BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 6 korrik 2016

Data e publikimit: 06.07.2016

 

Në mbledhjen e datës 6 korrik 2016, përveç vendimmarrjes së politikës monetare për mbajtjen të pandryshuar të normës bazë të interesit në nivelin 1.25%, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin e dokumentit “Për politikën e administrimit të rrezikut operacional në Bankën e Shqipërisë”

Në kuadër të procesit të përmirësimit të qeverisjes së brendshme, vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë filloi një projekt gjithëpërfshirës për të vlerësuar rreziqet operacionale që shoqërojnë veprimtarinë e saj të përditshme dhe për të krijuar një kuadër të plotë rregullativ për administrimin e këtyre rreziqeve, në rang institucioni.

Në përfundim të këtij projekti, Këshilli Mbikëqyrës miratoi “Politikën e administrimit të rrezikut operacional”, e cila ka për qëllim krijimin dhe zbatimin e një kuadri efektiv dhe të qëndrueshëm për administrimin e rrezikut operacional në Bankën e Shqipërisë, në përputhje me praktikat më të mira të fushës. Ky dokument sanksionon parimet bazë, objektin/fushën e administrimit të rrezikut operacional në Bankë, si dhe rolet dhe përgjegjësitë e të gjitha strukturave qeverisëse të administrimit të rrezikut operacional.

  • Miratimin e disa ndryshimeve të lidhura me rezervën e detyruar të mbajtur në Bankën e Shqipërisë nga bankat

Rezerva e detyruar është një instrument i politikës monetare të Bankës së Shqipërisë, e cila synon rregullimin e likuiditetit të sistemin bankar dhe stabilizimin e normave të interesit në tregun e parasë. Kjo rezervë mbahet në lekë, euro e dollarë dhe remunerohet në bazë të vendimit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Në këtë mbledhje, Këshilli Mbikëqyrës përcaktoi se norma e interesit të remunerimit të rezervës së detyruar në Euro do të jetë e barabartë me normën e depozitës të përcaktuar nga Banka Qendrore Evropiane (BQE), normë e cila aktualisht është në nivelin -0.40%. Ndërsa, të gjitha fondet që mbahen në llogarinë rezervë në euro mbi rezervën e detyruar në euro do të remunerohen me normë interesi 25 pikë bazë më të ulët se depozita e BQE-së.

  • Miratimin e disa ndryshimeve në rregulloren “Mbi raportimet në Bankën e Shqipërisë sipas Sistemit Raportues të Unifikuar”

Sistemi Raportues i Unifikuar përbën sistemin kryesor raportues për bankat tregtare, përmes të cilit plotësohen kërkesat për informacion të statistikave monetare dhe financiare, politikës monetare dhe të mbikëqyrjes bankare në Bankën e Shqipërisë. Për herë të parë, duke filluar nga muaji korrik 2016, raportimi i të dhënave dhe informacioneve nga bankat tregtare do të bëhet online, përmes platformës elektronike të raportimit ERRS (Sistemi Elektronik Raportues Rregullator). Në këtë mënyrë, Banka e Shqipërisë përmbush një prej angazhimeve të saj më të rëndësishme institucionale në drejtim të automatizimit të procesit të raportimit të bankave tregtare.

Pjesë e ndryshimeve është edhe futja e formularëve të rinj dhe përmirësimi në formë e në përmbajtje i formularëve ekzistues. Kjo në funksion të ndryshimeve cilësore në drejtim të monitorimit të rreziqeve në kuadër të mbikëqyrjes bankare dhe rritjes cilësore të statistikave të prodhuara nga Banka e Shqipërisë në kuadër të përafrimit me standardet ndërkombëtare.

  • Miratimin e rregullores “Për kontrollin për autenticitet dhe kriteret e riciklimit të monedhave metalike shqiptare”

Kjo rregullore përcakton kriteret për kontrollin e autenticitetit, vlerësimin e përshtatshmërisë për qarkullim dhe riciklimin e monedhave metalike Lekë. Rregullorja është hartuar duke marrë në konsideratë praktikat e bankave të tjera qendrore dhe duke u përafruar me standardet evropiane të kësaj fushe.

  • Miratimin e rregullores “Mbi organizimin dhe funksionimin e Komitetit të shpenzimeve kapitale në Bankën e Shqipërisë” dhe rregullores “Për buxhetimin në Bankën e Shqipërisë”

Këto vendime synojnë përmirësimin e administrimit financiar dhe planifikimit buxhetor të Bankës së Shqipërisë, në përputhje me objektivat e përcaktuara në Strategjinë Afatmesme të Zhvillimit të saj.

  • Miratimin e Universitetit Oxford si bashkëpunëtor të jashtëm të Bankës së Shqipërisë

Në bazë të këtij vendimi, Këshilli Mbikëqyrës miratoi vazhdimin e marrëveshjes së bashkëpunimit të Bankës së Shqipërisë me Universitetin Oxford. Ky bashkëpunim do të synojë rritjen e kapaciteteve analizuese dhe kërkimore të Bankës së Shqipërisë, thellimin e njohurive mbi zhvillimet politiko-ekonomike dhe sfidat me të cilat përballet Shqipëria dhe rajoni i Evropës Juglindore.

Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.