BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë të datës 31 gusht 2005

Data e publikimit: 01.09.2005

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e datës 31 gusht 2005, pasi shqyrtoi propozimin e Departamentit të Politikës Monetare të Bankës së Shqipërisë, vendosi të miratojë:

1. Raportin e politikës monetare për muajin korrik.

ZHVILLIMET KRYESORE

  • Norma vjetore e inflacionit në muajin korrik u ul në 1.8 për qind, nga 2.9 për qind në muajin qershor, duke qëndruar shumë afër kufirit të poshtëm të objektivit të Bankës së Shqipërisë. Norma mesatare vjetore shënoi 2.1 për qind, ndërsa inflacioni mujor ishte -1.2 për qind.
  • Norma vjetore e inflacionit është përcaktuar në një masë të madhe nga inflacioni negativ i mallrave ushqimorë si edhe nga rritja, e mbartur që nga fillimi i vitit, e çmimit të energjisë elektrike. Politika fiskale dhe ajo monetare kanë krijuar një ambient të përshtatshëm për qëndrueshmërinë e çmimeve të konsumit. Gjithashtu, mbiçmimi vjetor i kursit të këmbimit ka zbutur presionet inflacioniste të shkaktuara nga rritja e çmimit të naftës.
  • Zhvillimet makroekonomike kanë kushtëzuar ruajtjen e një qëndrimi neutral të politikës monetare nga Banka e Shqipërisë. Norma e inflacionit vjetor është luhatur në nivele relativisht të ulëta, ndërsa ecuria e treguesve kryesorë monetarë ka reflektuar tendencën me kah zbutjeje që ka patur politika monetare.
  • Rritja vjetore e ofertës monetare në muajin qershor u përshpejtua në 18.3 për qind, nga 15.8 për qind në muajin maj. Kontributin kryesor e ka dhënë rritja vjetore e depozitave në valutë. Gjithashtu, ritmi i rritjes së agregatit M2, ka qenë në rritje, duke reflektuar rritjen e kërkesës për para të qeverisë dhe të ekonomisë në muajin qershor.
  • Në muajin qershor rritja vjetore e parasë jashtë bankave arriti në 14.9 për qind nga 11.6 për qind në muajin maj, kryesisht nën ndikimin e faktorëve të përkohshëm. Kjo rritje ka shtuar nevojat për likuiditet të sistemit bankar, të cilat janë përballuar nëpërmjet uljes së nivelit të likuiditeteve të tepërta të bankave. Si pasojë në muajin qershor është tejkaluar objektivi për mjetet e brendshme neto të Bankës së Shqipërisë.
  • Kredia për ekonominë në muajin qershor arriti në 95.9 miliardë lekë, duke u rritur me 7.1 miliardë lekë brenda muajit. Gjatë muajit qershor është akorduar 12.7 miliardë lekë kredi e re. Ky nivel përbën nivelin më të lartë të kredisë së re të akorduar brenda një muaji.
  • Në muajin qershor normat e interesit për depozitat dhe kreditë në lekë janë ulur. Ndërsa në muajin korrik, në tregun ndërbankar dhe në atë primar të letrave me vlerë të qeverisë, normat e interesit kanë shfaqur rritje të lehtë.
  • Megjithëse nën presionin e efekteve sezonale, leku ka qenë i qëndrueshëm kundrejt valutave kryesore gjatë muajit korrik. Nivelet e këmbimit të lekut në fund të muajit korrik janë 121.3 lek/euro dhe 100.4 lek/usd, kundrejt niveleve përkatësisht 123.9 lek/euro dhe 102.8 lek/usd në fund të muajit qershor.

Raporti i politikës monetare do të publikohet i plotë në Buletinin Zyrtar dhe në Faqen e Internetit të Bankës së Shqipërisë.

 

Kliko këtu për të lexuar njoftimin e plotë