BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Banka e Shqipërisë nënshkruan një Memorandum Bashkëpunimi me Bankën Qendrore të Republikës së Turqisë

Data e publikimit: 06.11.2017

 

Sot, më 6 nëntor 2017, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, priti në një vizitë zyrtare në ambientet e Bankës së Shqipërisë, Guvernatorin e Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë, z. Murat Çetinkaya.

Gjatë kësaj vizite njëditore, u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të një Memorandumi Bashkëpunimi, i cili ka si qëllim rritjen e bashkëpunimit midis dy bankave qendrore. Ceremonia u çel me fjalët përshëndetëse të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Gent Sejko dhe të Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë z. Murat Çetinkaya dhe vijoi me nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm Ambasadori i Republikës së Turqisë në Shqipëri, Sh.T.Z. Hidayet Bayraktar si dhe përfaqësues të lartë nga Banka Qendrore e Republikës së Turqisë dhe Banka e Shqipërisë.

 arp5158 copy 1

 arp5170

 arp5180

Gjatë fjalës së tij, Guvernatori Sejko u shpreh se dy vendet kanë shumë elemente të përbashkëta për të ndërtuar e konsoliduar urat e bashkëpunimit dhe ky memorandum është shprehje e vullnetit dhe e dëshirës së përbashkët për të vazhduar dhe intensifikuar bashkëpunimin reciprok që të dy institucionet kanë pasur në vite.

Më tej, Guvernatori Sejko theksoi se bashkëpunimi ekonomik dhe financiar me Turqinë është i një rëndësie të veçantë për Shqipërinë, duke qenë se vendi fqinj përfaqëson një partner kryesor për ekonominë e vendit tonë.

Në vijim, Guvernatori nënvizoi se për një bashkëpunim sa më frytdhënës, është i domosdoshëm intensifikimi i shkëmbimit të informacionit, opinioneve dhe ekspertizës në fusha të ndryshme të bankingut qendror, si: mbikëqyrja, stabiliteti financiar, puna kërkimore, edukimi financiar etj.

"Banka e Shqipërisë është një mbështetëse aktive e integrimit financiar dhe ekonomik, duke e konsideruar atë si një nga shtyllat më të rëndësishme për të çliruar potencialin e ekonomisë." - shtoi Guvernatori Sejko.

 arp5307

 arp5321 a

 arp5278

Në përfundim të fjalës së tij, Guvernatori Sejko, falënderoi në emër të Bankës së Shqipërisë, edhe një herë Bankën Qendrore të Republikës së Turqisë për bashkëpunimin e vazhdueshëm e mjaft të frytshëm, si dhe shprehu falënderimet e veçanta për mbështetjen e pakursyer të Guvernatorit Çetinkaya, si dhe për praninë e tij në këtë ceremoni.

Nga ana e tij, Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë, z. Murat Çetinkaya, theksoi se Turqia dhe Shqipëria janë dy vende me marrëdhënie të ngushta të mbështetura në miqësinë dhe besimin reciprok; veçanërisht kohët e fundit vihet re që marrëdhëniet dypalëshe janë rritur në një nivel më të lartë dhe është shtuar solidariteti mes tyre në arenën ndërkombëtare.

"Në këtë kuadër, edhe ne si banka qendrore të dy vendeve mike, prej vitesh kemi marrëdhënie të ngushta bashkëpunimi. Por, sot me këtë memorandum, ne i japim një dimension të ri këtyre marrëdhënieve, duke filluar një proces më të fuqishëm shkëmbimi eksperience dhe me programe konkrete trajnimi." - tha Guvernatori Çetinkaya.

 arp5328

 arp5335

 arp5348

Në kuadër të kësaj vizite, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Sejko, dhe Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë, z. Murat Çetinkaya, u pritën në një takim kortezie nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë z. Edi Rama.

 arp5637

Fjala e Guvernatorit Sejko 

Foto Galeri

Memorandumi (version anglisht)