BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë e datës 13 korrik 2005

Data e publikimit: 14.07.2005

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e tij të datës 13 korrik 2005, me propozimin e Departamentit të Operacioneve Monetare të Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi :

• Instrumentet e politikës monetare.

Banka e Shqipërisë duke mbajtur në qendër të vëmendjes realizimin e objektivit kryesor të saj dhe ecurinë e deritanishme të kuadrit operacional, ka arritur të mbajë në kontroll normat e interesit të tregut, të sinjalizojë qëndrimin e politikës monetare si dhe të administrojë likuiditetet.

Instrumentet e politikës monetare përfshijnë:

• Instrumentin për lehtësitë e përhershme (depozitën dhe kredinë njëditore).
• Instrumentin e shitblerjeve me të drejta të plota.
• Instrumentin e kredisë lombard.

Banka e Shqipërisë ka bërë një rishikim të këtyre instrumenteve, përmirësimet e bëra synojnë rritjen e efektivitetit operacional në përputhje me zhvillimet më të fundit monetare, që kanë për qëllim transmetimin e politikës monetare në mënyrë sa më të shpejtë dhe sa më të saktë në normat e tregut të parasë, si dhe uljen e përdorimit të lehtësive të përhershme.

Përmirësimet e kryera përfshijnë si anën funksionale të instrumenteve ashtu edhe atë cilesore të tyre, çka pritet të ndikojë sjelljen e aktorëve të tregut të parasë si në drejtim të normave ndërbankare ashtu edhe përdorimin e instrumenteve.

• Vendosjen e komisionit në veprimet që kryhen në sportelet e Bankës së Shqipërisë në kuadrin e ndërmjetësimit të saj në pjesëmarrjen e individëve në tregun primar të bonove të thesarit.

Marrja në konsideratë e ecurisë pozitive të përdorimit të sporteleve të Bankës së Shqipërisë si mundësi konkrete e individëve për të marrë pjesë në tregun primar të bonove të thesarit, kërkesa për të rritur më tej kohëzgjatjen e ofrimit të këtij fasiliteti, ecuria pozitive e vërejtur në sistemin bankar si dhe logjika që zhvillimi i mëtejshëm i tij duhet të bazohet në veprimin e forcave të brendshme të tregut dhe jo të veprimeve administrative, nxorrën në sipërfaqe nevojën e rishikimit të pranisë dhe të funksionimit të sporteleve të Bankës së Shqipërisë.

Ne këtë kuadër, Këshilli Mbikqyrës vendosi që në të gjitha sportelet e Bankës së Shqipërisë të vendoset komision për shpenzimet administrative të Bankës së Shqipërisë.

Këto komisione do të fillojnë të përdoren nga ana e Bankës së Shqipërisë nga data 1 shtator 2005.


Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në këtë mbledhje miratoi dhe rritjen e pagave në masën 10 për qind për punonjësit e Bankës së Shqipërisë, si dhe analizoi ecurinë e aktivitetit kreditues dhe depozitues të sistemit bankar në tremujorin e pare të vitit 2005, e cila paraqitet si më poshtë.


Ecuria e aktivitetit kreditues dhe depozitues të sistemit bankar në tremujorin e parë të vitit 2005.

Aktiviteti depozitues dhe kreditues i sistemit bankar ka patur një ecuri pozitive gjatë tremujorit të parë të vitit 2005. Ritmet e rritjes së tyre janë përshpejtuar, duke tejkaluar parashikimet e programit monetar. Ky zhvillim është favorizuar nga kushtet e përshtatshme monetare në ekonomi, nga konsolidimi i stabilitetit makroekonomik dhe nga rritja e konkurrencës në sistemin bankar.

Niveli i depozitave gjithsej arriti në 392.2 miliardë lekë në fund të tremujorit të parë të vitit, duke arritur në nivelin 45.7 për qind të PBB-së. Kushtet e favorshme monetare, të reflektuara në stabilitetin monetar dhe normat e ulëta të interesit, rritja e flukseve hyrëse valutore dhe konsolidimi i besimit të publikut në sistemin bankar janë shoqëruar me rritjen e depozitave në lekë dhe në valutë në bankat tregtare. Norma e rritjes vjetore të tyre rezultoi në nivelin 15.8 për qind në fund të muajit mars, nga 14.2 për qind në muajin dhjetor 2004. Megjithë uljen e normave të interesit të depozitave në lekë, individët kanë vazhduar të ruajnë preferencën e tyre për të investuar kursimet në depozita në këtë instrument. Norma e rritjes vjetore të depozitave në lekë shënoi vlerën 12.2 për qind në fund të tremujorit. Fluksi i depozitave në lekë ka ndikuar në rritjen e likuiditetit të tepërt të sistemit bankar. Niveli mesatar ditor i likuiditetit ka qenë rreth 8.5 miliardë lekë gjatë tremujorit të parë të vitit 2005, duke shënuar një vlerë 2 herë më të lartë në krahasim me nivelin e tremujorit të katërt të vitit 2004. Ndërkohë, rritja e remitancave dhe stabilizimi i kursit të këmbimit të lekut ndaj euros dhe usd, ka bërë që pesha e depozitave në valutë ndaj totalit të depozitave të rritet. Në muajin mars 2005 depozitat në valutë përbënin 32.6 për qind të totalit të depozitave, nga 31.4 për qind në muajin dhjetor 2004.

Teprica e kredisë është rritur me 9.8 miliardë lekë gjatë tremujorit të parë të vitit 2005 ose rreth tre herë më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Forcimi i lidhjeve midis bizneseve dhe sistemit bankar, rritja e konkurrencës në sistemin bankar kanë sjellë përshpejtim të dukshëm të ritmit të kreditimit. Zhvillimet pozitive në tregun e kredidhënies janë pasqyruar në përmirësimin e gjithë treguesve makroekonomikë të lidhur me kredinë. Në fund të kësaj periudhe kredia për ekonominë arriti në nivelin 10 për qind të PBB-së, nga 8.9 për qind në fund të tremujorit paraardhës. Rritja e tepricës së kredisë ka marrë kryesisht formën e rritjes së kredisë me afat të gjatë maturimi. Rritja e kredisë totale ka pasqyruar edhe ecurinë pozitive të kredisë në lekë. Tendencat e shpërndarjes sektoriale të kredisë tregojnë një rënie të peshës së sektorit të tregtisë gjatë tremujorit të parë të vitit 2005 dhe një rritje të ndjeshme të kredisë për sektorin e ndërtimit dhe të kredisë për pasuri të paluajtshme.