BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 2 gusht 2017

Data e publikimit: 02.08.2017

 

Në mbledhjen e tij të datës 2 gusht 2017, përveç vendimit për mbajtjen të pandryshuar të normës bazë të interesit në nivelin 1.25%, si dhe të normave të interesit të depozitës njëditore dhe të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, përkatësisht në nivelet 0.25% dhe 2.25%, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin e Strategjisë së Politikës Makroprudenciale në Bankën e Shqipërisë

Politika makroprudenciale ka si qëllim të ndihmojë në sigurimin e stabilitetit të të gjithë sistemit financiar, përmes parandalimit dhe zbutjes së rreziqeve sistemike dhe forcimit të rezistencës së sistemit financiar. Strategjia e politikës makroprudenciale ofron një kuadër operacional të përgjithshëm për zbatimin e kësaj politike, i cili do të kontribuojë në përmbushjen e kërkesave për transparencë dhe përgjegjshmëri mbi punën e Bankës së Shqipërisë në këtë drejtim.

Strategjia përcakton:

  • rolin e Bankës së Shqipërisë si autoritet kryesor i ushtrimit të politikës makroprudenciale, nisur nga përparësitë dhe sinergjitë që ofron profili i saj si autoritet monetar, i mbikëqyrjes mikroprudenciale dhe (së fundi) i ndërhyrjes së jashtëzakonshme në banka;
  • objektivat e politikës makroprudenciale, fushën e zbatimit të saj dhe lidhjen e objektivave me instrumentet makroprudenciale, mbështetur në standardet më të mira ndërkombëtare dhe modelin që ofrohet në legjislacionin e Bashkimit Evropian;
  • strukturat e Bankës së Shqipërisë që përfshihen në ciklin e politikës makroprudenciale, mbështetur në modelet ndërkombëtare dhe në përvojën e deritanishme;
  • mënyrën e bashkëpunimit, brenda institucionit dhe në nivel ndërinstitucional;
  • mënyrën e komunikimit në publik të politikës makroprudenciale, duke e njohur atë si një shërbim të rëndësishëm për përmirësimin e efektivitetit të saj dhe për balancimin e fuqive institucionale me nevojën për transparencë dhe llogaridhënie.

Ky dokument do të publikohet i plotë në faqen tonë të internetit www.bankofalbania.org

  • Miratimin paraprak për kryerjen e një veprimtarie financiare shtesë nga Banka Credins sh.a.

Në bazë të këtij miratimi, Banka Credins sh.a. do të kryejë veprimtarinë financiare shtesë si ndërmjetës në sigurime.

Në përfundim, Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me aktivitetin e përditshëm funksional dhe operacional të Bankës së Shqipërisë.