BANKA E SHQIPËRISË

Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës, në mbledhjen e datës 15 mars 2018

Data e publikimit: 15.03.2018

 

Në mbledhjen e tij të datës 15 mars 2018, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin e Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2017

Raporti vjetor përbën një detyrim ligjor të Bankës së Shqipërisë, me anë të të cilit realizohet llogaridhënia para Kuvendit të Shqipërisë dhe komunikimi me sistemin financiar, mediat dhe publikun. Ai përbën dokumentin më të rëndësishëm që, në mënyrë transparente, informon Kuvendin mbi vendimmarrjen e Këshillit Mbikëqyrës dhe veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë, në përmbushje të objektivave të saj institucionalë, monetarë, operacionale dhe zhvillimorë.

Në raport, ndër të tjera, pasqyrohen:

  • zhvillimet e përgjithshme makroekonomike në vend;
  • politika monetare dhe ajo valutore e ndjekur nga Banka e Shqipërisë;
  • zhvillimet në sistemin bankar dhe rreziqet potenciale me të cilat përballet stabiliteti financiar;
  • aktiviteti mbikëqyrës, licencues dhe rregullator;
  • aktiviteti i emisionit monetar, i sistemit të pagesave, statistikor, kërkimor, komunikues dhe ai i edukimit të publikut;
  • administrimi i burimeve njerëzore;
  • veprimtaria e kontrollit të brendshëm;
  • objektivat afatmesme të institucionit.

Pas prezantimit të tij në Kuvendin e Shqipërisë, çdo i interesuar mund të gjejë një kopje të plotë të Raportit Vjetor, në faqen tonë të internetit http://www.bankofalbania.org/.

Gjatë mbledhjes së sotme, Këshilli Mbikëqyrës shqyrtoi dhe miratoi shpërndarjen e fitimit të Bankës së Shqipërisë për vitin 2017, si dhe rialokimin e disa rezervave të Bankës së Shqipërisë.

Në përfundim, Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me aktivitetin e përditshëm funksional dhe operacional të Bankës së Shqipërisë.