BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 6 tetor 2021

Data e publikimit: 06.10.2021

 

Në mbledhjen e datës 6 tetor 2021, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi që norma bazë e interesit të mbetet e pandryshuar në nivelin 0.5%, dhe normat e interesit të depozitës njëditore dhe të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, të mbeten përkatësisht në nivelet 0.1% dhe 0.9%. Përveç kësaj, Këshilli Mbikëqyrës shqyrtoi dhe vendosi për:

  • Miratimin e rregullores “Për debitimin direkt”

 DSC3498 498

Instrumenti i debitimit direkt është i njohur nga bankat si një instrument i kufizuar në përdorim vetëm brenda llogarive të së njëjtës banke. Ndërkohë, synimi i rregullores së re është që ky instrument të përdoret në nivel ndërbankar e më tej, duke mundësuar kështu përdorimin pa u kushtëzuar nga subjektet financiare ku debitori dhe kreditori mbajnë llogaritë e tyre përkatëse. Ky shërbim, me mënyrën e funksionimit të tij, synohet të jetë në përputhje me skemën “SEPA Direct Debit” të përdorur në Eurozonë.

Miratimi i kësaj rregulloreje përmbush dhe një nga objektivat strategjikë në kuadër të zbatimit të “Strategjisë afatmesme të zhvillimit të Bankës së Shqipërisë për periudhën 2019-2021” dhe “Strategjisë kombëtare për pagesat me vlerë të vogël në Shqipëri 2018-2023”.

  • Miratimin e disa ndryshimeve në rregulloren “Për funksionimin e sistemit të klerimit të pagesave me vlerë të vogël – AECH”

 DSC3570 498

Në zbatim të rregullores së re për debitimin direkt, u realizuan ndryshimet e nevojshme në rregulloren ekzistuese për funksionimin e sistemit të klerimit të pagesave me vlerë të vogël – AECH.

Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera lidhur me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.