BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi zhvillimin e mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të datës 10 mars 2004

Data e publikimit: 10.03.2004

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e datës 10 mars 2004, pasi shqyrtoi propozimet e disa departamenteve, vendosi të miratojë:

1. Vendimin "Për miratimin e fondit numizmatik të monedhave dhe kartmonedhave shqiptare dhe katalogur të tyre".

Këto monedha do të shërbejnë për pasurimin e fondit në vite të Bankës së Shqipërise dhe njëkohësisht do të jenë objekt koleksionimi për shumë koleksionistë e të apasionuar pas monedhës shqiptare.

Monedhat trajtojnë tematika të veçanta:

  • Monedhat e vitit 2002 ( prerja 50 Lekë dhe 100 Lekë) janë shtypur në kujtim të 90-vjetorit të shpalljes së pavarësisë;
  • Monedha e vitit 2003 është shtypur në kujtim të 100-vjetorit të vdekjes së Jeronim De Radës.
  • Është bërë tashme traditë që në monedha të trajtojmë edhe objekte kulturore dhe arkitektonike të Shqipërisë, me qëllim njohjen e kësaj kulture brenda dhe jashtë vendit. Në monedhën e vitit 2002 është trajtuar tematika "Antikiteti shqiptar" me objekt një monedhë antike të gjetur në Apoloni që i përket shekullit IV p.e.s, dhe një monedhë të gjetur në Tren të Korçës.
  • Monedha 50 Leke e vitit 2003 me tematikë "Antikiteti shqiptar" ka të paraqitur një helmetë ilire. Kjo monedhë, me një njoftim të veçantë të Bankës së Shqipërisë, do të hidhet në qarkullim dhe do të qarkullojë krahas prerjes tjetër 50 Lekë.

Këshilli Mbikëqyrës u njoh edhe me informacionet:

2. Informacion "Mbi zhvillimin e statistikave në Bankën e Shqipërisë dhe në përgjithësi".

Duke konsideruar zhvillimin e statistikave si shumë të rëndësishëm për njohjen e zhvillimit të vendit në të gjithë fushat, Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë vlerësoi gjithashtu se zhvillimet e statistikave përbëjnë avantazhe afatgjatë dhe sistematikë. Ato janë gjithashtu një bazë e sigurt për një vendimmarrje transparente, të përgjegjëshme dhe reale.

Banka e Shqipërisë, me anë të kësaj deklarate, kërkon të sensibilizojë institucionet për një mbështetje më të madhe për zhvillimin e statistikave, duke i konsideruar këtë zhvillim si të domosdoshme për politika më të efekteshme, për rritje të transparencës ndaj publikut si dhe një pasuri kombëtare që duhet krijuar dhe ruajtur me kujdes.

Duke vlerësuar konkretisht zhvillimin e njësive të statistikës në Bankën e Shqipërisë, Këshilli Mbikqyrës vlerësoi arritjet e bëra deri tani si dhe përvojën e marrë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe institucionet e tjera ndërkombëtare që mbështesin zhvillimet në Bankën e Shqipërisë.

Nga ana tjetër Këshilli Mbikqyrës vlerësoi që zhvillimi i statistikave të fokusohet në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me institucionet shtetërore që merren me statistika, shkëmbimin e përvojave me vende të tjera nëpërmjet rritjes së mëtejshme të kontakteve me banka qëndrore të këtyre vendeve, rritjen e bashkëpunimit me subjekte të ndryshme si bizneset, prej nga merret informacion statistikor për një kuptim më të drejtë të nevojës për informacion statistikor, etj..

Një apel i drejtohet edhe medias në përgjithësi, duke e ftuar atë të ndihmojë në një kuptim më të mirë të statistikës për publikun si dhe të përdorë gjithëmonë e më tepër informacionin statistikor të pasqyruar në mjetet e publikimit të Bankës së Shqipërisë.


3. Informacionin "Mbi zhvillimet ne tregjet nderkombetare te letrave me vlere".

EVROPE

Ekonomia evropiane shënoi rritje në tremujorin e IV, por masa e rritjes ishte disi zhgënjyese për tregun. Treguesit e besimit vazhdojnë të tregojnë përmirësime duke diktuar përshpjetim të rritjes ekonomike në muajt e ardhshëm. Sektori i prodhimit po rritet dhe po kështu dhe urdhërat e reja por pikëpyetje po ngrihet se ku do të gjendet kërkesa për të mbështetur nje rritje të qëndrueshme ekonomike. Kërkesa e brendshme mbetet ende e dobët ndërkohë që forcimi i euro-s përbën kërcënim mbi fortësinë e kërkesës së huaj në muajt në vijim. Emetimet evropiane të thesarit gjatë kësaj periudhe kanë gjetur mbështetje për shkak të spekullimeve në rritje të tregut se ECB-ja do të detyrohet të ulë normat e interesit për të frenuar forcimin e mëtejshëm të euro-s. Mendohet se ECB-ja do ta përdorë uljen e normave të interesit si armë të fundit, duke u përpjekur me anë të "ndërhyrjeve verbale" të pengojë forcimin e euro-s, duke supozuar si skenar kryesor mbajtjen e normave aktuale të pandyshuara për një kohë të gjatë.

SHBA
Megjithë rritjen e GDP-së në tremujorin e fundit të vitit të kaluar nën parashikimet, ekonomia e ka filluar vitin me një ton pozitiv. Treguesit e sektorit prodhues dhe të shërbimeve janë në nivelet më të larta të 20 vjetëve të fundit dhe konsistente me një rritje ekonomike mjaft të lartë. Por rritja e tregut të punës është ende e dobët dhe megjithëse shpenzimet konsumatore kanë qenë të kënaqshme, përmirësimi i tregut të punës është i domosdoshëm për një rritje të mëtejshme të shpenzimeve. Greenspan në raportin e tij 6 mujor mbi ekonominë u shpreh mjaft optimist për rritjen ekonomike, por ndërkohë përmendi se inflacioni i ulët do ta lejoje Fed-in të jetë i duruar përpara sesa të rrisë normat e interesit. Kjo deklaratë bëri që tregu të ulte pritjet për rritjen e normave të interesit dhe mbështeti emetimet e thesarit. Për muajin në vazhdim mendohet se mungojnë ngjarjet të cilat mund të lëvizin ndjeshëm emetimet e thesarit dhe skenari më i mundshëm është lëvizja e tyre në banda të ngushta.

Gjithashtu në mbledhje u miratuan një sërë vendimesh dhe u shqyrtuan disa informacione të lidhura përgjithësisht më organizimin e brendshëm dhe zhvillimet në rezervën valutore të cilat sipas Rregullores së Transparencës së Bankës së Shqipërisë publikohen pas tre muajsh.