BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 1 shtator 2021

Data e publikimit: 01.09.2021

 

Në mbledhjen e datës 1 shtator 2021, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin e Deklaratës dhe Raportit të Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë 2021

Raporti i Stabilitetit Financiar është një nga dokumentet e rëndësishme periodike të përgatitura nga Banka e Shqipërisë, me qëllim kryesor identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve me të cilat operon sistemi financiar dhe infrastruktura e tij. Në hyrje të dokumentit vendoset Deklarata e Stabilitetit Financiar, publikimi çdo gjashtë muaj i së cilës është një kërkesë që buron nga Ligji "Për Bankën e Shqipërisë".

 DSC9728 498

Banka e Shqipërisë vlerëson se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2021 (më tej, “periudha’”), veprimtaria e sektorit bankar u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme. Depozitat dhe kreditë u rritën, cilësia e kredisë u përmirësua ndjeshëm dhe treguesit e tjerë të qëndrueshmërisë financiare mbetën në nivele të përshtatshme. Në tërësi, ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve u paraqit i kontrolluar. Përmirësimi i situatës shëndetësore mbështeti një rigjallërim të shpejtë të aktivitetit ekonomik. Përvoja e kësaj periudhe, tregon se përshpejtimi i procesit të vaksinimit mbetet i rëndësishëm për të zbutur pasiguritë që ecuria e pandemisë ende ruan mbi zhvillimet e ardhshme ekonomike dhe financiare. Njëherazi, këto pasiguri evidentojnë nevojën që politikat ekonomike, financiare dhe prudenciale të ruajnë elementët e fleksibilitetit për të reaguar në rast nevoje. Për sektorin bankar, mbetet aktuale rëndësia e vlerësimit të rregullt të shkallës së ekspozimit ndaj rreziqeve, dhe e ruajtjes së një qëndrimi proaktiv në drejtim të marrjes së masave për zbutjen dhe përballimin e tyre. Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit, për të mbështetur veprimtarinë bankare dhe kontribuar në stabilitetin e sistemit financiar.

Ndër treguesit kryesorë të veprimtarisë bankare, raporti evidenton përmirësimin e cilësisë së kredisë, ku raporti i kredive me probleme ka rënë gjatë periudhës me 1 pikë përqindje, në nivelin 7.12% (në korrik 2021 ai ka rënë më tej, në 7.05%).

 DSC9775 498

Raporti do të publikohet i plotë në ditët në vijim, në faqen e internetit të Bankës së Shqipërisë http://www.bankofalbania.org/.

  • Miratimin e disa ndryshime në rregulloret “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekare”” dhe “Për funksionimin e regjistrit të kredive në Bankën e Shqipërisë, si dhe kushtet dhe procedurat për njohjen, përdorimin dhe rishikimin e të dhënave që administrohen në të”

Ndryshimet në rregulloren “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekare” synojnë të sigurojnë praktika të drejta në treg, në lidhje me nivelin e normave të interesit, si dhe të kamatëvonesave dhe penaliteteve të aplikuara, sidomos nga subjektet jobanka, për produktet e kredisë konsumatore.

Për rrjedhojë, disa ndryshime u realizuan edhe në rregulloren “Për funksionimin e regjistrit të kredive në Bankën e Shqipërisë, si dhe kushtet dhe procedurat për njohjen, përdorimin dhe rishikimin e të dhënave që administrohen në të” në përputhje me ndryshimet e sipërpërmendura.

  • Miratimin e disa ndryshimeve në rregulloren “Për raportin neto të financimit të qëndrueshëm të bankave”

Nëpërmjet këtyre ndryshimeve, rregullorja pasurohet me dy anekse të reja që përmbajnë format e raportimit dhe udhëzuesit shpjegues për plotësimin e tyre, të cilët do të shërbejnë për përllogaritjen e treguesit dhe raportimin e tyre në Bankën e Shqipërisë në sistemin ERRS. Ndryshimet gjithashtu parashikojnë vendosjen e një kufiri minimal të raportit neto të financimit të qëndrueshëm prej 100%, edhe për totalin e monedhave të huaja të rëndësishme, në konsistencë me të njëjtën kërkesë të parashikuar për raportin e mbulimit me likuiditet, por edhe për treguesin tradicional të likuiditetit.

  • Miratimin e një ndryshimi në rregulloren “Për raportin e mbulimit me likuiditet”

Ky ndryshim konsiston në rishikimin e përkufizimit të konceptit “monedhë e rëndësishme”, në përputhje me ndryshimet rregullative të BE-së të vitit 2019, të parashikuara në dispozitat e rregullores evropiane 2019/876/EU (CRR2).

Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.