BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 2 dhjetor 2020

Data e publikimit: 02.12.2020

 


 Në mbledhjen e tij të datës 2 dhjetor 2020, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

⦁    Miratimin e Rregullores “Për raportin neto të financimit të qëndrueshëm të bankave”.

Objekt i kësaj rregulloreje është përcaktimi i kritereve dhe rregullave për llogaritjen e raportit neto të financimit të qëndrueshëm të bankave dhe i nivelit minimal të raportit neto të financimit të qëndrueshëm. Kjo rregullore vjen në kuadër të përafrimit të mëtejshëm të kërkesave të Bankës së Shqipërisë me kërkesat e Komitetit të Bazelit dhe të rregulloreve evropiane për administrimin e rrezikut të likuiditetit, në përmbushje të objektivave strategjikë të Bankës së Shqipërisë për implementimin e kërkesave të Bazel III.

DSC 2713 498

⦁    Miratimin e disa ndryshimeve në Rregulloren “Për raportimet në Bankën e Shqipërisë sipas sistemit raportues të unifikuar”

Këto ndryshime synojnë përshtatjen e sistemit raportues të shoqërive të kursim-kreditit dhe Unioneve të tyre, me kërkesat e rishikuara  të rregullores 105/2020 “Për administrimin e rrezikut në veprimtarinë e shoqërive të kursim - kreditit dhe të unioneve të tyre”. Kjo  do të sigurojë  më tepër informacion në funksion të  mbikëqyrjes nga jashtë të këtyre subjekteve, si dhe  më tepër të dhëna me natyrë statistikore.

⦁    Miratimin e Rregullores “Për funksionimin e Regjistrit të Kredive në Bankën e Shqipërisë, si dhe kushtet dhe procedurat për njohjen, përdorimin dhe rishikimin e të dhënave që administrohen në të”

Kjo rregullore ka si qëllim të rregullojë funksionimin e sistemit të ri të Regjistrit të Kredive, kushtet dhe procedurat e nevojshme për njohjen, përdorimin dhe rishikimin e të dhënave, si dhe tarifat për përdorimin e të dhënave që raportohen pranë këtij sistemi. Regjistri i Kredive është ndërtuar në vitin 2008 dhe gjatë periudhës së fundit Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një projekt për përmirësimin e tij, i cili do të fillojë funksionalitetin në dhjetor 2020.

Sistemi i ri do të ofrojë një infrastrukturë teknologjike të zhvilluar, do të rrisë eficiencën e përdorimit të tij nga të gjitha grupet e interesit, si dhe do të adresojë problematikat e ngritura nga bankat, institucionet financiare jo banka, shoqëritë e kursim kreditit dhe unionet e tyre.

DSC 2645 498

⦁    Miratimin paraprak për kryerjen e veprimtarive financiare shtesë nga Banka Amerikane e investimeve sh.a.

Në bazë të këtij miratimi, Banka Amerikane e investimeve sh.a do të kryejë veprimtarinë financiare shtesë të: 

a.    tregtimit për llogari të saj ose për llogari të klientëve, qoftë dhe në një këmbim valutor, në një treg të vetorganizuar (OTC) ose ndryshe, si më poshtë: 
- pjesëmarrjen në emetimin e të gjitha llojeve të letrave me vlerë, duke përfshirë nënshkrimin dhe vendosjen si agjent (si publik, ashtu edhe privat) dhe kryerjen e shërbimeve lidhur me këto emetime; 
b.    shërbimeve këshilluese, ndërmjetëse dhe shërbime të tjera ndihmëse për  veprimtarinë e mësipërme duke përfshirë referencën e kredisë dhe të analizës, kërkimin dhe këshillimin në lidhje me investimet dhe portofolin si dhe këshillimin mbi blerjet e mbi strategjinë dhe ristrukturimin e shoqërive.

⦁    Miratimin paraprak për kryerjen e veprimtarive financiare shtesë nga Banka Credins sh.a.
Në bazë të këtij miratimi, Banka Credins sh.a do të kryejë veprimtarinë financiare shtesë të: 
a.    marrjes së angazhimeve;
b.    tregtimin për llogari të saj ose për llogari të klientëve, qoftë dhe në një këmbim valutor, në një treg të vetorganizuar (OTC) ose ndryshe, si më poshtë:
i.    produkte derivative (instrumente derivative), duke përfshirë, midis të tjerave, kontrata  të së ardhmes (futures) dhe kontrata me opsione (options);
ii.    instrumente të tjera të negociueshme dhe aktive financiare;
iii.    pjesëmarrjen në emetimin e të gjitha llojeve të letrave me vlerë, duke përfshirë  nënshkrimin dhe vendosjen si agjent (si publik, ashtu edhe privat) dhe kryerjen e shërbimeve lidhur me këto emetime;
c.    ndërmjetësimin për transaksionet monetare të mëposhtme:
i.    administrimin e aktiveve të tilla, si administrimi i parave dhe i portofolit, administrimi i fondeve;
ii.    shërbimin për kompensimin dhe shlyerjen e pagesave të aktiveve financiare, duke përfshirë letrat me vlerë, produktet derivative dhe instrumente të tjera të negociueshme; 
iii.    sigurimin dhe transferimin e informacionit financiar, si dhe përpunimin e të dhënave financiare e të programeve që kanë lidhje me të, nga furnizuesit e shërbimeve të tjera financiare;
d.    shërbimet këshilluese, ndërmjetëse dhe shërbime të tjera ndihmëse. 

⦁    Zgjedhjen e London School of Economics, Institute of Global Affairs si bashkëpunëtor të jashtëm të Bankës së Shqipërisë

Në bazë të këtij vendimi, Këshilli Mbikëqyrës miratoi marrëveshjen e bashkëpunimit të Bankës së Shqipërisë me London School of Economics (LSE), Institute of Global Affairs. LSE renditet në krye të listës së universiteteve në rang global duke u vlerësuar në 10 universitetet më të mira në botë në fushat e studimeve sociale, ekonomike, politike,  shoqërore e ndërkombëtare. 

Ky bashkëpunim synon rritjen e kapaciteteve analizuese dhe kërkimore të Bankës së Shqipërisë, thellimin e njohurive mbi zhvillimet ekonomike, financiare, politike e institucionale si dhe mbi sfidat me të cilat përballet Shqipëria dhe rajoni i Evropës Juglindore në këto aspekte.

Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.