BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
85 vjet monedhë kombëtare

Data e publikimit: 31.03.2011

 

Banka e Shqipërisë kremton këtë vit një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë ekonomike të vendit tonë në përgjithësi e të institucionit të bankës qendrore në Shqipëri në veçanti: 85-vjetorin e hedhjes në qarkullim të monedhave e kartëmonedhave të para kombëtare.

Me këtë rast, Banka e Shqipërisë në datë 31 mars 2011, organizoi ekspozitën: “ 85 vjet - monedhë kombëtare” në ambientet e hollit të Muzeut Historik Kombëtar.

Monedha kombëtare paraqitet në këtë ekspozitë me të gjithë spektrin e vlerave që ajo mbart. Me qëllim shpalosjen e këtyre vlerave, ekspozita do të jetë e përbërë nga koleksione të monedhave dhe kartëmonedhave nga antikiteti deri në ditët e sotme.

Elementët e përzgjedhur në këtë ekspozitë janë bazuar mbi një kërkim historik të shumë materialeve që përbëjnë interes për ata që e vlerësojnë monedhën kombëtare si një vlerë jo vetëm monetare, por edhe kulturore, duke qenë se monedha përbën një pjesë të rëndësishme të identitetit tonë kombëtar.

Në konceptimin dhe realizimin e kësaj ekspozite kërkohet të arrihet një paraqitje jo vetëm e funksionit ekspozues që vetë etimologjia e termit “ekspozitë” mbart, por edhe paraqitja e funksionit informues ndaj publikut, pjesë e strategjisë së zbatuar nga Banka e Shqipërisë, e cila merr gjithmonë e më shumë hapësirë ndër objektivat e saj. Arritja e këtij qëllimi bëhet, duke sjellë një hapësirë në formën e një kinemaje, e cila në mënyrë më të prekshme dhe më të drejtpërdrejtë, ashtu si asnjë herë tjetër më parë, jep pamje ekskluzive mbi prodhimin dhe përpunimin e kartëmonedhave dhe monedhave metalike, elementëve të sigurisë së kartëmonedhave dhe njohjen e tyre.

Me paraqitjen inovative të saj, kjo ekspozitë do të nxisë interesin tuaj për të shijuar historinë e parasë shqiptare. Kjo histori, përveç shumëllojshmërisë së pamjeve të monedhës tonë kombëtarë gjatë zhvillimit të saj, do të vijë për publikun e ndërthurur me artikuj të shtypit të kohës, foto dhe dokumente të rralla, e shumë kuriozitete të tjera, të cilat ju ftojmë t'i zbuloni.

Çelja e ekspozitës u zhvillua në orën 10.30 nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në praninë e Kryeministrit të Shqipërisë, z. Sali Berisha, si dhe përfaqësues të tjerë të vendit, guvernatorë dhe përfaqësuesve të tjerë të bankave qendrore të rajonit, studiuesve të fushës, përfaqësuesve të ndryshëm të botës së financave, medias dhe publikut të gjerë.

Gjithashtu, Banka e Shqipërisë organizoi edhe Simpoziumin “Monedha Kombëtare: disa aspekte historike”, ku specialistë të fushës trajtuan pikëpamje të ndryshme të zhvillimit të historisë së parasë shqiptare.

Ekspozita do të jetë e hapur për publikun deri ditën e shtunë, datë 2 prill 2011.