BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi zhvillimin e mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë të datës 30 korrik 2008

Data e publikimit: 30.07.2008

 

1. Në mbledhjen e datës 30 korrik 2008, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë pasi vlerësoi zhvillimet e fundit në ekonominë vendase dhe për ato të jashtme, vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 6.25 për qind.

Aktiviteti ekonomik botëror ka vijuar të ngadalësojë ritmin e rritjes edhe gjatë muajit maj 2008. Ngadalësimi i ekonomisë së ShBA, pasojat e trazirave financiare dhe rritja e mëtejshme e çmimit të naftës dhe lëndëve të para kanë ndikuar negativisht në ecurinë ekonomike botërore. Janë ekonomitë e vendeve në zhvillim ato që vazhdojnë të kuontribuojnë pozitivisht në këtë drejtim. Rritja e mëtejshme e çmimit të naftës, energjisë dhe ushqimeve kanë vijuar të mbeten burimi kryesor i inflacionit në botë. Kështu ShBA-ja dhe Eurozona shënuan nivelet më të larta të inflacionit gjatë muajit qershor të vitit 2008, përkatësisht me 5% dhe 4%. Për këtë arsye, BQE në fillim të muajit korrik rriti normën bazë të interesit me 25 pikë të përqindjes bazë duke e çuar atë në nivelin 4,25%.

Treguesi i shitjeve për ekonominë gjatë tremujorit të parë të vitit 2008 është rritur me rreth 24% në terma vjetorë. Kontributi kryesor në këtë rritje ka ardhur nga aktiviteti tregtar, sektori i ndërtimit dhe ai i industrisë. Ecuria e ekonomisë është shoqëruar dhe me sinjale pozitive në tregun e punës. Norma e regjistruar e papunësisë arriti në 13.04%, nga 13.2% në fund të 2007.

Në tremujorin e parë të vitit 2008, deficiti i llogarisë korente u thellua më tej në 11.7 % të PBB-së. Pjesa më e madhe e tij prej 75 % është financuar nga hyrjet në llogarinë kapitale dhe financiare, e cila vlerësohet në 10.8% të PBB-së. Kontributin kryesor në përmirësimin e prurjeve financiare e kanë dhënë investimet e huaja direkte të cilat llogariten në 125 milionë euro.

Aktiviteti i buxhetit gjatë 5 muajve të parë të vitit karakterizohet nga një balancë pozitive, e cila ka ardhur si rezultat i grumbullimit të të ardhurave fiskale më shumë se sa ishin planifikuar dhe realizimit më të ulët të shpenzimeve. Huamarrja e qeverisë, mbetet e orientuar drejt huamarrjes së brendshme, ndërkohë që huamarrja e huaj për këtë periudhë ka qenë në nivele të ulta.

Në muajin qershor, inflacioni vjetor regjistroi vlerën 4% duke u kthyer në kufirin e sipërm të intervalit të tolerancës së objektivit të Bankës së Shqipërisë. Ashtu si në muajt e fundit, përsëri shifra mujore e inflacionit rezultoi negative, duke mundësuar një rënie të mëtejshme të normës vjetore.

Ritmi i zgjerimit të parasë në ekonomi në maj 2008, është stabilizuar pranë niveleve minimale të dy viteve të fundit, në rreth 10%. Krijimi i parasë mbështetet kryesisht në kredidhënien për sektorin privat, ndërsa sektori publik ka rezultuar me teprica buxhetore. Gjithashtu, pozicioni i mjeteve valutore neto të bankave të nivelit të dytë ka ruajtur tendencë të lehtë rënëse duke amortizuar rritjen e kredisë për sektorin privat në valutë dhe pjesërisht kryerjen e shpenzimeve kapitale në monedhë të huaj.

Gjatë muajit maj, kredia për sektorin privat u rrit me 42.2% në terma vjetorë. Në raport me agregatin monetar M3, kredia arriti në 43%. Impulsin kryesor në rritjen e kredisë për sektorin privat e jep kredia për biznese, ndërkohë që kredia në valutë vazhdon të ruajë dominimin e saj në portofolin e kredisë, me një peshë prej 73%.

Kërkesa për likuiditet ka vazhduar dhe në muajin qershor. Mungesat janë plotësuar nëpërmjet ankandeve të marrëveshjeve të anasjellta të repos me afat 7-ditor. Norma mesatare e interesit për transaksionet njëditore, të cilat zënë dhe vëllimin kryesor, u rrit me 0.10 pikë përqindjeje në 5.99 për qind.

Yield-et e letrave me vlerë nuk kanë pësuar ndryshime të ndjeshme në tregun primar nga një muaj më parë. Në tregun e depozitave është vërejtur rritje e natyrës promocionale të normave të interesit për depozitat me afat në lekë dhe në euro. Ndërkohë që interesi mesatar për kredinë në euro është rritur lehtë, përqindja mesatare për kredinë në lekë ka pësuar një rënie që pasqyron dominimin e një grupi të vogël bankash të angazhuara në ofrimin e këtij produkti.

Në muajt në vijim, inflacioni parashikohet të ndjekë një prirje në rënie duke iu afruar mjaft objektivit të Bankës së Shqipërisë në fund të tremujorit të dytë të vitit 2009. Në analizën e tij, Këshilli Mbikëqyrës kujdes të veçantë i kushtoi edhe balancës së rreziqeve në ekonomi. Njësoj si në mbledhjet e mëparshme, ai vlerëson se rreziqet për inflacion janë ende prezente, ndonëse me një probalitet më të ulët për t'u materializuar në 12 muajt në vijim. Ambienti i jashtëm ekonomik me norma të larta inflacioni, përbën kërcënimin kryesor për të ndikuar në rritje të çmimeve të brendshme të konsumit, kryesisht nëpërmjet një shkalle të lartë transmetimi të çmimeve të importit.

Për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë do të ndjekë me shumë kujdes zhvillimet në ambientin global dhe në ekonominë e brendshme, me fokus të veçantë, ndaj ndonjë efekti të mundshëm të raundit të dytë, si dhe ndaj implikimeve të mundshme mbi qëndrueshmërinë financiare të sistemit bankar në përgjithësi.

2. Në këtë mbledhje, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi kërkesën e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) : "Për miratimin e blerjes së 12.5 për qind të aksioneve të kapitalit aksioner të Bankës Union sh.a. ".

Ky vendim lejon blerjen në masën 12.5 përqind të aksioneve të kapitalit aksioner të Bankës Union sh.a., e cila do të emetojë aksione të reja për këtë qëllim.
Struktura e kapitalit aksioner të Bankës Union sh.a., me blerjen e aksioneve nga BERZH do të jetë si mëposhtë:
- Unioni Financiar i Tiranës 83.1250 %
- Z. Edmond Leka 2.1875 %
- Z. Niko Leka 2.1875 %
- BERZH 12.5 %
Në sistemin bankar shqiptar, BERZH është prezente si aksionere edhe në Bankën Kombëtare Tregtare dhe në Bankën Amerikane të Shqipërisë.

3. Këshilli Mbikëqyrës shqyrtoi e miratoi disa ndryshime në Programin Monetar të vitit 2008, si dhe disa vendime të tjera, që kanë të bëjnë me aktivitetin e Bankës së Shqipërisë.