BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 3 shkurt 2016

Data e publikimit: 03.02.2016

 

Në mbledhjen e tij të datës 3 shkurt 2016, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, përveç vendimit për mbajtjen të pandryshuar të normës bazë të interesit në nivelin 1.75%, mori në shqyrtim dhe vendosi:

1. Miratimin e rregullores së re “Mbi organizimin dhe funksionimin e Komitetit Këshillimor të Stabilitetit Financiar”

Komiteti Këshillimor i Stabilitetit Financiar është një organ i brendshëm i Bankës së Shqipërisë, i ngritur në vitin 2007, i cili ka për qëllim të ndihmojë vendimmarrjen e strukturave drejtuese në çështjet e stabilitetit të sistemit financiar. Rregullorja e re qartëson më shumë detyrat, rolin, mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të këtij Komiteti.

2. Miratimin e disa ndryshimeve në rregulloren "Për licencimin, rregullimin dhe mbikëqyrjen e operatorëve të skemave kombëtare të pagesave me kartë”

Ndryshimet konsistojnë në ripërcaktimin e kompetencave vendimmarrëse bazuar në rëndësinë dhe rreziqet e mbartura nga subjekti i licencuar.

3. Miratimin e disa shtesave dhe ndryshimeve në rregulloren “Mbi asgjësimin e kartëmonedhave, monedhave metalike shqiptare dhe bonove të privatizimit”

Këto ndryshime kanë për qëllim përmirësimin e rregullave dhe procedurave që zbatohen për asgjësimin e kartëmonedhave dhe monedhave, kryesisht në drejtim të dorëzimit dhe marrjes në dorëzim të fondeve, mbikëqyrjes së procesit si dhe rritjes së efektivitetit të tij.

4. Miratimin e një ndryshimi “Për miratimin e normës së interesit për remunerimin e rezervës së detyruar dhe të tepricave të subjekteve bankare”

Në bazë të këtij ndryshimi, rezervat e tepërta në euro të bankave të depozituara pranë Bankës së Shqipërisë do të remunerohen me 25 pikë bazë nën normën e interesit të depozitës së Bankës Qendrore Evropiane.

5. Miratimin e një ndryshimi në rregulloren “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së bankave dhe degëve të bankave të huaja në Republikën e Shqipërisë”

Ndryshimi synon të përshtatë dhe unifikojë terminologjinë bankare lidhur me sistemin e vlerësimit të rreziqeve me dokumentin “Politikat e Mbikëqyrjes” dhe manualin “Sistemi i Vlerësimit të Rreziqeve”.

Në përfundim, Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me aktivitetin e përditshëm funksional dhe operacional të Bankës së Shqipërisë.