BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Aktivitete të Bankës së Shqipërisë dhe punonjësve të saj në kuadër të ditës ndërkombëtare të fëmijëve jetimë

Data e publikimit: 27.05.2013

 

Sot, në datë 27 maj 2013, Banka e Shqipërisë organizoi dy aktivitete me karakter social, humanitar dhe edukues në Shtëpinë e Foshnjës dhe në shtëpinë e fëmijëve “Zyber Hallulli”, Tiranë.

Këto aktivitete, së bashku me atë të organizuar në Shtëpinë e Foshnjës, Shkodër, gjatë këtij muaji, organizohen në mbështetje të parimeve të Përgjegjësisë Shoqërore Institucionale, që Banka e Shqipërisë, si institucion qendror i vendit synon të reflektojë dhe promovojë. Të tilla kanë qenë: aktiviteti i vjetshëm i organizuar me rastin e 5 qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Mjedisit, i zhvilluar në parkun “Rinia”, nën moton “Ekonomia e gjelbër: A të përfshin edhe ty?”, aktivitetet e ndryshme të organizuara  me rastin e përvjetorëve të monedhës shqiptare, etj..

Kështu, gjatë muajit maj 2013, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve Jetimë, punonjësit e Bankës së Shqipërisë dhuruan për fëmijët e shtëpive të foshnjës dhe fëmijëve në Tiranë e Shkodër veshje, lodra dhe kontribut monetar.

Aktivitet edukues dhe humanitar në shtëpinë e fëmijëve “Zyber Hallulli”, Tiranë, 27 maj 2013

 dsc2968 5855 0

Gjatë këtij aktiviteti, fëmijët patën mundësi të bashkëbisedonin me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani mbi konceptet themelore të lidhura me funksionet e kryesore të institucionit që ai drejton dhe si Banka e Shqipërisë ndikon në jetën e çdo qytetari shqiptar.

Aktiviteti vijoji me prezantimin e paketës më të re mësimore të Bankës, për fëmijët që ndjekin klasën I, II dhe të III, të shkollës 9- vjeçare “1, 2, 3, ... derrkuci Çufo mëson të kursejë”. Kjo paketë, e cila do të shpërndahet falas nga Banka e Shqipërisë në shkollat publike dhe private të vendit përmban një libërth me përralla me në qendër derrkucin Çufo, fletë pune dhe një udhëzues për mësuesit.

Me anë të kësaj pakete, Banka e Shqipërisë synon të shtrijë edukimin financiar në kurrikulën e shkollës 9 – vjeçare, për të ushqyer tek fëmijët ndjenjën e kujdesit për paranë, dëshirën për të kryer llogari të thjeshta dhe idenë e kursimit si mjet për të përmbushur detyrimet dhe dëshirat  e përditshme apo ato afatgjata.

Pjesëmarrës në aktivitet ishte dhe shkrimtari i mirënjohur Gaqo Bushaka, i cili ishte konsulenti i Bankës së Shqipërisë për hartimin e paketës.
 
Gjatë aktivitetit u dorëzuan dhurata të blera përmes kontributit vullnetar të punonjësve të Bankës së Shqipërisë, si dhe materiale shkollore e kompjuterë për sallën shkencore të shtëpisë. 

Aktivitet humanitar në shtëpinë e foshnjës “Hana Rozafa”, Tiranë, 27 maj 2013

Përfaqësues të Bankës së Shqipërisë dorëzuan pranë shtëpisë së foshnjës “Hana Rozafa”, Tiranë, veshje, lodra dhe ilaçe, të cilat u blenë përmes fondeve të dhuruara nga punonjësit e Bankës së Shqipërisë. Gjithashtu, gjatë kësaj vizite, u organizua një aktivitet social me qëllim argëtimin e fëmijëve.

Në përfundim të aktivitetit, Guvernatori falënderoi punonjësit e Bankës së Shqipërisë të cilët me kontributin e tyre vullnetar mundësuan blerjen e ilaçeve, blerjen e pajisjeve të domosdoshme për komoditetin e fëmijëve, dhurimin e veshjeve, lodrave si dhe organizimin e disa aktiviteteve kulturore dhe sociale për argëtimin e tyre.