BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 4 nëntor 2020

Data e publikimit: 04.11.2020

 

Në mbledhjen e datës 4 nëntor 2020, përveç vendimit për mbajtjen të pandryshuar të normës bazë të interesit në nivelin 0.5%, si dhe të normave të interesit të depozitës njëditore dhe të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, përkatësisht në nivelet 0.1% dhe 0.9%, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin e Rregullores “Për përcaktimin e kushteve kur zbatohen masat e ndërhyrjes së hershme dhe për kushtet dhe mënyrën e kryerjes së administrimit të përkohshëm”

Kjo rregullore synon zbatimin e dispozitave të ligjit 133/2016 “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, në Republikën e Shqipërisë”, i cili përcakton detyrimin për autoritetin mbikëqyrës për përcaktimin me akt nënligjor të kushteve kur zbatohen masat e ndërhyrjes së hershme dhe për kushtet dhe mënyrën e kryerjes së administrimit të përkohshëm.

  • Miratimin e Rregullores “Për krijimin, licencimin, mbikëqyrjen, funksionimin dhe përfundimin e veprimtarisë të bankës urë”

Banka urë është një instrument në dispozicion të Bankës së Shqipërisë që krijohet me qëllim që të sigurojë vazhdimësinë e funksioneve kritike të bankës tregtare në ndërhyrje të jashtëzakonshme. Rregullorja mbi bankën urë vjen si  një rishikim tërësor i rregullores në fuqi dhe synon të sigurojë  përputhshmërinë me dispozitat e ligjit 133/2016 “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka në Republikën e Shqipërisë”.  

  • Miratimin e Rregullores “Për raportin e levës financiare të bankave”

Kjo rregullore përcakton kriteret dhe rregullat për llogaritjen e raportit të levës financiare të bankave,  si dhe të nivelit minimal të këtij raporti. Rregullorja vjen në kuadër të përafrimit të mëtejshëm të kërkesave të Bankës së Shqipërisë me kërkesat e Bazel III mbi raportin e levës financiare dhe të rregulloreve evropiane[1] mbi raportin e levës financiare, në përmbushje edhe të objektivave strategjikë të Bankës së Shqipërisë dhe të angazhimeve të saj  në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe të hapave që do të ndërmerren për përputhshmërinë me Acquis të Bashkimit Evropian.

Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.


[1] Rregullores 575/2013/EU (Capital Requirements Regulation-CRR) e ndryshuar me Rregulloren 2019/876/EU.