BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Banka e Shqipërisë bëhet pjesë e programit të asistencës teknike me bankat qendrore të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore

Data e publikimit: 17.05.2019

 

Për dy vitet e ardhshme, Banka e Shqipërisë do të jetë pjesë e programit të asistencës teknike të përgatitur nga Deutsche Bundesbank (Banka Qendrore e Gjermanisë), së bashku me 17 banka qendrore kombëtare të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore (SEBQ) dhe Bankën Qendrore Evropiane (BQE), për bankat qendrore dhe institucionet mbikëqyrëse të vendeve të Ballkanit Perëndimor, kandidate dhe kandidate potenciale për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ky program do të zbatohet me fondet e akorduara dhe monitoruara nga Bashkimi Evropian në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPA II).

Banka e Shqipërisë do të përfitojë asistencë teknike nga zbatimi i këtij programi, së bashku me Bankën Qendrore të Bosnje dhe Hercegovinës, Agjencinë Bankare të Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës, Agjencinë Bankare të Republikës së Serbisë, Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, Bankën Qendrore të Malit të Zi, Bankën Kombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bankën Kombëtare të Serbisë.

Ky program synon forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve të institucioneve përfituese, kryesisht përmes përmirësimit të mëtejshëm të instrumenteve të tyre analitike dhe politike, nëpërmjet përvetësimit të standardeve më të mira ndërkombëtare dhe evropiane në praktikat kombëtare.

Në takimin e parë të Komitetit Drejtues të Programit të mbajtur në Bankën Kombëtare të Austrisë, Drejtuesi i Programit për Deutsche Bundesbank, z. Martin Dinkelborg, theksoi se: "Me këtë iniciativë të përbashkët, komuniteti bankar qendror në BE është i gatshëm të mbështesë fuqishëm kolegët tanë në Ballkanin Perëndimor, në përpjekjet e tyre për të prezantuar standardet më të larta, për të mirën e vendeve dhe popujve të tyre".

Zj. Doris Ritzberger-Grynvald, Drejtoreshë e Departamentit të Analizës Ekonomike dhe Kërkimeve në Bankën Kombëtare të Austrisë, theksoi rëndësinë e programit për zhvillimin e vazhdueshëm ekonomik të rajonit. Më tej, ajo përshëndeti qasjen bashkëpunuese të ndërmarrë nga 18 bankat qendrore kombëtare dhe BQE-ja nëpërmjet këtij programi.

Z. Andreas Papadhopoulos, Këshilltar për Qeverisjen Ekonomike në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Negociatat e Fqinjësisë dhe Zgjerimit, theksoi se: "Programi synon përmirësimin e mëtejshëm të qeverisjes ekonomike në Ballkanin Perëndimor dhe përbën një perspektivë afatgjatë në mbështetjen e institucioneve të tyre për anëtarësimin e mundshëm në BE, në rastin tonë në SEBQ".

Gjatë zbatimit të programit, Deutsche Bundesbank, së bashku me 17 bankat qendrore kombëtare dhe me mbështetjen e Bankës Qendrore Evropiane, do të organizojnë një program intensiv trajnimi rajonal për çështjet kryesore të banking-ut qendror dhe mbikëqyrjes. Më konkretisht, programi konsiston në 20 aktivitete trajnuese, të fokusuara në fushat e mbikëqyrjes bankare, stabilitetit financiar, mbrojtjes së konsumatorit dhe përfshirjes financiare, rimëkëmbjes së bankave, politikës monetare, sistemeve të pagesave, statistikave, përputhshmërisë dhe integrimit në BE, politikave të qeverisjes, si dhe kontabilitetit e auditimit të brendshëm.

Programi do të ofrohet nga ekspertët e bankave qendrore kombëtare të SEBQ-së dhe BQE-së. Paralelisht, në program janë parashikuar të zhvillohen 2 workshop-e në nivel politikëbërësish për punonjës të nivelit drejtues të angazhuar në trajtimin e kredive me probleme dhe qeverisjen e bankave. Përveç aktiviteteve rajonale trajnuese, programi do të financojë edhe disa masa specifike dypalëshe që do të përcaktohen në takimet e mëtejshme të Komitetit Drejtues të Programit.

Përveç Bankës Qendrore të Gjermanisë dhe Bankës Qendrore Evropiane, bankat e tjera evropiane kontribuuese në këtë program janë: Banka Kombëtare e Austrisë, Banka Kombëtare e Belgjikës, Banka Kombëtare e Bullgarisë, Banka Qendrore e Çekisë, Banka e Francës, Banka e Greqisë, Banka e Holandës, Banka Kombëtare e Hungarisë, Banka e Italisë, Banka Kombëtare e Kroacisë, Banka e Lituanisë, Banka Kombëtare e Polonisë, Banka e Portugalisë, Banka Kombëtare e Rumanisë, Banka e Spanjës, Banka e Sllovakisë dhe Banka Kombëtare e Sllovenisë.