përqindje. Ulje të normës kanë pësuar gjithashtu edhe kreditë me afat të gjatë (mbi 5 vjet).

Parashikimet më të fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë, se duke filluar që muaji gusht 2008, inflacioni vjetor do të vazhdojë të luhatet reth vlerave qendore të intervalit të tolerancës për gjatë gjithë 12 muajve në vijim. Pasi analizoi me kujdes balancën e rreziqeve në ekonomi, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë arriti në përfundimin se shkalla e materializimit të tyre vazhdon kurbën e vet rënëse. Megjithatë, ende ambienti i jashtëm mbart një potencial të caktuar rreziku, i cili vazhdimisht do të mbahet në qendër të shënjestrës së politikës monetare të Bankës së Shqipërisë.

Banka e Shqipërisë, do te vazhdojë të ndjekë nga afër, të gjitha zhvillimet ekonomiko financiare, brenda dhe jashtë vendit, me qëllimin e vetëm për të shmangur maksimalisht çfardolloj faktori rreziku, si ndaj stabilitetit makroekonomik të vendit ashtu edhe ndaj stabilitetit të sistemit bankar.

2. Në këtë mbledhje, Këshilli Mbikëqyrës miratoi rregulloret "Mbi transparencën për produktet dhe shërbimet bankare e financiare" dhe "Për kërkesat minimale të publikimit të informacionit nga bankat dhe degët e bankave të huaja".

Rregulloret janë harmonizim i kërkesave të reja të ligjit "Për bankat në Republikën e Shqipërisë" lidhur me transparencën e bankave në tërësinë e produkteve dhe shërbimeve, që ofrojnë për klientelën dhe publikun në tërësi dhe forcimin e disiplinës së tregut, lidhur me rritjen e kërkesave për publikimin e informacionit mbi gjendjen financiare dhe profilin e rrezikut të bankave dhe degëve të bankave të huaja etj..

Rregullorja "Mbi transparencën për produktet dhe shërbimet bankare e financiare" është hartuar në mbështetje dhe zbatim të kërkesave të ligjit "Për bankat në Republikën e Shqipërisë" dhe problematikës së shfaqur në bankat e sistemit, lidhur me transparencën e tyre në produktet dhe shërbimet bankare të ofruara për publikun në përgjithësi dhe klientelën në veçanti. Kjo rregullore zëvendëson udhëzimin "Mbi transparencën e operacioneve dhe shërbimeve bankare".

Niveli aktual i zhvillimit të sistemit bankar bën tashmë evident rritjen e kompleksitetit të produkteve dhe shërbimeve të ofruara nga bankat e sistemit dhe kërkon vëmendje nga autoriteti. Një mbikëqyrje efektive që synon mbrojtjen e depozituesit, forcimin e besimit të publikut tek sistemi duke nxitur disiplinën e tregut dhe transparencën e këtij të fundit, krijon premisa për mbrojten edhe të konsumatorit, kur ky i fundit pozicionohet në rolin e klientit përdorues të shërbimeve dhe produkteve të sistemit.

Rregullorja parashtron kërkesa që lidhen kryesisht me mënyrën dhe formën e dhënies së informacionit për klientët për produktet dhe shërbimet bankare dhe financiare të ofruara, për publikimin në veçanti të normave efektive të interesit të depozitave/kredive, për metodën e llogaritjes së normës efektive të interesit për kreditë, për elementet e kontratës së kredisë dhe depozitave, për marketingun e produkteve dhe shërbimeve, trajtimin e ankesave të klientëve nga bankat dhe evidentimin e veçantë të tyre etj. .

Rregullorja "Për kërkesat minimale të publikimit të informacionit nga bankat dhe degët e bankave të huaja" është hartuar në mbështetje dhe zbatim të kërkesave të ligjit "Për bankat në Republikën e Shqipërisë" dhe të kërkesave të shtyllës së tretë - Disiplina e Tregut, të Marrëveshjes së Re të Kapitalit (Bazel II) të Komitetit të Baselit.

Rregullorja parashtron kryesisht kërkesat rregullatore të autoritetit mbikëqyrës, për publikimin e informacionit nga bankat dhe degët e bankave të huaja për publikun dhe pjesëmarrësit e tregut, në gjashtë kategori kryesore:

a) veprimtaria kryesore e bankës, organizimi dhe drejtimi (qeverisja) i përgjithshëm;
b) ecuria (performanca) financiare;
c) gjendja financiare (duke përfshirë kapitalin, aftësinë paguese dhe likuiditetin);
d) praktikat dhe strategjitë e administrimit të rrezikut;
e) ekspozimet ndaj rreziqeve (duke përfshirë rrezikun e kreditit, rreziqet e tregut, rrezikun e likuiditetit, rrezikun operacional, rreziqet e tjera);dhe
f) politikat kontabël.

Rregulloret konsiderojnë Standardet e Komitetit të Bazelit për rritjen e transparencës bankare, Direktivat Evropiane si dhe dhe eksperiencat e vendeve të tjera, lidhur me rregullimin e procesit të transparencës së bankave në ushtrimin e veprimtarisë së tyre bankare dhe financiare.

3. Këshilli Mbikëqyrës miratoi dhe disa ndryshime në rregulloret "Për administrimin e rrezikut të kredisë"; "Për raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit" dhe "Për administrimin e rrezikut në veprimtarinë e degëve të bankave të huaja".

Banka e Shqipërisë në përmbushje të funksionit të saj të mbikëqyrësit të sistemit bankar analizon dhe vlerëson në mënyrë të vazhdueshme rreziqet më të cilat përballen bankat, gjatë zhvillimit të veprimtarisë së tyre. Në përputhje me kushtet konkrete të zhvillimit të veprimtarisë bankare, Banka e Shqipërisë rishikon vazhdimisht kuadrin rregullativ mbikëqyrës. Në këtë kontekst, nisur nga fakti i rritjes së kreditimit në tërësi dhe të atij në valutë, në veçanti nga bankat dhe degët e bankave të huaja, në bashkëpunim edhe me pjesëmarrësit e tregut, Banka e Shqipërisë miraton disa ndryshime rregullative, që kanë për qëllim kufizimin e rrezikut nga kredidhënia në monedhë të huaj.

Këto ndryshime lidhen me administrimin e rrezikut të kredisë dhe janë plotësim në vazhdimësi i forcimit të masave të ndërmarra nga autoriteti mbikëqyrës për minimizimin e rrezikut nga kredidhënia e bankave të sistemit.

Rregulloret parashikojnë kryesisht masa të vecanta për monitorimin e rrezikut nga kredidhënia në monedhë të huaj ose të indeksuar me kurs këmbimi, e cila mund të shfaqë rrezik kryesisht në rastet kur kredimarrësit gjenerojnë të ardhura në monedhë vendase.

Ndryshimet parashikojnë marrjen e masave të karakterit administrativ dhe të kujdesit (prudencial) dhe monitorimit mbikëqyrës:

  • Të parat lidhen kryesisht me punën e Këshillit Drejtues si një theks në vemendje të këtij organi për strategjitë dhe politikat e administrimit të rrezikut të kredisë, duke përfshirë edhe rrezikun nga kredidhënia në monedhë të huaj, udhëzime me raste dhe kërkesa të vecanta për garancitë dhe kolateralin.
  • Të dytat janë masa kryesisht të kujdesit prudencial dhe monitorimit të mbikëqyrjes, të cilat përfshijnë:

• rritjen e kërkesave për shpenzime kapitali për portofolet e kredive të bankave të përcaktuar si të ekspozuar ndaj rrezikut të kursit të këmbimit; dhe

• vendosjen e niveleve më të kufizuar të peshës në treg për degët e bankave të huaja, për të realizuar kufizimin e rezikut të kredisë edhe për këto subjekte.

4. Në këtë mbledhje, Këshilli Mbikëqyrës rishikoi dhe rregulloren e funksionimit të shërbimit SWIFT në Bankën e Shqipërisë, si dhe miratoi fondet për blerjen dhe marrjen me qira të disa ambienteve shtesë, për aktivitetin e Bankës së Shqipërisë.