BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 29 mars 2017

Data e publikimit: 29.03.2017

 

Në mbledhjen e tij të datës 29 mars 2017, përveç vendimit për mbajtjen të pandryshuar të normës bazë të interesit në nivelin 1.25% si dhe të normave të interesit të depozitës njëditore dhe të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, përkatësisht në nivelet 0.25% dhe 2.25%,.Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin e pasqyrave financiare të Bankës së Shqipërisë për vitin 2016

Këto pasqyra janë audituar nga KPMG Albania Sh.p.k., dhe së bashku me raportin e audituesit të pavarur janë pjesë e Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2016. Ky është viti i dytë që Banka publikon pasqyrat financiare në përputhje me standardet ndërkombëtare të raportimit financiar (SNRF).

Në fund të vitit 2016, totali i aktiveve të Bankës së Shqipërisë është rreth 525 miliardë lekë, rreth 30 miliardë lekë më i lartë se në fund të vitit 2015. Peshën më të lartë në totalin e aktiveve e zënë investimet në letra me vlerë të huaja, pjesë e rezervës valutore të Bankës së Shqipërisë, me 50 për qind.

  • Miratimin e dokumentit "Kodi i praktikave për statistikat në Bankën e Shqipërisë"

Ky kod përcakton dokumentin e politikave dhe të standardeve për mbledhjen, hartimin dhe shpërndarjen e produktit statistikor të Bankës së Shqipërisë, në kuadër të respektimit të kriterit të cilësisë së tij, si një faktor kyç për ruajtjen e besimit të publikut në statistikat e Bankës së Shqipërisë.

Kodi do t'u vijë në ndihmë përdoruesve të informacionit statistikor, furnizuesve të të dhënave dhe prodhuesve të produkteve statistikore. Ai siguron transparencë, barazi dhe paanshmëri në trajtimin e njësive raportuese (furnizuesit e të dhënave) dhe shërben si udhëzues për punonjësit e Bankës të përfshirë në zhvillimin dhe shpërndarjen e statistikave.

Në përfundim, Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me aktivitetin e përditshëm funksional dhe operacional të Bankës së Shqipërisë.