BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 30 mars 2016

Data e publikimit: 30.03.2016

 

Në mbledhjen e tij të datës 30 mars 2016, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin e pasqyrave financiare të Bankës së Shqipërisë për vitin 2015

Për herë të parë, pasqyrat financiare për vitin ushtrimor 2015, janë përgatitur në përputhje të plotë me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (SNRF). Përgatitja e pasqyrave  sipas këtyre standardeve përbën një arritje të rëndësishme për Bankën e Shqipërisë në drejtim të forcimit të integritetit të raportimit financiar dhe transparencës së saj.  

Këto pasqyra janë audituar nga KPMG Albania Sh.p.k., dhe së bashku me raportin e audituesit të pavarur janë pjesë e Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2015.

  • Miratimin e Deklaratës dhe Raportit të Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e dytë 2015

Raporti i Stabilitetit Financiar është një nga dokumentet e rëndësishme periodike të përgatitura nga Banka e Shqipërisë me qëllim kryesor identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve me të cilat ndeshet sistemi financiar dhe infrastruktura e tij. Në hyrje të dokumentit vendoset Deklarata e Stabilitetit Financiar, publikimi çdo gjashtë muaj i së cilës është një kërkesë që buron nga Ligji “Për Bankën e Shqipërisë”.

Raporti i miratuar sot është i pesëmbëdhjeti që nga momenti i parë i publikimit. Ai analizon zhvillimet e ndodhura në 6-mujorin e dytë të vitit 2015. Gjatë periudhës, treguesit financiarë që lidhen me shëndetin, kapitalizimin dhe likuiditetin e veprimtarisë së sektorit bankar, janë  përmirësuar, duke forcuar kështu kapacitetet e sektorit për të përballuar rreziqet e veprimtarisë.

Raporti do të publikohet i plotë në ditët në vijim në faqen e internetit të Bankës së Shqipërisë www.bankofalbania.org .

  • Miratimin paraprak për kryerjen e veprimtarive shtesë nga Banka Ndërkombëtare Tregtare sh.a.

Në bazë të këtij miratimi, Banka Ndërkombëtare Tregtare sh.a. do të ketë të drejtën të kryejë veprimtarinë financiare shtesë të ofrimit të garancive dhe marrjes së angazhimeve si dhe të tregtimit për llogari të saj, qoftë dhe në një këmbim valutor, në një treg të vetorganizuar ose ndryshe, të letrave me vlerë të transferueshme.

  • Miratimin e disa ndryshime në rregulloren “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë nga subjektet financiare jobanka” dhe në rregulloren “Për licencimin, organizimin, veprimtarinë dhe mbikëqyrjen e zyrave të këmbimit valutor”

Ndryshimet e miratuara janë hartuar në përputhje me Ligjin “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit” si dhe legjislacionin e Bashkimit Evropian. Në këto modifikime janë materializuar gjithashtu edhe gjetjet  e dala nga disa praktika të licencimit të institucioneve financiare jobanka. Ndryshimet synojnë të sigurojnë një qasje mbikëqyrëse më efektive ndaj subjekteve financiare jobanka dhe institucioneve të parasë elektronike.

Më konkretisht, dy momentet  më kryesore konsistojnë në:
- dhënien e të drejtës subjekteve financiare jobanka, për të ushtruar veprimtarinë e sigurimit dhe ri-sigurimit, vetëm pas marrjes së miratimit nga Banka e Shqipërisë;
- përcaktimin e një nënkategorie të subjekteve financiare jobanka, të cilat do të kryejnë vetëm administrimin e kredive me probleme, si rrjedhojë e blerjes së portofoleve me probleme nga banka ose subjekte të tjera financiare jobanka që ushtrojnë veprimtarinë e kredidhënies, duke përcaktuar kërkesa më lehtësuese për kapitalin.

  • Miratimin e disa ndryshimeve në rregulloren “Për administrimin e rrezikut të kredisë nga bankat dhe degët e bankave të huaja” dhe në rregulloren “Për Raportin e Mjaftueshmërisë së Kapitalit”

Nëpërmjet miratimit të këtyre ndryshimeve përmbushen angazhimet e Bankës së Shqipërisë të ndërmarra në kuadrin e planit ndërinstitucional të masave “Për reduktimin e kredive me probleme në sistemin bankar”.

Më konkretisht, këto ndryshime konsistojnë në saktësimin dhe përcaktimin më të mirë të procedurave që lidhen me regjistrimin dhe mbajtjen e kredive me probleme të fshira nga bilancet e bankave; me ndjekjen e procedurave ligjore për arkëtimin e kredive pavarësisht fshirjes së tyre; me zgjatjen e afatit të mbajtjes në bilancin e bankave të mjeteve të marra në pronësi nga bankat nga shlyerja e kredive deri në shtatë 7 vjet; me aplikimin e një peshe rreziku të lartë prej 150% të këtyre aktiveve, me krijimin e fondeve rezervë për humbje të mundshme të vlerës të mjeteve të mbajtura në pronësi në raport me vlerën e tyre kontabël në librat e bankës.

Në përfundim, Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me aktivitetin e përditshëm funksional dhe operacional të Bankës së Shqipërisë.