BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë në mbledhjen e datës 1 qershor 2016

Data e publikimit: 01.06.2016

 

Në mbledhjen e tij të datës 1 qershor 2016, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin e Raportit Vjetor të Mbikëqyrjes për vitin 2015

Raporti Vjetor i Mbikëqyrjes analizon ecurinë e sistemit bankar në vend dhe të treguesve të veçantë të tij, zhvillimet sasiore e cilësore të këtij sistemi, funksionet e mbikëqyrjes si dhe zhvillimet më të spikatura në kuadrin ligjor e rregullativ për vitin 2015.
Raporti do të publikohet i plotë në ditët në vijim në faqen e internetit të Bankës së Shqipërisë www.bankofalbania.org 

  • Miratimin e disa ndryshimeve në rregulloren “Mbi marrëveshjet e riblerjes dhe të anasjellta të riblerjes”

Marrëveshjet e riblerjes dhe ato të anasjellta të riblerjes janë operacione të tregut të hapur  që synojnë menaxhimin e përkohshëm të likuiditetit në sistemin bankar.
 
Ndryshimet e propozuara janë të natyrës operacionale dhe më shumti konsistojnë në krijimin e mundësive për kohë zgjatjen e marrëveshjeve me afat maturimi mbi një javë. 

  • Miratimin e rregullores “Për kërkesat minimale të sigurisë në ambientet në të cilat kryhen veprimtaritë bankare dhe financiare”

Rregullorja sjell në një version të përmirësuar tërësinë e kërkesave minimale të sigurisë për ambientet në të cilat ushtrohen veprimtaritë bankare dhe/ose financiare, me qëllim zhvillimin normal dhe në mënyrë të sigurt të këtyre veprimtarive. Subjekte të kësaj rregulloreje janë bankat, degët e bankave të huaja, zyrat e këmbimit valutor dhe subjektet financiare jobanka, që kryejnë veprimtari financiare me sportel dhe/ose me agjentë.

Rregullorja merr në konsideratë propozimet e Shoqatës Shqiptare të Bankave, Policisë së Shtetit dhe konkluzionet e nxjerra nga inspektimet e Bankës së Shqipërisë, si dhe detyrimet  e ligjit “Për mbrojtjen e të dhënave personale” dhe të ligjit “Për shërbimin privat të sigurisë fizike”.

Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.