BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 5 prill 2017

Data e publikimit: 05.04.2017

 

Në mbledhjen e tij të datës 5 prill 2017, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin e Deklaratës dhe Raportit të Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e dytë 2016

Raporti i Stabilitetit Financiar është një nga dokumentet e rëndësishme periodike të përgatitura nga Banka e Shqipërisë me qëllim kryesor identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve me të cilat ndeshet sistemi financiar dhe infrastruktura e tij. Në hyrje të dokumentit vendoset Deklarata e Stabilitetit Financiar, publikimi çdo gjashtë muaj i së cilës është një kërkesë që buron nga Ligji "Për Bankën e Shqipërisë".

Në këtë raport, Banka e Shqipërisë vlerëson që veprimtaria e sektorit bankar dhe e sistemit financiar në përgjithësi, ka vijuar në mënyrë të qëndrueshme gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2016. Në tërësi, ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve të ndryshme mbetet i kontrolluar dhe treguesit kryesorë të veprimtarisë që lidhen me kapitalizimin, likuiditetin dhe përfitueshmërinë, evidentojnë kapacitetin e tij të plotë për të përballuar rreziqet e veprimtarisë në kushte normale, si edhe për të treguar një rezistencë të mirë ndaj goditjeve më të forta.

Raporti do të publikohet i plotë në ditët në vijim në faqen e internetit të Bankës së Shqipërisë http://www.bankofalbania.org/.

  • Miratimin e disa ndryshimeve në rregulloren "Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit"

Qëllimi kryesor i rishikimit të kësaj rregulloreje është plotësimi dhe përmirësimi në vazhdimësi i kuadrit rregullator të autoritetit mbikëqyrës, në përshtatje me kërkesat bashkëkohore për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit, të parashikuara në direktivat evropiane, si dhe praktikat më të mira në këtë fushë.

Në përfundim, Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me aktivitetin e përditshëm funksional dhe operacional të Bankës së Shqipërisë.