BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Banka e Shqipërisë organizoi takimin “Diskutim mbi implementimin e standardeve të Direktivës për rimëkëmbjen dhe ndërhyrje e jashtëzakonshme në banka”

Data e publikimit: 07.10.2015

 

Në datën 5 tetor 2015, Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Qendrën Këshilluese të Sektorit Financiar (FinSAC) të Bankës Botërore, organizoi takimin me temë “Diskutim mbi implementimin e standardeve të Direktivës për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka”.

x dsc2177 copy 7646 0

Takimi u organizua në kuadër të procesit të rishikimit të kuadrit ligjor ekzistues me qëllim përmirësimin e tij në drejtim të përafrimit sa më të shpejtë dhe në mënyrë të përshtatshme me standardet e Direktivës 2014/59 të Bashkimit Evropian, për rimëkëmbjen dhe zgjidhjen e bankave në vështirësi. Në këtë takim merrnin pjesë përfaqësues nga Banka e Shqipërisë, nga Banka Botërore, Komisioni Evropian, sektori bankar, Agjencia e Sigurimit të Depozitave dhe shoqatat e kursim-kreditit.

Në fjalën e hapjes, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko theksoi se nga vlerësimet e kryera nga vetë Banka e Shqipërisë, si edhe nga rekomandimet e partnerëve ndërkombëtarë, gjykohet e nevojshme të kryhen përmirësime në kuadrin ligjor ekzistues me qëllim që t’u mundësojë autoriteteve në tërësi instrumentet e nevojshme ligjore për menaxhimin e situatave të vështirësive në sektorin financiar në mënyrë eficiente për shoqërinë.

Gjatë fjalës së tij, Guvernatori bëri me dije për të pranishmit vendimin e marrë së fundmi nga Autoriteti Bankar Evropian (European Banking Authority - EBA) që konfirmon përmbushjen e të gjitha standardeve nga ana e Bankës së Shqipërisë për t’u përfshirë në listën e autoriteteve mbikëqyrëse të vendeve firmëtare të Memorandumit të Bashkëpunimit me EBA-n. Ky Memorandum hap rrugën e integrimit të Bankës së Shqipërisë në strukturat mbikëqyrëse të Bashkimit Evropian duke kontribuar në rritjen e mëtejshme të autoritetit ndërkombëtar të saj.

Në përmbyllje të takimit, Zëvendësguvernatorja e Dytë e Bankës së Shqipërisë, zj. Natasha Ahmetaj, theksoi se ky takim shënon fillimin e punës për hartimin e kuadrit ligjor për trajtimin dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në  institucionet financiare, një proces i cili do të përfshijë në diskutime të gjitha grupet e interesit, në mënyrë që ligji i ri të maksimizojë interesin publik.

Informacion mbi FinSAC

Qendra Këshilluese e Sektorit Financiar (FinSAC) është themeluar nga Banka Botërore dhe ka për qëllim të ofrojë asistencë teknike, për çështje të rregullimit dhe të mbikëqyrjes së sektorit financiar, për bankat qendrore dhe rregullatorët financiarë në Evropë dhe në Azinë Qendrore.