BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 1 mars 2017

Data e publikimit: 01.03.2017

 

Në mbledhjen e tij të datës 1 mars 2017, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin e Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2016

Raporti vjetor përbën një detyrim ligjor të Bankës së Shqipërisë, me anë të të cilit realizohet llogaridhënia para Kuvendit të Shqipërisë dhe komunikimi me sistemin financiar, mediat dhe publikun. Ai përbën dokumentin më të rëndësishëm ku, në mënyrë transparente, informohet Kuvendi mbi vendimmarrjen e Këshillit Mbikëqyrës dhe veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë, në përmbushje të objektivave të saj institucionale, monetare, operacionale dhe zhvillimore.

Në raport pasqyrohen ndër të tjera:

  • Zhvillimet e përgjithshme makroekonomike në vend;
  • Politika monetare dhe ajo valutore e ndjekur nga Banka e Shqipërisë;
  • Zhvillimet në tregjet financiare dhe rreziqet potenciale me të cilat përballet stabiliteti financiar;
  • Aktiviteti mbikëqyrës, licencues dhe rregullator;
  • Aktiviteti i emisionit monetar, i sistemit të pagesave, kërkimor, komunikues dhe ai i edukimit të publikut;
  • Administrimi i burimeve njerëzore dhe fizike;
  • Veprimtaria e kontrollit të brendshëm;
  • Realizimi i objektivave strategjikë të institucionit për vitin 2016 dhe objektivat kryesore për vitin 2017.

Pas prezantimit të tij në Kuvendin e Shqipërisë, çdo i interesuar mund të gjejë një kopje të plotë të Raportit Vjetor, në faqen tonë të internetit http://www.bankofalbania.org/

Në përfundim, Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me aktivitetin e përditshëm funksional dhe operacional të Bankës së Shqipërisë.