BANKA E SHQIPËRISË

Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 2 maj 2018

Data e publikimit: 02.05.2018

 

Në mbledhjen e sotme, datë 2 maj 2018, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, përveç vendimit për mbajtjen të pandryshuar të normës bazë të interesit në nivelin 1.25%, si dhe të normave të interesit të depozitës njëditore dhe të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, përkatësisht në nivelet 0.25% dhe 2.25%, mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Rishikimin e dokumentit “Politika e mbikëqyrjes së sistemeve të pagesave dhe të shlyerjes

Rishikimi i dokumentit “Politika e mbikëqyrjes së sistemeve të pagesave dhe të shlyerjes” synon ndryshimin e kritereve, mënyrën dhe frekuencën e kryerjes së klasifikimit të sistemeve sipas rëndësisë sistemike që ato paraqesin, me qëllim përafrimin me standardet evropiane.

  • Miratimin e disa ndryshimeve në rregulloren “Mbi raportimet në Bankën e Shqipërisë sipas Sistemit Raportues të Unifikuar”

Ndryshimet synojnë përmirësimin e mbarëvajtjes së raportimit rregullator mes Bankës së Shqipërisë dhe subjekteve raportuese, si rrjedhojë e implementimit të Sistemit Elektronik Raportues Rregullator (ERRS). Një tjetër ndryshim parashikon edhe heqjen e detyrimit të raportimit në kopje letër për subjektet financiare jobanka dhe për shoqëritë e kursim-kreditit.

  • Miratimin e disa ndryshimeve në rregulloren “Për raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit”

Nëpërmjet këtyre ndryshimeve, shfuqizohet një prej masave kundërciklike të vendosura fillimisht për bankat në vitin 2013, e cila përcaktonte kërkesa shtesë për kapital, në rastet e rritjes së investimeve të tyre neto në institucionet financiare jorezidente.

Shfuqizimi i kësaj mase vjen pas rënies së ritmit të investimeve me jorezidentët dhe është i nevojshëm për të siguruar përputhshmëri me objektivat dhe përcaktimet e masave për nxitjen e përdorimit të monedhës kombëtare në veprimtarinë e sistemit financiar (e njohur edhe si “paketa e deeuroizimit”).

  • Zgjedhjen e London School of Economics, Institute of Global Affairs si bashkëpunëtor të jashtëm të Bankës së Shqipërisë

Në bazë të këtij vendimi, Këshilli Mbikëqyrës miratoi marrëveshjen e bashkëpunimit të Bankës së Shqipërisë me London School of Economics (LSE), Institute of Global Affairs. LSE renditet në 10 universitetet më të mira në botë në fushat e financës, ekonomiksit dhe ekonometrisë si edhe në fushat legjislative, politike e atë të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Ky bashkëpunim do të synojë rritjen e kapaciteteve analizuese dhe kërkimore të Bankës së Shqipërisë, thellimin e njohurive mbi zhvillimet politiko-ekonomike e financiare, si dhe mbi sfidat me të cilat përballet Shqipëria dhe rajoni i Evropës Juglindore në këto aspekte.

Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.