BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, çel ekspozitën e përkohshme ''Gjergj Kastrioti Skënderbeu në monedhën dhe kartëmonedhën shqiptare'' në Prizren, Kosovë

Data e publikimit: 11.06.2018

 

Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti Skënderbeut, organizoi ekspozitën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në monedhën dhe kartëmonedhën shqiptare”.

Kjo ekspozitë u çel më datë 10 qershor 2018 - datë kjo që përkon me përvjetorin e 140 të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit - në ambientet e Ndërtesës së Lidhjes në qytetin e Prizrenit.

49810-06-2018-ZKM-2

 

Në ceremoninë e çeljes së ekspozitës, ishin të pranishëm Presidenti i Republikës së Shqipërisë Sh.T.Z. Ilir Meta, Kryeministri i Kosovës, z. Ramush Haradinaj, si dhe një sërë personalitetesh të rëndësishme shqiptare dhe kosovare.

Ekspozita e përkohshme ''Gjergj Kastrioti Skënderbeu në monedhën dhe kartëmonedhën shqiptare'' u çel për herë të parë në Muzeun e Bankës së Shqipërisë, në Tiranë, më 17 janar 2018.

498IMG 7364

Koleksioni i përzgjedhur nga Banka e Shqipërisë për këtë ekspozitë prezanton monedha dhe kartëmonedha shqiptare të viteve 1921-1996, të cilat paraqesin Heroin Kombëtar dhe simbole të lidhura me të, elemente shtypi të këtyre prerjeve, si dhe monedha përkujtimore që përkujtojnë ngjarje të rëndësishme të historisë kombëtare si Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Kongresi i Manastirit dhe Shpallja e Pavarësisë.

49810-06-2018-ZKM-3

Ekspozita shoqërohet edhe me një kënd edukativ ku publiku i grup-moshave të ndryshme mund të njihet me funksionet e bankave qendrore të Shqipërisë dhe Kosovës dhe tematika të tjera të edukimit financiar.

Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri më 12 qershor 2018.