BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 6 shtator 2017

Data e publikimit: 06.09.2017

 

Në mbledhjen e tij të datës 6 shtator 2017, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin e Deklaratës dhe Raportit të Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë 2017

Raporti i Stabilitetit Financiar është një nga dokumentet e rëndësishme periodike të përgatitura nga Banka e Shqipërisë me qëllim kryesor identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve me të cilat ndeshet sistemi financiar dhe infrastruktura e tij. Në hyrje të dokumentit vendoset Deklarata e Stabilitetit Financiar, publikimi çdo gjashtë muaj i së cilës është një kërkesë që buron nga Ligji "Për Bankën e Shqipërisë".

Në këtë raport, Banka e Shqipërisë vlerëson që veprimtaria e sektorit bankar dhe e sistemit financiar në përgjithësi, u paraqit e qëndrueshme gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2017 dhe aftësia e tij për të përballuar rreziqet e veprimtarisë është e mirë.

Në tërësi, ecuria e treguesve makroekonomike dhe zhvillimet në mjedisin e përgjithshëm ekonomik, mbështetën më mirë veprimtarinë e sistemit financiar. Në sektorin bankar, treguesit e performancës financiare, të kapitalizimit dhe të likuiditetit të veprimtarisë, përgjithësisht u përmirësuan. Megjithatë, analiza e faktorëve përcaktues dhe ushtrimet e provës së rezistencës sugjerojnë nevojën për monitorimin e ecurisë së këtyre treguesve përgjatë kohës. Zhvillimet në sektorin bankar gjatë periudhës evidentuan përmirësimin e ndjeshëm të cilësisë së kredisë dhe dëshmuan rëndësinë e vijimit të këtij procesi.

Raporti do të publikohet i plotë në ditët në vijim në faqen e internetit të Bankës së Shqipërisë /.

  • Miratimin e rregullores "Për raportimet në Bankën e Shqipërisë të statistikave të normave të interesit"

Objekti i kësaj rregulloreje është përcaktimi i kërkesave mbi procedurat dhe afatet e raportimit të statistikave të normave të interesit pranë Bankës së Shqipërisë nga subjektet raportuese.

Rregullorja mundëson hartimin e statistikave të normës së interesit në përputhje me standardet evropiane të përcaktuara në rregulloren Nr. 1072/2013 të Bankës Qendrore Evropiane (ECB/2013/34).

Aktualisht, Banka e Shqipërisë mbledh, harton dhe publikon statistika të normave të interesit aplikuar nga bankat për sasitë e reja të depozitave dhe kredive, sipas afateve, për individët dhe korporatat jofinanciare, por me rregulloren e re synohet të shtohet gama e këtyre statistikave.

  • Miratimin e disa ndryshimeve dhe shtesave në rregulloren "Për administrimin e rrezikut në veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka" dhe disa ndryshimeve në rregulloren "Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë nga subjektet financiare jobanka"

Qëllimi kryesor i rishikimit të dy rregulloreve është plotësimi dhe përmirësimi në vazhdimësi i kuadrit rregullator për licencimin dhe administrimin e rrezikut në veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka. Ndryshimet e propozuara në rregulloren e administrimit të rrezikut marrin shtysë kryesisht nga problematikat e vërejtura gjatë procesit mbikëqyrës, duke synuar adresimin e tyre, por njëkohësisht krijojnë edhe disa lehtësi për subjektet gjatë kryerjes së veprimtarisë së tyre financiare.

  • Miratimin e rregullores "Për funksionet e strukturave drejtuese në procesin e vendimmarrjes për administrimin e rezervës valutore"

Përmbajtja e kësaj rregulloreje të re është rezultat i procesit të rishikimit të rregullores ekzistuese dhe ndryshimet kryesore të realizuara janë në dy drejtime:

o Së pari, në rregulloren e re është bërë një përkufizim i ri dhe më i plotë i rezervës valutore, në përputhje me përkufizimin e sugjeruar nga FMN-ja në dokumentet udhëzuese përkatëse dhe terminologjisë së përdorur në praktikë, kur i referohemi rezervës.

o Së dyti, në rregullore janë riformuluar dhe plotësuar kompetencat e secilës hallkë vendimmarrëse të angazhuar në përmbushjen e funksionit të administrimit të rezervës valutore, në qasje me përvojën/praktikën e krijuar, por dhe duke marrë në konsideratë praktikat më të mira apo përvojat e institucioneve homologe. Këto ndryshime, në të njëjtën kohë, kanë synuar më shumë fleksibilitet dhe rritje të eficiencës në realizimin e procesit vendimmarrës, në përshtatje me situatat e ndryshme me të cilat mund të përballet banka qendrore/autoriteti monetar në kuadër të administrimit të portofolit të rezervësapo të përdorimit të fondit të rezervës në funksion të politikave të ndjekura nga institucioni.

Në përfundim, Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me aktivitetin e përditshëm funksional dhe operacional të Bankës së Shqipërisë.