BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 2 shtator 2015

Data e publikimit: 02.09.2015

 

Në mbledhjen e tij të datës 2 shtator 2015, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, përveç vendimit për mbajtjen të pandryshuar të normës bazë të interesit në nivelin 2.0%, mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin e rregullores “Për sistemin e kontrollit të brendshëm” në banka

Rregullorja sjell në version të rishikuar tërësinë e kuadrit të organizimit dhe rregullimit të veprimtarisë së sistemit të kontrollit të brendshëm të bankave. Ajo synon forcimin e rolit të kontrollit të brendshëm në banka, rritjen e pavarësisë dhe të profesionalizmit të tij, si dhe përafrimin me standardet e Komitetit të Bazelit për kontrollin e brendshëm dhe praktikat më të mira ndërkombëtare të kësaj fushe.

  • Miratimin e disa akteve ligjore lidhur me funksionimin e Muzeut të Bankës së Shqipërisë dhe veprimtarive të lidhura me të

Muzeu i Bankës së Shqipërisë, përveç funksioneve muzeale dhe edukative në fushën e monedhës dhe bankingut qendror, do të kryejë edhe funksionin e shtypjes së monedhave përkujtimore dhe tregtimit të fondit numizmatik për shitje të Bankës së Shqipërisë për të gjithë të interesuarit.

Në vijim të mbledhjes, Këshilli Mbikëqyrës u njoh edhe me informacione të tjera të lidhura me aktivitetin e përditshëm funksional dhe operacional të Bankës së Shqipërisë.