BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 5 tetor 2016

Data e publikimit: 05.10.2016

 

Në mbledhjen e datës 5 tetor 2016, përveç vendimit për mbajtjen të pandryshuar të normës bazë të interesit në nivelin 1.25%, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin e kuadrit të ri nënligjor për veprimtarinë e shoqërive të kursim-kreditit (SHKK) dhe unioneve të tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Nevoja për rishikimin tërësor të kuadrit nënligjor mbi veprimtarinë e shoqërive të kursim-kreditit dhe unioneve të tyre mori shkas nga miratimi nga ana e Kuvendit të Shqipërisë të Ligjit nr.52/2016, datë 19.05.2016 "Për shoqëritë e kursim - kreditit dhe unioneve të tyre".

Më konkretisht, kuadri i ri nënligjor i përshtatur me dispozitat e ligjit të ri konsiston në hartimin dhe miratimin e:

a) Rregullores "Për licencimin e shoqërive të kursim-kreditit dhe të Unioneve të tyre";

b) Rregullores "Për administrimin e rrezikut në veprimtarinë e shoqërive të kursim-kreditit dhe të Unioneve të tyre";

c) Sistemit Raportues për Shoqëritë e Kursim-Kreditit dhe të Unioneve të tyre;

d) Disa shtesave në rregulloren "Për kërkesat minimale të sigurisë në ambientet në të cilat kryhen veprimtaritë bankare dhe financiare dhe për transportin e vlerave monetare".

Drejtimet kryesore ku konsistojnë përmirësimet janë:

  • Forcimi i kërkesave për licencim, të cilat synojnë të rrisin përgjegjshmërinë e SHKK dhe Unioneve të tyre, si dhe të forcojnë rolin mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për këto subjekte;
  • Kërkesa të reja për administrimin e rrezikut, duke prezantuar për herë të parë parimet dhe rregullat bazë të drejtimit të përgjegjshëm dhe efektiv, rregulla dhe norma të kujdesshme të autoritetit për administrimin e rreziqeve, rregulla për transparencën e SHKK-ve me anëtarët për produktet dhe shërbimet që ofron, etj.;
  • Rikonceptimin e standardeve raportuese për të siguruar informacionin e nevojshëm financiar dhe statistikor për të mundësuar mbikëqyrjen nga jashtë dhe për të përftuar të dhëna me natyrë statistikore;
  • Kërkesa të reja për kushtet teknike dhe të sigurisë, të cilat parashikojnë kushtet minimale të sigurisë në të cilat do të kryhet veprimtari me sportel nga ana e SHKK-ve.

Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.