BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi zhvillimin e mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë të datës 29 shtator 2008

Data e publikimit: 29.09.2008

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e tij të datës 29 shtator 2008, mori në shqyrtim dhe miratoi "Deklaratën e politikës monetare për gjashtëmujorin e parë të vitit 2008". Në përfundim të analizës ekonomike dhe financiare Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin, 6.25 për qind.

Në vijim do të gjeni fjalën e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë.

Fjala e Guvernatorit

Zhvillimet e kohëve të fundit dëshmojnë për një përshkallëzim të mëtejshëm të krizës financiare në SHBA, duke kulmuar javët e fundit me falimentimin e një prej bankave më të mëdha të investimeve Lehman Brothers. Pak më parë këtij falimentimi të bujshëm, dy gjigandet e financimit të hipotekave në Amerikë, Freddie Mac dhe Fannie Mae, iu nënshtruan një plani të pazakontë dhe të kushtueshëm shpëtimi, të ideuar nga ana e Departamentit të Thesarit të SHBA-së. Në fakt, ky veprim përbën vetëm një nga ndërhyrjet e autoriteteve amerikane në këtë situatë, për t'i lënë vendin një sërë të tjerave më pas, si në rastin e kompanisë së sigurimeve AIG, bankës Merryl Lynch dhe veçanërisht planit, të bërë publik më 21 shtator 2008, për krijimin e një fondi 700 miliardë dollarë, për blerjen e aktiveve me probleme.

Kriza e mësipërme, e cila po shoqëron ekonominë globale për më shumë se një vit, ka bërë që shumë institucione financiare të njohura ndërkombëtarisht, të materializojnë humbje të mëdha financiare. Situata vazhdon të mbetet e paqartë dhe procesi i përhapjes së efekteve të padëshirueshme të saj mund të jetë i pranishëm edhe në muajt në vijim.

Kombinimi i saj me një sërë zhvillimesh të tjera globale ka bërë që situata ekonomike e vendeve të zhvilluara, të karakterizohet nga pikëpyetje të shumta. Inflacioni është kthyer në një shqetësim për shumicën e ekonomive ndërkombëtare, duke reflektuar kryesisht çmimet e rritura të lëndëve të para, të naftës dhe të produkteve ushqimore. Edhe aktiviteti ekonomik në ekonomitë e zhvilluara, ka regjistruar shenja të dukshme ngadalësimi. Aktiviteti ekonomik në Eurozonë për tremujorin e dytë u tkurr me 0.2% krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2008. Ndërkohë që, ekonomia amerikane pritet të rritet me ritme të ngadalta edhe për gjysmën e dytë të vitit në vazhdim.

Në këto rrethana, tensioni në tregje ka qenë i lartë duke u reflektuar kryesisht në rënien e vlerës së aktiveve financiare, në luhatjen e çmimeve të lëndëve të para dhe mallrave, në rënien e çmimeve të banesave si dhe në zgjerimin e diferencës ndërmjet normave të interesit. Si reagim ndaj kësaj situate, bankat qendrore më të mëdha të botës kanë ndërmarrë veprime të koordinuara për qetësimin e tregjeve, kryesisht duke furnizuar sasi të mëdha likuiditeti. Megjithatë, të dyja bankat e mëdha si Rezerva Federale ashtu dhe BQE në mbledhjet e fundit i mbajtën të pandryshuara përqindjet e interesit, në nivelet e mëparshme 2 dhe 4,25 për qind, respektivisht.

Në zhvillimet e brendshme, në përputhje dhe me parashikimet e mëparshme të Bankës së Shqipërisë, inflacioni në terma vjetorë, në muajin gusht 2008, u ul në nivelin 2,5 për qind. Në përgjithësi, periudha tetëmujore janar - gusht 2008, është karakterizuar nga luhatje të ndjeshme të normës vjetore të inflacionit, i cili regjistroi mesatarisht 3,8 për qind. Që prej gushtit 2007 dhe deri në muajin qershor 2008, janë evidentuar zhvillime negative në këtë drejtim duke mundësuar një normë inflacioni mbi nivelin e sipërm të zonës së tolerencës prej 4 për qind. Rritja e çmimeve të ushqimeve dhe të naftës në tregun botëror, ecuria e prodhimit bujqësor në vitin 2007 dhe rritja e çmimit të energjisë në muajin mars '08, përbëjnë disa nga shkaqet kryesore që shpjegojnë rritjen në këtë periudhë.

Në dy muajt e fundit, inflacioni total dhe matje të ndryshme të inflacionit bazë kanë shfaqur prirje në rënie. Faktorë të ofertës, që nxitën rritjen e inflacionit në periudhën paraardhëse, zbutën ndikimin e tyre në muajt korrik - gusht. Kushtet atmosferike të këtij viti kanë qenë të favorshme, duke bërë që oferta vendase e prodhimit bujqësor të rritej. Efekti stinor, shkaktuar nga hyrja e prodhimit të brendshëm bujqësor u ndje më tepër sesa gjatë vitit të kaluar. Çmimi i naftës dhe ai i drithit në tregun botëror kanë ardhur në rënie, gjatë dy muajve të fundit. Parashikimet e stafit të Bankës së Shqipërisë flasin për një normë inflacioni, e cila në 12 muajt në vijim do të vazhdojë të luhatet rreth vlerës 3 për qind, aq sa ç'është dhe vlera sasiore e objektivit tonë.

Pavarësisht kësaj, duhet theksuar se rreziqet për devijimin e tij në rritje janë ende të pranishme dhe më së shumti lidhen me zhvillimet ndërkombëtare që u përmendën më sipër. Megjithatë, edhe në planin e brendshëm ekzistojnë rreziqe të mundshme, të cilat në vazhdimësi janë subjekt i analizave të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Çdo zhvillim i padëshiruar i situatës energjetike në muajt në vijim, rritja e përshpejtuar e kreditimit të ekonomisë si dhe ndërlikime të mundshme fiskale në të ardhmen, përbëjnë rreziqet kryesore në këtë drejtim.

Monitorimi statistikor i aktivitetit ekonomik të vendit, vazhdon ende të pasqyrojë vështirësi. Duke vlerësuar të dhënat e disponueshme për tremujorin e parë të vitit 2008, si dhe disa tregues të tjerë të tërthortë që mbulojnë periudhën 6 dhe 9-mujore (rritja e eksporteve, rritja e të ardhurave buxhetore, situata hidroenergjetike si dhe disa tregues të tjerë të konsumit), mund të arrihet në konkluzionin se prodhimi i përgjithshëm i brendshëm do të rritet sipas parashikimeve të mëparshme, me 6 për qind. Megjithatë, për një analizë më të detajuar sektoriale ende nuk disponohet informacioni i nevojshëm statistikor.

Zhvillimet buxhetore për gjashtëmujorin e parë të vitit 2008, në ndryshim nga dy vitet e mëparshme, kanë regjistruar një prirje pak më të ndryshme, e cila manifestohet kryesisht në një kryerje më ritmike të shpenzimeve. Ndryshe nga dy vitet e fundit balanca buxhetore është negative, 2.3 miliardë lekë, larg nivelit të planifikuar prej 18 miliardë lekësh. Të ardhurat buxhetore kanë vijuar prirjen e muajve paraardhës, duke tejkaluar me rreth 3 për qind masën e planifikuar për gjysmën e parë të vitit. Ndërsa shpenzimet kanë përshpejtuar ritmet e realizimit kryesisht drejt mbylljes së gjashtëmujorit, duke përmbushur 92 për qind të planit të hartuar për këtë periudhë. Huamarrja e brendshme përfaqëson instrumentin kryesor të financimit të deficitit buxhetor, duke zënë njëkohësisht 90 për qind të totalit të huamarrjes.

Gjashtëmujori i parë i vitit regjistron një rritje të deficitit korent me rreth 60 për qind në terma vjetorë, duke arritur në 591 milionë euro. Për pasojë, raporti i tij ndaj PBB-së vlerësohet në rreth 13 për qind. Deficiti i lartë tregtar, kontribuesi kryesor në thellimin e deficitit korent gjatë kësaj periudhe, është shoqëruar edhe me deficitin e tregtisë së shërbimeve dhe ngushtimin e suficitit të transfertave korente neto. Banka e Shqipërisë po ndjek me vëmendje zhvillimet në sektorin e jashtëm të ekonomisë, të cilat për momentin përbëjnë një shqetësim nga këndvështrimi i zhvillimeve afatgjata në ekonomi. Ndërlikimet kryesore, midis të tjerave lidhen me stabilitetin financiar të vendit, ndërkohë që burimi i tyre lidhet me korrektimin e imponuar të raporteve afatgjata, brenda një periudhe shumë të shkurtër kohe.

Kërkesa për para në ekonomi është rritur me një ritëm të qëndrueshëm prej mesatarisht 12 për qind në terma vjetorë, gjatë vitit 2008. Kredia për sektorin privat dominon zgjerimin monetar në ekonomi, ndërkohë që kreditimi i sektorit publik është ende modest, vetëm me rreth 2.5 pikë përqindjeje të rritjes vjetore të M3. Duke iu referuar, komponentëve përbërës të ofertës së parasë, pjesa më likuide e saj, paraja jashtë bankave vazhdon të rritet me hapa të ngadaltë, ndërkohë që depozitat pasqyrojnë norma të larta rritjeje. E nxitur kryesisht, nga politikat promovuese të sistemit bankar të zbatuara në verën 2008, rritja vjetore të depozitave në lekë dhe atyre në valutë, rezulton përkatësisht 11.2 për qind dhe 30 për qind. Struktura kohore e tyre gjatë dy muajve të fundit pësoi një zhvendosje drejt depozitave me afat, e pasqyruar kryesisht në rritjen e depozitave me afat të individëve.

Kredia për ekonominë, gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2008 ka vijuar të rritet me një normë vjetore mesatare prej 45.5 për qind, duke arritur në 34 për qind ndaj PBB-së dhe 45.3 për qind ndaj parasë së gjerë M3. Normat e rritjes së kredisë kanë ndjekur përgjithësisht prirjen rënëse të prej më shumë se dy viteve, me përjashtim të muajve qershor dhe korrik, në të cilët u regjistruan norma rritjeje më të larta se në muajt paraardhës.

Kompozimi sipas monedhës, vazhdon të ruajë pak a shumë të njëjtën strukturë me dominim të kredisë në valutë. Në nivele mesatare, gjatë 7 muajve të parë të vitit 2008 kredia në valutë përbën rreth 72 për qind të portofolit të kredisë ose rreth 2 pikë përqindje, më shumë se mesatarja për vitin 2007.

Kredia për sektorin privat shënoi një rritje vjetore mesatare prej 41 për qind, për shtatë muajt e parë të vitit. Kontributin kryesor e ka dhënë kredia për biznese, ku spikasin sektorët e tregtisë, të ndërtimit dhe të industrisë, të cilat thithin rreth 77 për qind të këtij klasifikimi. Kredia për individë në terma vjetorë është rritur mesatarisht me 51 për qind, për periudhën janar - korrik 2008. Pavarësisht këtij fakti, duhet theksuar se periudha dymujore, qershor - korrik, ka përkuar me një ngadalësim të këtij grupi, fenomen i cili pasqyron një qetësim të kredisë konsumatore. Nga ana tjetër, kredia për pasuri të paluajtshme, e cila përbën rreth 66 për qind të portofolit të kredisë për individë, ruan ritme të larta rritjeje, duke dhënë kontributin më të madh në rritjen e këtij portofoli.

Gjatë vitit 2008, interesat në tregun e parasë janë rritur në linjë me orientimin e politikës monetare. Në terma mesatarë, krahasuar me vitin e kaluar, interesi njëditor në tregun ndërbankar është rritur me 80 pikë bazë, duke arritur nivelin 5.6 për qind.

Luhatshmëria e normave të interesit në tregun ndërbankar, ka qenë e lidhur me ndryshimin e kushteve të likuiditetit në treg dhe shpërndarjen asimetrike të tij. Fillimi i tremujorit të tretë është shoqëruar me lehtësimin e situatës për likuiditet dhe shpërndarjen më të ekuilibruar të tij, gjë që është reflektuar në ecurinë rënëse të interesave njëditorë në nivelin 5.6 për qind, në fund të muajit gusht.

Tregu primar ka evidentuar luhatshmëri të ulët të yield-eve gjatë vitit 2008. Gradualisht, ato kanë përcjellë shtrëngimin e kushteve monetare të sinjalizuar në gjysmën e dytë të vitit 2007, ndërkohë që është ngushtuar diferenca midis maturiteteve.

Yield-et afatgjata në tregun e obligacioneve tregojnë për një prirje të ngushtimit të diferencave midis afateve në dy vitet e fundit. Obligacionet 2-vjeçare, të cilat kanë dhe frekuencë më të shpeshtë (mujore) në terma mesatarë janë rritur lehtë gjatë vitit 2008 krahasuar me vitin e kaluar, ndërkohë që yield-et për afatet e tjera kanë qenë në ulje. Në fundin e muajit gusht, yield-i i obligacioneve 2-vjeçare shënoi 8.3 për qind ose 0.06 pikë përqindjeje më lart se mesatarja e një viti më parë, kurse yield-i i obligacioneve 5-vjeçare zbriti në 9.06 për qind ose 0.76 pikë përqindje më poshtë.

Normat e interesit për kreditë në valutë kanë ndjekur zhvillimet në tregjet botërore, duke u përputhur me ndryshimet e LIBOR dhe EURIBOR. Norma e interesit, për kreditë në euro, në muajin korrik, rezultoi 8.15 për qind, 0.35 pikë përqindjeje poshtë nivelit të saj në muajin qershor 2008.

Norma e ndërmjetësimit në sistemin bankar është ulur në terma mesatarë. Duke iu referuar pjesës në lekë, evidentohet se diferenca ndërmjet normës mesatare të ponderuar të interesit të depozitave me kreditë në lekë, në 7 muajt e parë të vitit është ulur në 7.56 për qind nga 9 për qind për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Gjithashtu, norma mesatare e ndërmjetësimit për monedhën evropiane është ulur me 0.82 pikë përqindje në krahasim me gjashtëmujorin e parë të 2007-ës, duke arritur nivelin 4.44 për qind.

Prirja mbiçmuese e lekut kundrejt shportës së monedhave kryesore e vërejtur gjatë dy tremujorëve të parë të vitit 2008, ka vazhduar edhe gjatë tremujorit të tretë, por me ritme më të moderuara. Në terma nominalë efektivë vjetorë, leku është mbiçmuar kundrejt monedhave kryesore të huaja, euro dhe usd, mesatarisht me 2.63 pikë përqindjeje. Në terma vjetorë, kursi nominal i këmbimit të lekut kundrejt monedhës evropiane dhe dollarit amerikan është mbiçmuar mesatarisht me 0.75 për qind dhe 9 për qind.

Zhvillimet monetare nuk duhen analizuar si të veçuara nga faktorët që përcaktojnë stabilitetin e sistemit financiar. Në lidhje me këtë të fundit, dua te theksoj se sistemi financiar në Shqipëri, është zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2008. Treguesit e kapitalizimit të veprimtarisë, të likuiditetit dhe të përfitueshmërisë, janë në nivele të kënaqshme. Duke parë rëndësinë në rritje të këtyre çështjeve, si edhe në kuadër të zhvillimeve më të fundit në tregjet financiare ndërkombëtare, Banka e Shqipërisë ka zgjeruar burimet e informacionit në drejtim të thellimit të analizës së stabilitetit të sistemit financiar dhe posaçërisht të sektorit bankar, duke u përpjekur të dallojë paraprakisht rreziqet e mundshme dhe të propozojë veprimet për shmangien e tyre.

Në përgjithësi, situata e përshkruar më sipër, krahas zhvillimeve pozitive, përmban faktorë rreziku të vjetër dhe të rinj me ndikim si në fushën monetare ashtu edhe në atë të stabilitetit financiar, të cilët në rast materializimi mund të komprometojnë përmbushjen e objektivit ligjor të Bankës së Shqipërisë. Kjo situatë, i imponon Bankës së Shqipërisë nevojën për një kujdes më të madh në vlerësimin dhe analizën e këtyre faktorëve, si edhe në vendimmarrjen e mëtejshme.

Në mbyllje, dëshiroj të theksoj se Banka e Shqipërisë i ka paraprirë zhvillimeve të fundit në sistemin bankar shqiptar, duke marrë një sërë reformash strukturore, që synojnë të garantojnë funksionimin normal të tij dhe ruajtjen e ekuilibrave financiarë. Gjatë vitit të fundit, Banka e Shqipërisë është fokusuar në përmirësimin e infrastrukturës teknike dhe ligjore të sistemit bankar. Ngritja dhe funksionimi i Regjistrit të Kredive, rishikimi i rregulloreve të kredisë në funksion të forcimit të normave të prudencës për kreditë në valutë dhe rishikimi i rregulloreve për huatë ndërbankare në funksion të saktësimit të pronësisë së titujve, janë reforma të rëndësishme që mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm të sistemit financiar.

Nga ana tjetër, krijimi i strukturave të specializuara, si Komiteti i Zbatimit të Politikës Monetare dhe vendimet e marra nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë kanë dhënë një kontribut të drejtpërdrejtë në ruajtjen e ekuilibrave makroekonomikë dhe në stabilitetin e sistemit financiar. Efektet e rritjes së kostos së parasë janë reflektuar në norma më të kontrolluara të rritjes së kredisë dhe në raporte më të drejta të strukturës valutore të saj. Së fundi, Banka e Shqipërisë ka vendosur një raport të frytshëm bashkëpunimi me institucionet mbikëqyrëse të sistemit financiar ndërkombëtar dhe bankat e tjera qendrore, në drejtim të shkëmbimit të informacionit dhe të analizave për zhvillimet më të fundit në sistemin financiar global dhe implikimet e tyre.

Ndonëse, sfida për të ruajtur ekuilibrat makrofinanciarë sa vjen e vështirësohet, në emër të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, dëshiroj të sqaroj publikun e gjerë se ruajtja e stabilitetit të çmimeve dhe ruajtja e stabilitetit financiar do të mbeten objektivat prioritarë të punës së Bankës së Shqipërisë dhe do të kenë gjithë vullnetin dhe angazhimin e saj.