BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi zhvillimin e mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë të datës 30 prill 2009

Data e publikimit: 30.04.2009

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e tij të datës 29 prill 2009 mori në shqyrtim dhe analizoi ecurinë e treguesve ekonomikë dhe monetarë gjatë tremujorit të parë të vitit 2009. Në përfundim të kësaj analize, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi : “Të mbajë të pandryshuar, në nivelin 5.75 për qind, normën bazë të interesit të marrëveshjeve të riblerjes dhe të anasjellta të riblerjes me afat maturimi njëjavor”.

Në vijim do të gjeni fjalën e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë:

Ngjarjet ekonomike dhe financiare në vend vijojnë të zhvillohen në një ambient të jashtëm të paqëndrueshëm. Në nivel botëror, ekonomitë e vendeve të zhvilluara dhe të atyre në zhvillim vazhdojnë të karakterizohen nga një shkallë e lartë pasigurie, si për kohëzgjatjen e krizës ashtu dhe për shtrirjen e ndikimeve negative të saj. Shtrëngimi i situatës financiare dhe ulja e besimit të agjentëve kanë sjellë një reduktim të ndjeshëm të kërkesës agregate dhe dobësim të aktivitetit ekonomik. Për pasojë importet dhe eksportet janë ulur në të gjitha ekonomitë, të cilat janë përballur edhe me një reduktim të investimeve të huaja si pasojë e shtrëngimit të kushteve kredidhënëse nga institucionet financiare.

Të dhënat e fundit të ekonomisë botërore theksuan edhe më tepër përmasat e kësaj krize. Rritja ekonomike e Eurozonës rezultoi negative në tremujorin e fundit të vitit 2008, duke shënuar rënien më të thellë që prej krijimit të monedhës së përbashkët. Ndërkohë, informacioni i tremujorit të parë, tregon se kjo ekonomi mund të ketë vijuar të tkurret me të njëjtin ritëm edhe në këtë periudhë. Tremujori i fundit i vitit 2008, shënoi rënie ekonomike edhe për ekonominë amerikane. Ndërkohë, gjatë tremujorit të parë të vitit 2009 u evidentuan shenjat e para të përmirësimit, si pasojë e masave të fuqishme fiskale të ndërmarra në funksion të rimëkëmbjes së ekonomisë dhe mbështetjes së zgjerimit të shpenzimeve konsumatore.

Presionet inflacioniste në rënie, si rezultat i uljes së çmimeve të lëndëve të para, kanë lejuar bankat qendrore të zbatojnë politika monetare lehtësuese në përpjekje për të ndihmuar sistemin bankar dhe nxitur aktivitetin kreditues për ekonominë. Në muajt janar dhe mars të vitit 2009, Banka Qendrore Evropiane lehtësoi më tej politikën monetare, duke e çuar normën e interesit në nivelin më të ulët historik. Komiteti i Tregut të Hapur i Rezervës Federale vendosi të lërë të pandryshuar normën e interesit në nivelin 0-0.25 për qind, vlerë e cila përbën minimumin historik në SHBA.

Aktiviteti ekonomik në vend u zhvillua në kushtet e një ecurie të qëndrueshme të çmimeve të konsumit. Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në tremujorin e parë të vitit 2009 vazhdoi të ruajë të njëjtin model kontributdhënës të kategorive të mallrave dhe shërbimeve me periudhën e fundvitit 2008. Inflacioni vjetor shënoi vlerën 1.9 për qind duke qëndruar pranë kufirit të poshtëm të tolerancës së objektivit të Bankës së Shqipërisë për të. Rënia e inflacionit për këtë periudhë u shkaktua kryesisht nga rënia e çmimeve të lëndëve të para në botë. Normat e ulëta të inflacionit bazë dhe atij të mallrave me çmime të patregueshme dëshmojnë për rënien e presioneve inflacioniste nga ana e kërkesës së brendshme. Rënia e ndjeshme dhe e shpejtë e inflacionit, veçanërisht në tremujorin e katërt të vitit të kaluar dhe në tremujorin e parë të vitit 2009, ngadalësimi i ritmeve të rritjes së kredisë për ekonominë, pritjet pesimiste të bizneseve dhe konsumatorëve për zhvillimet e ardhshme në aktivitetin ekonomik dhe në fushën e çmimeve, sinjalizojnë ngadalësim të kërkesës së brendshme dhe të jashtme. Sipas analizave tona, rreziqet për presione inflacioniste në një horizont afatmesëm, janë në masën më të madhe, të ekuilibruara.

Sipas statistikave zyrtare, ekonomia shqiptare gjatë tremujorit të katërt të vitit 2008 ka ruajtur ritmet e tremujorëve paraardhës. Shifra e afarizmit për sektorët e prodhimit dhe të shërbimeve shënoi një rritje vjetore prej 22 për qind. Sektorët e ndërtimit dhe shërbimeve dhanë kontributin kryesor në rritjen e aktivitetit ekonomik. Përkundrejt zhvillimeve të ekonomisë së brendshme, ecuria e sektorit të jashtëm dëshmon për një rënie të shkëmbimeve tregtare me botën gjatë periudhës janar -shkurt 2009. Importet dhe eksportet janë ulur gjatë kësaj periudhe duke u shoqëruar me një ngushtim prej 4.3 për qind të deficitit tregtar. Pavarësisht ritmit më të lartë rënës të eksporteve kundrejt importeve, baza e lartë e këtyre të fundit ka ndikuar në ngushtimin e deficitit tregtar.

Zhvillimet fiskale gjatë tremujorit të parë të vitit 2009 kanë qenë përgjithësisht brenda kuadrit buxhetor për vitin 2009. Politika fiskale është karakterizuar nga rritja e shpejtë e shpenzimeve kapitale dhe nga nivele të kontrolluara të deficitit buxhetor. Gjatë tremujorit të parë, ky deficit është financuar kryesisht nga të ardhurat e privatizimit. Shtrëngimi i kushteve të likuiditetit në sistemin bankar është reflektuar në hezitimin e bankave për financimin e nevojave të qeverisë për fonde dhe rritjen e kostos të këtij financimi. Në kushtet e rreziqeve të mundshme fiskale në horizontin afatshkurtër, shtrëngimi i kushteve të financimit krijon vështirësi në financimin e deficitit buxhetor të planifikuar. Për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë gjykon si të domosdoshëm rishikimin e shpenzimeve të planifikuara duke bërë korrigjimet e duhura sipas prioriteteve.

Zhvillimet monetare në muajt janar-shkurt shfaqin një ngadalësim të kërkesës për para, e ndikuar kryesisht nga tkurrja e dukshme e ritmeve të rritjes së kredisë për ekonominë. Shtrëngimi i standardeve dhe i kushteve të kredidhënies ka ndikuar si në rënien e ofertës ashtu edhe në kërkesën për kredi nga agjentët ekonomikë. Rezultantja e këtyre zhvillimeve është pasqyruar në një ngadalësim të ndjeshëm të ritmeve të rritjes së ofertës monetare krahasuar me muajin shtator 2008. Nga ana e ofertës, zhvillimet monetare gjatë kësaj periudhe janë karakterizuar nga tendenca e zhvendosjes drejt përbërësve më likuidë. Nga ana e kërkesës, struktura e kërkesës së brendshme për para ka mbetur relativisht e pandryshuar, e dominuar nga kredia e sektorit privat. Në fund të muajit shkurt, sistemi bankar ka ndërmjetësuar rreth 67 për qind të depozitave totale për financimin e aktivitetit të sektorit privat.

Si pasojë e uljes së likuiditetit të sistemit bankar, ritmet vjetore të zgjerimit të aktivitetit kreditues janë pakësuar ndjeshëm gjatë dy muajve të parë të vitit 2009. E pastruar nga efekti i kursit të këmbimit, norma vjetore e rritjes së portofolit të kredisë u ngadalësua më tej, duke arritur në 29 për qind në muajin shkurt. Ndonëse ngadalësimi i aktivitetit kreditues i shërben qëndrueshmërisë së pozicionit të jashtëm valutor të vendit, zgjatja në kohë e frenimit të kreditimit mund të ketë pasoja në aktivitetin ekonomik në vend. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë është duke furnizuar me likuiditetin e nevojshëm sistemin bankar dhe duke punuar me të për kontrollin e elementeve të kredisë që nuk kanë lidhje me koston, por që ndikojnë ecurinë e saj.

Ecuria e kredisë sipas monedhave shpreh tendencën e bankave për të zhvendosur aktivitetin kreditues nga kreditimi në monedhë të huaj, në lekë. Në fund të muajit shkurt kredia në lekë përbën 29 për qind të portofolit të kredisë duke u rritur me 2 pikë përqindje krahasuar me peshën mesatare që përbënte gjatë vitit 2008. Kjo zhvendosje vlerësohet si një zhvillim pozitiv në sistemin tonë bankar. Një vëmendje më e madhe e bankave për kreditimin në lekë krijon më shumë hapësira për rritjen e efektivitetit të politikës monetare dhe ndikimin e saj në sjelljen e agjentëve ekonomikë. Gjithashtu, zhvendosja e portofolit të kredisë në monedhën vendase do të ulte ekspozimin e zhvillimeve të sistemit bankar nga lëvizjet e kursit të këmbimit dhe do të kontribuonte në ruajtjen dhe forcimin e stabilitetit financiar në vend.

Në tremujorin e katërt të vitit 2008 u evidentua krijimi i presioneve për likuiditet në tregun bankar. Banka e Shqipërisë ka furnizuar me likuiditet sistemin bankar, duke shfrytëzuar të gjithë hapësirën e kuadrit të saj operacional. Ulja e normës bazë të interesit në muajin janar, synonte uljen e kostos së huamarrjes së bankave duke iu krijuar atyre mundësinë për ta përcjellë atë në produktet e tjera bankare. Në vijim, normat e interesit në tregun ndërbankar kanë rënë, ndërkohë që tregjet e tjera nuk e kanë reflektuar plotësisht këtë ulje. Rritja e primit të rrezikut në ekonomi dhe situata ende e shtrënguar për likuiditet kanë bërë që normat e interesit të rriten në tregun primar të investimeve në letra me vlerë. Ecuria e yield-eve do të varet dukshëm nga kërkesa për financimin e deficitit buxhetor dhe përputhja e treguesve fiskalë me vlerat e projektuara dhe të faktorizuara nga agjentët ekonomikë.

Normat e interesit të kredisë kanë mbetur pothuajse të pandryshuara gjatë kësaj periudhe, duke reflektuar politikat më të kujdesshme të bankave në kredidhënie. Nga ana tjetër, bankat kanë preferuar të ruajnë norma të larta të interesit për depozitat duke synuar përmirësimin e situatës së tyre të likuiditetit. Kjo ka ndikuar në zgjerimin e diferencës së normave të interesit midis depozitave në lekë dhe atyre në monedhë të huaj, duke ndihmuar në ecurinë e kursit të këmbimit. Ky i fundit, i përcaktuar në mënyrë të lirë nga tregu, ka njohur zhvlerësim në tremujorin e parë duke mbartur dhe një efekt psikologjik në të. Me një intensitet shumë më të lartë, kjo dukuri është vënë re edhe në vende të tjera të rajonit.

Zhvillimet ekonomike në nivel botëror pritet të japin ndikimin e tyre edhe në ecurinë ekonomike në vend. Ekonomia shqiptare është integruar në tregjet financiare evropiane, ndërkohë që shkëmbimet tregtare me vendet e Eurozonës zënë një peshë të konsiderueshme në prodhimin e përgjithshëm. Ndikimi potencial i krizës ekonomike botërore, pritet të materializohet në një rritje ekonomike më të ngadaltë të vendit gjatë vitit 2009. Ndërkohë ecuria aktuale në fushën e çmimeve si edhe parashikimet e Bankës së Shqipërisë për inflacionin, sinjalizojnë frenim të presioneve inflacioniste gjatë periudhës në vazhdim.

Ngjarjet në arenën ndërkombëtare kanë evidentuar shkallën e lartë të integrimit dhe të ndikimit zinxhir të efekteve të krizës në ekonominë tonë, duke e bërë të domosdoshëm monitorimin e vazhdueshëm të aktivitetit ekonomiko – financiar të vendit si dhe koordinimin e masave për përballimin e pasojave të krizës.

Në muajin janar, Banka e Shqipërisë mori vendimin për të ulur normën bazë të interesit me 50 pikë bazë, duke e çuar atë në nivelin 5.75 për qind. Ky reagim shpreh këmbënguljen dhe angazhimin e bankës qendrore për të ndërhyrë në kohën dhe në masën e duhur, me qëllim përmbushjen e objektivit të saj kryesor. Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të punojë për ankorimin e pritjeve inflacioniste rreth objektivit të saj të inflacionit prej 3 për qind. Në këtë mënyrë ajo do të kontribuojë në ruajtjen e ekuilibrave makroekonomikë dhe në nxitjen e aktivitetit ekonomik.

Banka e Shqipërisë vlerëson se zhvillimet e tremujorit të parë të vitit 2009, imponojnë domosdoshmërinë për një kujdes të vazhdueshëm edhe në kollonën tjetër me rëndësi vitale, atë të stabilitetit financiar. Harmonizimi i të dy ekuilibrave bazë në ekonomi, atij makroekonomik me atë financiar, mbetet gjithnjë një sfidë e vështirë për autoritetet vendimmarrëse. Në analizat e kohëve të fundit janë bërë publikë faktorët e rrezikut, me të cilët përballet ky ekuilibër thelbësor për ekonominë e çdo vendi. Banka e Shqipërisë mbetet thellësisht e angazhuar për t’i shërbyer me të gjitha mjetet që ajo ka në dispozicion konsolidimit të mëtejshëm të këtij ekuilibri.