BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me SECO-n organizojnë workshop-in “Forcimi i kapaciteteve kërkimore në bankat qendrore”

Data e publikimit: 09.05.2022

 

Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me SECO-n organizojnë workshop-in “Forcimi i kapaciteteve kërkimore në bankat qendrore”

Në datat 9-11 maj 2022, Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Sekretariatin Zviceran të Shtetit për Çështjet Ekonomike (SECO) organizojnë workshop-in me temë “Forcimi i kapaciteteve kërkimore në bankat qendrore”.

 DSC9212 copy 498

Qëllimi i aktivitetit është shkëmbimi i përvojave në fushën e kërkimit shkencor mes pjesëmarrësve nga bankat qendrore të vendeve partnere të programit BCC (Bilateral Assistance & Capacity Building for Central Banks)[1], të tilla si: Azerbajxhani, Bosnje-Hercegovina, Kolumbia, Maroku, Peruja, Tunizia, Ukraina dhe Shqipëria.

Workshop-i do të organizohet në sesione të veçanta, të cilat do të mbulojnë një gamë të gjerë çështjesh të dobishme, ndër të cilat dominojnë debatet ekonomiko-politike dhe akademike në fushën e ekonomisë, financës dhe bankingut qendror.

Materialet studimore që do të paraqiten në këtë workshop pasqyrojnë opinionet dhe diskutimet e kërkuesve, ekspertë për çështje thelbësore në bankat qendrore. Ato do të përfshijnë jo vetëm punën e Bankës së Shqipërisë, por dhe punën kërkimore të kryer nga banka të tjera qendrore dhe nga bota akademike.

 DSC9455 copy 498

Ky aktivitet u hap nga fjalët përshëndetëse të Zëvendësguvernatores së Parë të Bankës së Shqipërisë, zj. Luljeta Minxhozi, dhe të Zëvendësshefit të Misionit të Ambasadës së Zvicrës në Tiranë, z. Patrik Meier.

Zëvendësguvernatorja Minxhozi u shpreh se pas një dekade bashkëpunimi të Bankës së Shqipërisë me Programin BCC nga SECO, mund të themi me bindje se ky program ka kontribuar në ngritjen e kapaciteteve kërkimore të bankës qendrore nëpërmjet trajnimeve të dobishme akademike, konferencave si dhe asistencës teknike dhe kërkimore të ofruar.

Më tej, zj. Minxhozi vlerësoi punimet e seminarit, i cili do të shërbejë si një platformë për të shkëmbyer praktikat më të mira dhe për të përfituar nga përvojat e pasura të kryerjes së kërkimit në standarde të larta dhe përshtatjes së fokusit të tij me vendimet dhe politikat e rëndësishme të bankave qendrore.

Në vijim, Zëvendësguvernatorja u shpreh se forcimi i kapaciteteve kërkimore për të kontribuar në përmbushjen e objektivave të parashikuar në ligjin që rregullon bankat qendrore është një çështje mjaft e rëndësishme. Kapacitetet kërkimore mund të kontribuojnë në informimin dhe mbështetjen e procesit të vendimmarrjes në bankat qendrore. Për këtë qëllim, bankat qendrore mund të shikojnë se si kërkimi i aplikuar mund të trajtojë shqetësimet që lidhen veçanërisht me temat mbi politikën monetare ose mbi stabilitetin financiar.

Së fundmi, zj. Minxhozi falënderoi SECO-n për mbështetjen e vazhdueshme të ofruar, si dhe bankat qendrore pjesëmarrëse për ndarjen e praktikave të tyre më të mira.

Aktiviteti vijoi nën moderimin e z. Marko Škreb, ish-guvernator i Bankës Qendrore të Kroacisë dhe këshilltar me eksperiencë të gjatë në një sërë bankash qendrore të vendeve në zhvillim. Në këtë aktivitet u diskutuan çështje të rëndësishme, të tilla si: roli i kërkimit shkencor dhe organizimi i këtij procesi në bankat qendrore; mënyra e përzgjedhjes së temave që duhet të hulumtojë studimi shkencor; treguesit e matjes dhe vlerësimit të produktit kërkimor; strategjitë për përmirësimin e cilësisë së kërkimit; sfidat e reja për bankat qendrore në fushën e kërkimit shkencor (të lidhura me monedhat virtuale, ndryshimet klimaterike, digjitalizimin, integrimin financiar etj.); përçimi i njohurive nga puna kërkimore në bankat qendrore tek institucionet e tjera shtetërore dhe rritja e ndikimit të tij në politikëbërjen përtej bankës qendrore; roli i kërkimit shkencor në shoqëri (akademi, publikun në tërësi, tregjet financiare etj.).


[1] Programi BCC mbështet me asistencë teknike, bankat qendrore të vendeve në zhvillim. I financuar nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO) dhe i zbatuar nga Instituti Graduate, Gjenevë, Programi BCC synon të mbështesë bankat qendrore partnere në vendet në zhvillim në ndërtimin e ekspertizës analitike dhe teknike për të kryer politika monetare efektive, për të promovuar qëndrueshmërinë dhe efikasitetin e tregut financiar, si dhe për të qenë më të qëndrueshëm nga ana operative.