BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 18 dhjetor 2019

Data e publikimit: 18.12.2019

 

Në mbledhjen e datës 18 dhjetor 2019, përveç vendimit për mbajtjen të pandryshuar të normës bazë të interesit në nivelin 1.0%, si dhe të normave të interesit të depozitës njëditore dhe të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, përkatësisht në nivelet 0.1% dhe 1.9%, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin e paketës për shtimin e masave për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit

Paketa përfshin ndryshime në rregulloren “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, rregulloren “Për mbikëqyrjen e konsoliduar” dhe rregulloren “Për mbikëqyrjen e transaksioneve bankare në rrugë elektronike”.

Ndryshimet e këtyre rregulloreve synojnë sigurimin e konsistencës me dispozitat e reja dhe të ndryshuara të ligjit 9917/2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, si dhe plotësimin e paketës së ndryshimeve rregullative në kuadër të angazhimeve të Bankës së Shqipërisë, për zbatimin e rekomandimeve të Komitetit të Ekspertëve të Moneyval, gjatë Raundit V të vlerësimit për Shqipërinë.

Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.