BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, datë 28 janar 2015

Data e publikimit: 28.01.2015

 

Sot, më datë 28 janar 2015, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë zhvilloi mbledhjen e tij të radhës, ku përveç vendimmarrjes së politikës monetare për muajin janar 2015, ndërmjet të tjerash analizoi dhe vendosi:

1- Miratimin e kalendarit të mbledhjeve të Këshillit Mbikëqyrës.

Këshilli Mbikëqyrës miratoi kalendarin e mbledhjeve të tij për vitin 2015, ku janë parashikuar gjithsej 14 mbledhje. Si gjithmonë, prioritet do të ketë vendimmarrja e politikës monetare dhe ajo në drejtim të stabilitetit financiar të sistemit bankar. Një theks i veçantë i është vënë dhe raportimeve periodike të Departamentit të Kontrollit si dhe përmirësimit të bazës rregullatore mbi të cilën ushtron aktivitetin Banka e Shqipërisë si  dhe sistemi bankar. 

Kalendari i mbledhjeve të Këshillit Mbikëqyrës ...  

2- Miratimin e dokumentit të politikës monetare.

Në këtë dokument përshkruhet strategjia e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë. Më konkretisht aty pasqyrohen parimet kryesore mbi të cilat mbështetet hartimi, zbatimi dhe komunikimi i politikës monetare në Bankën e Shqipërisë. Dokumenti zbërthen në terma konkretë dhe transparentë objektivin kryesor të Bankës së Shqipërisë, kuadrin teorik dhe operacional të hartimit e zbatimit të politikës monetare. Dokumenti i Politikës Monetare është hartuar në vazhdim të atij për periudhën 2012-2014. Në linjat kryesore, strategjia e politikës monetare ruan parimet dhe praktikat e ndjekura prej Bankës së Shqipërisë gjatë viteve të fundit. Ajo është pasuruar me elementë të rinj në procesin e analizës dhe të parashikimit, në përputhje me praktikat më të fundit ndërkombëtare në fushën e politikës monetare dhe në përputhje me zhvillimin e ekonomisë dhe të tregut financiar shqiptar. Publikimi i këtij dokumenti shërben për rritjen e transparencës dhe përgjegjshmërisë së Bankës së Shqipërisë. Njëkohësisht, ai shërben për ankorimin e pritjeve të agjentëve ekonomikë drejt objektivit të synuar të inflacionit prej 3.0%, duke ndikuar direkt në rritjen e efektivitetit të politikës monetare.

3- Miratimin e ndryshimeve në Rregulloren "Për Veprimtarinë Valutore"

Në kushtet e mungesës së një ligji të posaçëm për veprimtarinë valutore, rregullimi i transaksioneve të pagesave për veprimet tregtare "zgjidhet", aktualisht, nga Banka e Shqipërisë, nëpërmjet rregullores së sipërcituar. Kjo rregullore përcakton kërkesat që duhet të përmbushin bankat dhe subjektet financiare jobanka, për transfertat e kapitalit, tregtare dhe jotregtare.
Ndryshimet e miratuara sot nga ana e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë  synojnë liberalizimin e mëtejshëm të kërkesave rregullatore për veprimtarinë valutore në Republikën e Shqipërisë, për të nxitur më tej lëvizjen e lirë të kapitalit. Këto ndryshime janë plotësisht në përputhje me rekomandimet e lëna nga ana e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe me frymën që mbart anëtarësimi në Bashkimin Evropian.