BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Artikull i Drejtorit të Departamentit të Sistemeve të Pagesave, Kontabilitetit dhe Financës, zj. Ledia Bregu për Revistën “Central Bank Payment News”

Data e publikimit: 03.09.2020

 

SHQIPËRIA — DREJT ZGJERIMIT TË PËRFSHIRJES FINANCIARE

Shqipëria rrallëherë (në mos kurrë) ka bërë lajm në fushën e pagesave. E ç’është e vërtëta, (ende) nuk ka pasur më parë arsye që iniciativat e vendit për pagesat të zinin vend në faqet e një reviste, por ndoshta tani është momenti që kjo të ndryshojë.

Një prej ekonomive në zhvillim të Evropës Juglindore, duke aspiruar të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, Shqipëria po përpiqet të rrisë ekonominë, të përthithë impaktin e lënë pas nga tërmeti i cili goditi vendin në nëntor 2019, e së fundmi, duke mbledhur gjithë forcat e saj të kufizuara, të përballojë tkurrjet ekonomike si pasojë e masave të ndërmarra për frenimin e përhapjes së COVID-19 në vend.

Përpos ngjarjeve të fundit të pafavorshme që sigurisht kanë ndryshuar prioritetet e shumë vendeve, Banka e Shqipërisë është fokusuar në mënyrë aktive në një objektiv të vetëm shumë të rëndësishëm, atë të përfshirjes financiare të popullsisë që nuk ka akses në shërbimet financiare.

Ndjekja e popullatës së përjashtuar nga  aksesi në shërbime financiare (të cilët arrijnë deri në 60% të popullatës në moshë madhore) konsiderohet thelbësore në adresimin e problematikave të një ekonomie të bazuar kryesisht në para fizike, si dhe një faktor kyç në aktivizimin e mundësive për zhvillim të vendit.

Ky objektiv strategjik merr më shumë rëndësi, kryesisht aktualisht për ekonomitë e brishta dhe në kontekstin e pasigurive që burojnë nga efektet e pandemisë në ekonomi.