BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e datës 4 nëntor 2015

Data e publikimit: 04.11.2015

 

Në mbledhjen e tij të datës 4 nëntor 2015, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, përveç vendimit për uljen e normës bazë të interesit në nivelin 1.75%, mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin e Raportit Tremujor të Politikës Monetare

Raporti Tremujor i Politikës monetare është një nga instrumentet kryesore  të komunikimit të politikës monetare në publik., Në të analizohen zhvillimet më të fundit ekonomike, ato monetare dhe financiare. Një vend të veçantë zënë dhe faktorët që pritet të ndikojnë inflacionin në të ardhmen.

Raporti i politikës monetare do të publikohet i plotë në ditët në vijim në faqen e internetit të Bankës së Shqipërisë www.bankofalbania.org

  • Miratimin e Strategjisë Afatmesme të Zhvillimit të Bankës së Shqipërisë 2016-2018

Strategjia përbën dokumentin më të rëndësishëm të zhvillimit institucional të Bankës së Shqipërisë për periudhën e ardhshme trevjeçare.

Disa nga objektivat strategjikë të zhvillimit të Bankës së Shqipërisë janë:

  • Ruajtja e stabilitetit të çmimeve, në përputhje me objektivin për inflacionin dhe forcimi i besimit të publikut në stabilitetin e çmimeve dhe në monedhën kombëtare.

Banka e Shqipërisë do të synojë të kontrollojë inflacionin rreth nivelit 3%. Për këtë qëllim, do të ndiqet regjimi i shënjestrimit të inflacionit dhe do të zbatohet një regjim i luhatjes së lirë të kursit të këmbimit.

  • Forcimi i stabilitetit financiar.

Në përmbushje të përgjegjësive dhe rolit të Bankës së Shqipërisë për stabilitetin e sistemit financiar do të punohet në drejtim të realizimit të një kuadri të plotë të politikës makroprudenciale, ku do të identifikohen objektivat e (ndërmjetëm) të Bankës së Shqipërisë në këtë drejtim dhe instrumentet për mënyrën e zbatimit të politikës makroprudenciale; konsolidimit të metodave që përdoren aktualisht për vlerësimin e rrezikut sistemik;

  • Forcimi i mbikëqyrjes bankare.

Fokusi i mbikëqyrjes bankare do të jetë sigurimi i një sistemi financiar të shëndetshëm, që garanton besimin e qytetarëve, krijon mundësi për rritje ekonomike të qëndrueshme dhe siguron stabilitet financiar;

  • Forcimi i sigurisë dhe i efikasitetit të mëtejshëm të tregut financiar.

Banka e Shqipërisë do të intensifikojë përpjekjet për nxitjen e mëtejshme të sigurisë dhe efikasitetit në tregjet financiare me qëllim ruajtjen e stabilitetit të tyre dhe garantimin e qarkullimit të sigurt, të shpejtë dhe me kosto të ulët të parasë në ekonomi. Kjo do të arrihet nëpërmjet rregullimit dhe mbikëqyrjes së sistemeve të pagesave dhe komponentëve përbërës të tyre, si dhe një roli më proaktiv në kuadër të nxitjes së iniciativave të aktorëve të tregut.

Strategjia do të publikohet e plotë në ditët në vijim në faqen e internetit të Bankës së Shqipërisë www.bankofalbania.org

  • Miratimin e rregullores “Për licencimin, rregullimin dhe mbikëqyrjen e operatorëve të sistemeve të pagesave dhe shtëpive të klerimit të pagesave”.

Kjo rregullore është hartuar në zbatim të ligjit 133/2013, datë 29.04.2013 “ Për Sistemin e Pagesave” dhe Strategjisë afatmesme të Bankës së Shqipërisë 2013-2015.

Ajo synon të krijojë një impuls në tregun e sistemeve të pagesave me qëllim nxitjen e iniciativave private në lidhje me klerimin dhe shlyerjen e pagesave në monedhë vendase dhe të huaj.

Krijimi i infrastrukturave të tilla vlerësohet të sjellë një kontribut të shtuar për nxitjen e përdorimit të instrumenteve të pagesave elektronike, nëpërmjet rritjes së shpejtësisë e sigurisë së pagesave dhe reduktimin e kostove që mbartin ato aktualisht. Si rrjedhojë, ky zhvillim pritet të ndikojë në reduktimin e përdorimit të parasë fizike në ekonomi.

Rregullorja ka marrë në konsideratë eksperiencat më të mira në fushën e licencimit dhe mbikëqyrjes të sistemeve të pagesave si dhe standardet ndërkombëtare të kësaj fushe.