BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 5 shkurt 2020

Data e publikimit: 05.02.2020

 

Në mbledhjen e datës 5 shkurt 2020, përveç vendimit për mbajtjen të pandryshuar të normës bazë të interesit në nivelin 1.0%, si dhe të normave të interesit të depozitës njëditore dhe të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, përkatësisht në nivelet 0.1% dhe 1.9%, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin e rregullores “Për përcaktimin e kushteve për dhënien e miratimit paraprak për marrëveshjen e mbështetjes financiare brenda grupit bankar”

Kjo rregullore vjen në zbatim të dispozitave të ligjit 133/2016 “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, në Republikën e Shqipërisë”. Ligji parashikon detyrimin e Bankës së Shqipërisë për të përcaktuar, me akt nënligjor, kushtet për dhënien e miratimit paraprak për marrëveshjen e mbështetjes financiare brenda grupit bankar. Rregullorja e miratuar përcakton kushtet kur mund të ofrohet mbështetja financiare brenda grupit bankar, si dhe kërkesat për dokumentacion dhe përmbajtjen e tij me qëllim marrjen e miratimit nga Banka e Shqipërisë.

  • Miratimin e disa ndryshimeve në rregulloren “Për raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit”

Ndryshimet e miratuara në rregulloren “Për raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit” synojnë kryesisht sigurimin e përputhshmërisë së mëtejshme me kërkesat e direktivës  evropiane 575/2013, por gjithashtu adresojnë edhe disa nga çështjet e ndeshura gjatë zbatimit të kërkesave të rregullores nga bankat dhe të procesit të mbikëqyrjes të ushtruar nga Banka e Shqipërisë.

  • Rishikimin e tarifave të përdorimit të informacionit që mbahet në Regjistrin e Kredive nga raportuesit e të dhënave

Ky vendim parashikon ndryshimin e tarifave për pajisjen me Raportin e Kredimarrësit, të gjeneruar nga Regjistri i Kredive, si më poshtë:

- eliminimin e tarifës prej 500 Lekë, e pagueshme nga individët kur pajisen me këtë raport;

- rritjen me 50% të tarifave për përdorimin e sistemit të Regjistrit të Kredive nga bankat dhe institucionet e tjera financiare.

  • Miratimin paraprak për kryerjen e veprimtarisë financiare shtesë nga Banka Tirana sh.a.

Në bazë të këtij miratimi, Banka Tirana sh.a. do të kryejë veprimtarinë financiare shtesë të ndërmjetësimit në sigurime dhe risigurime, duke vepruar si broker në sigurime.

Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.