BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 2 mars 2016

Data e publikimit: 02.03.2016

 

Në mbledhjen e tij të datës 2 mars 2016, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin e Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2015

Raporti vjetor përbën detyrimin ligjor të Bankës së Shqipërisë, me anë të të cilit realizohet llogaridhënia para Kuvendit të Shqipërisë. Ai përbën një dokument të rëndësishëm ku, në mënyrë transparente, informohet Kuvendi mbi vendimmarrjen e  Këshillit Mbikëqyrës dhe veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë, në përmbushje të objektivave të saj institucionale, monetare, valutore, mbikëqyrëse, operacionale dhe zhvillimore.

Më konkretisht, në të pasqyrohen:

  • Zhvillimet e përgjithshme makroekonomike në vend;
  • Politika monetare dhe ajo valutore e ndjekur nga Banka e Shqipërisë;
  • Zhvillimet në tregjet financiare dhe rreziqet potenciale me të cilat përballet stabiliteti financiar;
  • Aktiviteti mbikëqyrës, licencues dhe rregullator;
  • Aktiviteti i emisionit monetar, i sistemit të pagesave, kërkimor, komunikues dhe ai i edukimit të publikut;
  • Administrimi i burimeve njerëzore dhe shërbimeve logjistike;
  • Veprimtaria e kontrollit të brendshëm;
  • Bilanci kontabël, pasqyrat financiare dhe deklarata e auditorit të jashtëm;
  • Objektivat kryesore të institucionit për vitin 2016.

Pas miratimit të tij nga ana e Kuvendit të Shqipërisë, çdo i interesuar mund të gjejë një kopje të plotë të Raportit Vjetor, në faqen tonë të internetit: www.bankofalbania.org

Në përfundim, Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me aktivitetin e përditshëm funksional dhe operacional të Bankës së Shqipërisë.