BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës, në mbledhjen e datës 12 mars 2020

Data e publikimit: 12.03.2020

 

Masat e ndërmarra nga Qeveria Shqiptare me qëllim frenimin e përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19, pritet të ndikojnë në vëllimin e aktivitetit të bizneseve dhe për rrjedhojë dhe në uljen e gjenerimit të nivelit të të ardhurave. Ngadalësimi i aktivitetit të njësive ekonomike mund të ndikojë në aftësinë paguese të këtyre subjekteve për  tre muajt në vijim.

Në mbështetje të ekonomisë shqiptare në kushtet e situatës së krijuar në vend nga përhapja e infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:

• Miratimin e një ndryshimi në rregulloren “Për administrimin e rrezikut të kredisë nga bankat dhe degët e bankave të huaja”

• Miratimin e një ndryshimi në rregulloren “Për administrimin e rrezikut në veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka”

• Miratimin e një ndryshimi në rregulloren “Për administrimin e rrezikut në veprimtarinë e shoqërive të kursim-kreditit dhe të unioneve të tyre”

Në secilën rregullore u shtua një dispozitë e përkohshme e cila u krijon lehtësi bankave dhe subjekteve financiare jobanka, si dhe shoqërive të kursim-kreditit dhe unioneve të tyre për periudhën mars – maj 2020, që në rastet kur evidentohen paaftësi paguese të kredimmarrrësve të mos jenë subjekt i zbatimit të kërkesave të këtyre rregulloreve që lidhen kryesisht me klasifikimin dhe krijimin e fondeve për provigjione.

Këto ndryshime nuk parashikojnë shpenzime buxhetore dhe as kosto shtesë për subjektet e këtyre rregulloreve.