BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 07 korrik 2021

Data e publikimit: 07.07.2021

 

Në mbledhjen e datës 07 korrik 2021, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi që norma bazë e interesit të mbetet e pandryshuar në nivelin 0.5%, dhe të normat e interesit të depozitës njëditore dhe të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, të mbeten përkatësisht në nivelet 0.1% dhe 0.9%. Përveç kësaj Këshilli Mbikëqyrës shqyrtoi dhe vendosi për:

 DSC7900 498

  • Miratimin e rregullores “Mbi kriteret për përcaktimin e normave të konvertimit të detyrimeve në kapital”

Objekti i kësaj rregulloreje është përcaktimi i kritereve që konsideron Banka e Shqipërisë për përcaktimin e raporteve të konvertimit të detyrimeve në kapital gjatë ushtrimit të kompetencës së zhvlerësimit dhe konvertimit të detyrimeve në kapital të bankës.

  • Miratimin e rregullores “Mbi llojet e marrëveshjeve që do të mbrohen në transferimin e pjesshëm”

Kjo rregullore synon të sigurojë mbrojtjen e marrëveshjeve të caktuara gjatë transferimit të pjesshëm të aktiveve, të drejtave dhe detyrimeve të një banke në ndërhyrje të jashtëzakonshme.

  • Miratimin e rregullores “Për krijimin dhe funksionimin e shoqërisë për administrimin e aktiveve”

Kjo rregullore përcakton kushtet për krijimin dhe funksionimin e Shoqërisë së Administrimit të Aktiveve, si një ndër instrumentet që mund të zbatohen në ndërhyrje të jashtëzakonshme.

 DSC7947 498

Hartimi i tre rregulloreve të sipërpërmendura i shërben plotësimit në vazhdimësi të kuadrit rregullativ të Bankës së Shqipërisë në zbatim të dispozitave të ligjit 133/2016 “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në Banka në Republikën e Shqipërisë”.

  • Miratimin e rregullores “Për rregullat e brendshme të administrimit të sistemit të regjistrit të kredive në Bankën e Shqipërisë”

Kjo rregullore përcakton funksionet, detyrat dhe procedurat e brendshme që përmbushin dhe realizojnë njësi organizative të caktuara të Bankës së Shqipërisë, për administrimin e sistemit të Regjistrit të Kredive.

  • Dhënien e miratimit paraprak për zotërimin e 100 për qind të kapitalit aksionar të Bankës Kombëtare Tregtare sh.a. nga Çalik Holding A.S., Turqi.

Në bazë të këtij vendimi, Këshilli Mbikëqyrës miraton zotërimin të 100 për qind të aksioneve me të drejtë vote të kapitalit aksionar të Banka Kombëtare Tregtare sh.a., nga Çalik Holding  a.Ş., Turqi.

  • Miratimin e Kodit të Etikës për Administrimin e Rezervës Valutore

Ky kod synon të adresojë aspekte etike që lindin gjatë ushtrimit të funksionit të administrimit të rezervës valutore në Bankën e Shqipërisë, duke formalizuar për herë të parë praktikat rigoroze që ndiqen prej vitesh gjatë administrimit të rezervës valutore në institucionin tonë. 

Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.