BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 1 korrik 2015

Data e publikimit: 01.07.2015

 

Në mbledhjen e tij të datës 1 korrik 2015, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë:

  • Analizoi raportin e ndërmjetëm të politikës monetare, si dhe vendosi të mbajë të pandryshuar përqindjen e normës bazë të interesit; 
  • Shqyrtoi zhvillimet më të fundit në Greqi, si dhe ndikimet potenciale që ato mund të mbartin për zhvillimet makroekonomike dhe ato financiare në vend;
  • Mori në shqyrtim dhe miratoi:

     1. Disa ndryshime në rregulloret “Për raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit” dhe “Për administrimin e rrezikut nga ekspozimet e mëdha të bankave”.

Sipas këtyre ndryshimeve, investimet e bankave në tituj borxhi të qeverisë shqiptare, në monedhë të huaj, mund të ponderohen me një peshë rreziku prej 50 për qind. Njëkohësisht, sipas ndryshimeve të miratuara në rregulloren “Për administrimin e rrezikut nga ekspozimet e mëdha të bankave”, bankat në llogaritjen e ekspozimeve të lejueshme ndaj qeverisë shqiptare për investimet në titujt në valutë do të përfitojnë reduktim prej 50 për qind.

     2. Vendimin “Për miratimin e rregullores “Për kredinë konsumatore dhe hipotekare për individët”.

Nëpërmjet kësaj rregulloreje, Banka e Shqipërisë synon plotësimin e kuadrit rregullator të autoritetit mbikëqyrës lidhur me mbrojtjen e konsumatorit, rritjen e konkurrencës dhe transparencës për produktet e kredisë konsumatore dhe kredisë hipotekare të ofruara nga bankat dhe subjektet financiare jobanka. Hartimi i kësaj rregulloreje është bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare. 

     3. Vendimin  “Për dhënien e miratimit paraprak për kryerjen e një veprimtarie financiare shtesë nga Banka Alpha Albania sh.a”.

Kryerja  e veprimtarisë së ofrimit të shërbimeve të kasave të sigurisë në këndvështrimin mbikëqyrës, nuk ndikon në pozitën financiare dhe treguesit e mbikëqyrjes. Kasat e sigurisë së bankës disponohen nga banka dhe do i vihen në dispozicion klientit pas nënshkrimit të një marrëveshjeje qiraje midis tij dhe bankës për kushtet e përdorimit.