BANKA E SHQIPËRISË

Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 6 qershor 2018

Data e publikimit: 06.06.2018

 

Në mbledhjen e datës 6 qershor 2018, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, përveç vendimit për uljen e normës bazë të interesit në nivelin 1.00% dhe të normave të interesit të depozitës njëditore dhe të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, përkatësisht në nivelet 0.10% dhe 1.90%, si dhe vendimit për ndërmarrjen e operacioneve të blerjeve të valutës në tregun e brendshëm valutor, mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin paraprak për zotërimin nga Banka Amerikane e Investimeve sh.a. të 100 për qind të kapitalit aksionar të Bankës NBG Albania sh.a.

Në bazë të këtij vendimi, Këshilli Mbikëqyrës miraton paraprakisht zotërimin e 100 për qind të aksioneve me të drejtë vote të kapitalit aksionar të Bankës NBG Albania sh.a. nga Banka Amerikane e Investimeve sh.a.  

  • Miratimin e përbërjes së Komitetit të Auditit

Këshilli Mbikëqyrës miratoi emrat e 3 anëtarëve të Komitetit të Auditit për periudhën 2018-2021, të cilët janë anëtarë joekzekutivë të Këshillit Mbikëqyrës.

  • Miratimin e rregullores “Për mënyrën e bashkëpunimit midis Departamentit të Mbikëqyrjes dhe Departamentit për Ndërhyrjen e Jashtëzakonshme”

Rregullorja përcakton mënyrën e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit midis Departamentit të Mbikëqyrjes dhe Departamentit për Ndërhyrjen e Jashtëzakonshme gjatë të gjitha fazave të procesit të rimëkëmbjes dhe ndërhyrjes së jashtëzakonshme në banka.

  • Miratimi i Politikave Kontabël sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar

Rishikimi i Politikave Kontabël sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar reflekton kërkesat e parashikuara në standardin SNRF 9-Instrumentet Financiare. Ky standard vlerësohet të jetë një ndër standardet më të rëndësishme të hartuara gjatë viteve të fundit nga Bordi i Standardeve Ndërkombëtare të Kontabilitetit, i cili do të jetë efektiv duke filluar nga periudhat vjetore që fillojnë në ose pas datës 1 janar 2018.

Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës shqyrtoi edhe Raportin e Mbikëqyrjes 2017, i cili trajton funksionet e mbikëqyrjes bankare, aktivitetet dhe veprimtaritë kryesore të Bankës së Shqipërisë në këtë fushë si dhe detajon zhvillimet në kuadrin ligjor dhe rregullativ gjatë vitit 2017. Raporti analizon ecurinë e sistemit bankar dhe të treguesve të veçantë të tij, zhvillimet sasiore e cilësore të këtij sistemi në vend.

Ky raport do të prezantohet për gazetarët dhe do të publikohet në faqen zyrtare të internetit në ditët në vijim.

Në përfundim, Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.