BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 3 gusht 2016

Data e publikimit: 03.08.2016

 

Në mbledhjen e datës 3 gusht 2016, përveç vendimit për mbajtjen të pandryshuar të normës bazë të interesit në nivelin 1.25%, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin e Raportit Tremujor të Politikës Monetare

Raporti Tremujor i Politikës monetare është një nga instrumentet kryesore të komunikimit të politikës monetare në publik. Në të analizohen zhvillimet më të fundit ekonomike, ato monetare dhe financiare. Një vend të veçantë zënë dhe faktorët që pritet të ndikojnë inflacionin në të ardhmen.

Raporti i politikës monetare do të publikohet i plotë në ditët në vijim në faqen e internetit të Bankës së Shqipërisë http://www.bankofalbania.org/.

  • Miratimin paraprak për kryerjen e veprimtarive shtesë nga Banka Amerikane e Investimeve sh.a.

Në bazë të këtij miratimi, Banka Amerikane e Investimeve sh.a. do të ketë të drejtën të kryejë disa veprimtari financiare shtesë, të cilat do të përfshihen në aneksin e licencës së kësaj banke.

Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.